Reagimet e shoqërisë civile e veçanërisht të rinjve nuk kanë munguar pas rastit makabër të përdhunimit të 15-vjeçares nga Fshati Tarazh i Mirditës nga 5 persona, ku me 4 prej tyre kishte lidhje gjaku.
Dhjetra nxënës te shkollës “Janaq Kilica” e të rinj të qytetit janë bërë pjesë e një marshimi në rrugët e qytetit të Fierit për tu ndalur në qendër të tij. Me pankarta në duar ata kërkojnë më tepër siguri për gratë dhe vajzat, ndërsa u kanë bërë thirrje ti denoncojnë rastet e dhunës.
Edhe drejtorja e shkollës “Janaq Kilica”, Feriniqi Fuli, është shprehur se roli i shkollës është thelbësor, duke mbështetur të rinjtë në këtë marrshi protestë.
Ndërkohë një ditë më parë u zhvillua një manifest në Shkodër kundër abuzimeve seksuale.
‘Mos hesht, mos përdhuno, ngrije zërin’, ishin mesazhet e manifestit të organizuar nga shoqëria civile në Shkodër. Ato u mblodhën në sheshin para bashkisë ku marshuan në pedonalen ‘Kolë Idremeno’ në Shkodër.
Protesta u zhvillua për të miturën 15 vjeçare nga Rrësheni që sipas policisë u abuzua për disa javë me radhë nga 5 persona të cilët e shantazhuan atë me video intime. Artan Kaçorri 31 vjeç, Albert Molla 27 vjeç, Ermal Tarazhi 30 vjeç, Nikë Lleshi 44 vjeç dhe 17-vjeçari me inicialet A.Xh janë arrestuar dhe janë lënë në burg nga gjykata.