Kukës- Tentoi të fuste në Shqipëri sende me vlerë pa i deklaruar nga pika kufitare e Morinës në Kukës, procedohet penalisht 56-vjeçari kosovar.
Sekuestrohen monedhat e floririt në cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Policisë Kufitare njoftuan sot (15 Tetor) se në bashkëpunim me autoritetet doganore, në hyrje të vendit, nga Kosova për në Shqipëri, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë mjetin "BMW", me drejtues shtetasin kosovar F. A., banues në Prizren.
“Gjatë kontrollit, këtij shtetasi i janë gjetur 15 monedha floriri, të cilat ai po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Dosja për këtë rast i kaloi Prokurorisë vendore në gjendje të lirë, për veprën penale "mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë".