Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka dorëzuar në gjykatën e Budapestit një kërkesë për ekstradimin e një personi. Bëhet fjalë për serbin Savo Stefranoviç i cili dyshohet për kryerën e krimeve të luftës në Kosovë, në komunën e Pejës.
Gjykata e Hungarisë e ka konfirmuar lajmin për gazetën ‘Nacionale’. Tashmë pritet caktimi i një date të re për seancën e rradhës ku do të ‘vuloset’ vendimi për serbin i cili sipas mediave hungareve dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 33 personave në Pejë.
“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se kërkesa për ekstradim dhe dokumente të tjera kanë mbërritur në Gjykatën Metropolitane të Budapestit. Së shpejti do të caktohet një datë e re e gjykimit. I dyshuari është ende në arrest të përkohshëm”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Hungarisë për Nacionalen.
Vetë serbi i dyshuar për krime lufte, në seancën fillestare të mbajtur në Budapest, e kishte refuzuar ekstradimin në Kosovë.
Për çfarë akuzohet Stefranoviç?
Në një deklaratë nga Prokuroria e përgjithshme e Budapestit për agjencinë e lajmeve hungareze (MTI), thuhet se i akuzuari është arrestuar mbi urdhër-arrestin ndërkombëtar të lëshuar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Urdhër-arresti është lëshuar shtatorin e kaluar për shkak të krimeve të luftës të kryera kundër popullatës civile, thuhet në deklaratën ku informohet se i dyshuari dhe dy shokët e tij akuzohen për përfshirje dhe ndihmë në sulmin e vitit 1999 që ka rezultuar me vdekjen e 33 civilëve në zonën Kristal në Pejë të Kosovës.
Më tej në deklaratë bëhet e ditur se gjykata hungareze, do të shqyrtojë procesin e ekstradimit të të dyshuarit dhe se Prokuroria nëpërmjet Ministrisë hungareze të Drejtësisë do të kalojë në kontakt me autoritetet gjyqësore të Kosovës. Nacionale