Komisioni i Vetingut vendosi në 5 mars të këtij vitit të shkarkonte nga detyra gjyqtarin Ardit Mustafaj, i cili ishte anëtar i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjyqtari Mustafaj, aktualisht i pezulluar, kaloi me sukses testin e pastërtisë së figurës dhe aftësitë profesionale, por u penalizua për shkak të pasurisë.
Gjyqtari ka deklaruar një apartament banimi në Tiranë, në bashkëpronësi, në vitin 2004, me sipërfaqe 126 m2, në vlerën 58.369 euro. Pas hetimeve, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka arritur në konkluzionin se vlera e apartamentit ishte 8.639.946 lekë, ndërkohë që gjyqtari e ka blerë këtë pasuri në vlerën 6.900.000 lekë. Nga hetimi u konstatua një diferencë prej 1.739.946 lekësh, rreth 20 % më lirë nga çmimet e tregut të asaj kohe.
Gjyqtari Mustafaj ka deklaruar ndërtimin e një objekti 1+1 në Sarandë, në vitin 2003. KPK thotë se në fakt bëhej pjesë për tre kate dhe garazh, konkretisht kati nëntokë 120 m2 dhe shërben për funksionin garazh; kati i parë 120 m2 dhe shërben për funksionin lokal, kati i dytë 120 m2 dhe shërben për funksionin banesë, si dhe kati i tretë 120 m2 dhe shërben për funksionin banesë. Sipas Komisionit, gjyqtari kishte mungesë të të ardhurave në shumën 6.686.074 lekë për të justifikuar këtë ndërtesë.
Mustafaj ka deklaruar edhe një apartament në Sarandë, në vitin 2003, në vlerën 22.000 USD. Sipas Komisionit, për këtë pasuri, gjyqtari nuk justifikon 1.700.000 lekë. Në vitin 2004, gjyqtari ka blerë një makinë me vlerë 530.000 lekë. Por, Komisioni thotë se gjyqtari në vitin 2004 kishte rezulton me mungesë të ardhurash të ligjshme në shumën 2.700.033 lekë.
Mustafaj ka qenë objekt kërcënimesh nga bandat më të rrezikshme në Shqipëri. Në shtator të vitit 2012, një vit pas atentati mafioz në qendër të Vlorës, ku u hodh në erë makina me të cilën lëvizte gjyqtari Skerdilajd Konomi, gjyqtari Ardit Mustafaj ka gjetur poshtë derës së banesës së tij një letër të gjatë kërcënuese, e shkruar me kompjuter.
Dërguesi i paidentifikuar e kërcënoi gjyqtarin dhe familjen e tij, për çështjet që ai gjykonte në atë kohë në Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë. Pas kësaj letre, gjyqtari ka kallëzuar në prokurori, duke bërë që Komisioni i Posaçëm për Mbrojtjen e Gjyqtarëve të caktonte një eskortë mbrojtëse për të, pjesëtarët e familjes dhe banesën e tij. Në atë kohë, gjyqtari ishte pjesë e trupës gjykuese të dosjes së Dritan Dajtit.