S'ka më 'Benz', 'Audi' e 'Porsche', ja makinat që do duhet të ngasin shoferët e rinj në 2 vitet e para! 50% më pak e gjobës nëse paguhet brenda 15 ditësh

17 Mars 2023, 08:12| Përditesimi: 17 Mars 2023, 14:59

  • Share

TIRANË-Nëse Kodi Rrugor i ndryshuar një ditë më parë në Kuvend do të votohej më herët, aksidenti me 3 viktima i 9 marsit në TEG me shumë mundësi do të ishte shmangur.

Klevis Ruçaj nuk do të mund të drejtonte mjetin e tij tip “Audi”, me të cilin bënte pilotin në rrugë, pasi vetëm prej 1 viti ishte pajisur me patentë. Të gjithë drejtuesit e rinj të mjeteve, që sapo janë pajisur me patentë, nuk mund të ngasin makina me kubik të lartë, ndër to “Mercedes Benz”, “Audi” apo “Porsche”, të cilat konsiderohet makina luksi, deri në 2 vjet. Kjo kategori shoferësh do të mund të ngasin modele makinash me fuqi më të vogël si “Fiat 500”, “Ford Fiesta”, “Renault Tëingo”, “Opel Corsa”, etj. Shpejtësia maksimale në vendin tonë deri tani ka qenë 110 km/h në ato rrugë që plotësojnë standardet dhe shpejtësi shkon në 130 km/h. I vetmi aks që plotëson kriteret është By Pass-i i Fierit, teksa nuk përmbushin kritere Tiranë-Elbasan, Tiranë-Durrës apo Rruga e Kombit.

Ndryshimet e reja parashikojnë ashpërsim dhe dyfishim gjobe për drejtuesit që u hiqet patenta. Kjo kategori shkelësish do të paguajnë dyfish të gjobës, për të mos iu tërhequr leja e drejtimit. Në një tjetër pikë ligjvënësit kanë menduar edhe për xhepat e shoferëve, për të cilët është parashikuar përgjysmimi i gjobës nëse paguhet brenda afatit të caktuar. Më herët shoferët që paguanin një masë administrative brenda 5 ditësh, përfitonin 20% ulje, ndërsa tani, nëse paguhet brenda 15 ditëve, vlera e gjobës do të paguhet me 50% ulje.

Me ndryshimet e fundit rritet edhe afati i rinovimit të lejeve të drejtimit, nga 10 në 15 vite, teksa kjo rritje nëse deri më tani është bërë deri në moshën 50 vjeç, tashmë shkon në 70 vjeç. Mosha limit 70 vjeç duhet të jetë e pajisur me konfirmim të një certifikate mjekësore. Zgjatet po ashtu edhe e drejta e ushtrimit të profesionit të instruktorit të auto shkollave nga 65 në 70 vjeç. Qytetarëve që u është anuluar leja e drejtimit pasi e kanë konvertuar me tjetër jashtë vendit, tashmë mund ta rimarrin atë shqiptare pa testim, edhe nëse leja e huaj ka skaduar dhe heqin dorë vullnetarisht prej saj.

Ndryshimet e miratuara
-Shpejtësia maksimale e qarkullimit ne autostrada te jete jo me shume se 130 km/ore sipas standardeve europiane.
-Pezullimi i lejedrejtimit, në rastet kur kundërvajtësi jep pëlqimin, konvertohet me pagesën e një shume që është sa dyfishi i masës administrative maksimale të parashikuar për normën e shkelur.
-Për të gjithë qytetarët shqiptarë me banim jashtë shtetit ose të huajve që kalojnë nëpër Shqipëri u lëshohet një leje qarkullimi me një kohëzgjatje maksimale 30-ditore nga 15 dite që është aktualisht.
-Heqja e shërbimeve postblloqeve në të gjitha akset kombëtare.
-Nëse paguhet brenda 15 ditëve, vlera e gjobës do të paguhet me 50% ulje.
-Është kërkuar që 50% e parkimeve të jetë pa pagesë
-Mbajtësit e lejeve të drejtimit të kategorisë B, në 2 vitet e para të lëshimit, nuk u lejohet të drejtojnë mjete motorike me fuqi specifik, referuar masësh bosh të mjetit, më të madhe se 55KË/ton! Për makinat hibrike elektrike ose plug-in, kufiri specifik i fuqisë është 65 ton KË/ton, duke përfshirë peshën e baterisë.  
-Qytetarëve të cilëve iu është anuluar leja e drejtimit shqiptare për efekt konvertimi jashtë vendit, mund të rimarrin lejen e drejtimit shqiptare pa testim, drejtpërdrejtë dhe nëse leja e drejtimit e huaj ka skaduar, pasi e dorëzojë atë dhe heqin dorë vullnetarisht prej saj.
-Zgjatja e se drejtës për ushtrimin e profesionit të instruktorit të autoshkollës deri në 70-vjeç, nga 65-vjeç që është aktualisht.
Rinovimi i lejedrejtimit të kategorive
AM,A1, A2, A, B1, Bdhe BE
Ishte
Çdo 10 vite deri 50 vjeç
Çdo 5 vite, mbi 50 vjeç
Çdo 3 vite mbi 70 vjeç

Bëhet
Çdo 15 vite deri 70 vjeç
Mbi 70 vjeç konfirmimi i vlefshmërisë bëhet pas dorëzimit të certifikatës mjekësore
C1, C1E, C, CE
Ishte
Çdo 5 vite deri në 65 vjeç
Çdo 2 vite, mbi 65-vjeç
Bëhet
Çdo 5 vite, deri 70-vjeç (për personat mbi 65-vjeç vetëm për mjetet deri në 20 ton)
D1, D1E, D dhe DE
Ishte
Çdo 5 vite deri në 65 vjeç
Çdo 3 vite mbi 65-vjeç
Bëhet
Çdo 5 vite deri në 70-vjeç, për personat mbi 65 vjeç lëshohet vetë, për drejtimin e mjeteve të kategorisë B dhe BE për taksi dhe transport udhëtarësh me mjet 8+1

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?