Sali Berisha dhe Erion Veliaj

Politikë

Mos u bëj si Saliu? Veliaj reagon sërish: S'po luftoj të shkrij SPAK, por të demaskoj një pis që godet për llogari të Berishës! Pjesë e kënetës dhe gjyqtari Bani

23 Shkurt, 13:48| Përditesimi: 23 Shkurt, 14:46

  • Share

TIRANE-  Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj kritikëve të cilët thonë se po godet SPAK. Nga paraburgimi i Durrësit, Veliaj thotë se ndryshe nga kryetari i PD-sw, Sali Berisha nuk po lufton për të shkrirë SPAK-un, por do të luftojë deri në fund me një "pervers që, për llogari të Saliut, e mbyll në burg pa gjyq m’u para zgjedhjeve". 

I siguroj se ndryshe nga Saliu i Nesti Dados, unë nuk e kam me SPAK-un, po me abuzimin e një kllouni me të gjithë përpjekjen popullore për drejtësi. Ndryshe nga Saliu, unë nuk dua dhe as luftoj për të shkrirë SPAK-un, por dua dhe do të luftoj deri në fund me një pervers që, për llogari të Saliut, më mbyll mua në burg pa gjyq m’u para zgjedhjeve, ndërkohë që Saliu livadhis e kërkon vota për të shkrirë SPAK-un.

Ndryshe nga Saliu, të cilit as i është kontrolluar banesa, as i janë marrë telefonat familjarisht, as i janë vënë në kurriz “prona të fshehura” në emër të vajzës a djalit, mua më kanë ndodhur të tëra këto e më keq se kaq, por unë nuk e kam asgjëkundi me reformen në drejtësi, me SPAK-un apo me kolegë të Ols Angonit, që meritojnë mbështetje dhe respekt.

Tani ç’të them, e keqja ka emër dhe nëse për Saliun mbretin e kënetës, e keqja quhet SPAK, për mua e keqja e ime dhe e SPAK-ut vetë quhet Ols Dado, një “vrasës me pagesë”, që aspak çuditërisht këmbët prej gjarpëri i ka në kënetën e Saliut.

Për të mos e harruar fare, pjesë e së keqes është edhe Erion Bani, një tjetër produkt i mirënjohur i kënetës, që gjendet gjithnjë gati kur duhet të goditet një armik socialist" 

Dosjen e përgatitur nga prokurori i SPAK Ols Dado, kryetari i Bashkisë së Tiranës e konsideron si një 'vrasje me pagesë' ndaj tij dhe familjes me porosi të Sali Berishës. Në reagimin e radhës nga facebook Veliaj akuzoi edhe gjyqtarin Erion Bani se edhe ai 'kasap' për llogari të Berishës e burgosi në mes të fushatës me qëllim mbylljen e gojës. 

Këtë të dielë, (23 shkurt) kryebashkiaku u ndal në faqen 35 të dosjes hetimore, ku Ols Dado ngre dyshime mbi pagesat e shpenzimeve të Veliaj gjatë udhëtimeve jashtë përsa kohë ai ka deklaruar si të ardhura dietat e udhëtimeve të punës jashtë vendit. Në përgjigje të këtyre dyshimeve të prokurorit kryebashkiaku i Tiranës i rendit atij deklarimet e pasurisë së vetë Ols Dados.

 Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt me urdhër të SPAK, ndërsa prej 12 shkurtit vijon të qëndrojë në paraburgimin e Durrësit. Bashkë me të, masë u dha edhe për bashkëshorten Ajola Xoxa, fillimisht arrest shtëpie e më pas detyrim paraqitje. Detyrim paraqitje ka edhe për 5 biznesmenë ndërsa Elman Abule u la në burg.

Reagimi i Veliajt ne facebook 

Ora 11:16
Veliaj nga qelia: Prokurori Dado 'vrasës me pagesë' për llogari të Sali fundërrinës, udhëtoi me kontakte të papërshtatshme! Gjyqtari Bani 'kasapi' i tij

TIRANË-  Në një reagim të radhës nga paraburgimi, Kryebashkiaku Erion Veliaj e quan ‘vrasje me pagesë’ për llogari të kryetarit të PD-së, arrestimin e tij me kërkesë të prokurorit të SPAK Ols Dado

Veliaj thotë se dosja e Ols Dados është 'farsë' e 'paçavure' e thurur me gabime trashanike, ndërsa gjyqtarin i cili firmosi e quan 'kasapi i Saliut' që bëri realitet largimin tim nga bashkia e Tiranës në mes të fushatës.

Duke e quajtur arrestimin e tij politik të nxitur nga Berisha, Veliaj thotë se nuk do të heshtë

Me siguri menduan që duke më mbyllur brenda pa gjyq, do të më mbyllnin gojën dhe s’e kanë menduar keq, se kështu bënte edhe Saliu kur degdiste kolegët mjekë në internim. Por, ky “kolegu” im Ols Angoni as nuk e ka idenë se me kë është ngatërruar, megjithëse e quan veten Bruce Ëillis hajvani dhe u tregon muskujt atyre ushtarëve të BKH (tani hajde Bruce, jepi, fute edhe këtë tek kërcënimet që i kam bërë kafkës tënde të mbështjellë me shollë).

Nuk e ka idenë, dështaku, dhe nuk ka se si ta ketë në fakt, po do ia mësoj unë, ja kështu, me durim, pak nga pak, derisa t’i dalë boja kësaj menderhanes që gatoi për mue dhe ta neverisin të tërë, mbase përveç atyre që e përdorin si vegël të llojeve të ndryshme” thotë Veliaj në postimin e tij.

Veliaj akuzon prokurorin se shpërndau dosjen në ''gjirizet" e PD, ende pa e parë ai dhe se me durim do zbulojë atë që e quan ‘menderhane’ që prokurori gatoi për te.

“Çfarë tmerri të merresh në 2025 me lodrat e një truri si të Sigurimit në vitin 1975 … Dado ngre pyetjen se kush mbuloi shpenzimet meqë kam deklaruar të ardhura nga dietat Vetë Dado në 2009 deklaroi si të ardhura përfitimet nga dietat. 

...Po kur udhëton me kontakte të papërshtatshme dhe i kursen dietat, se t'i paguajnë të tjerët, a duhet të deklarohen ato?

Hë-hë-hë Ols Violina…

Veliaj po mbahet në qeli në paraburgimin e Durrësit, ndësa u arrestua më 10 shkurt nën akuzën e korrupsionit pasiv në 9 raste dhe pastrim parash

Reagimi

Të dashur miq, më lejoni ta vijoj çmontimin e dosjes farsë edhe këtë të dielë.

Goditja qorre e Olsi Dados kundër meje dhe familjes time është kryekëput një “vrasje me pagesë” për llogari të Sali Fundërrinës. Paçavurja e tij e thurrur me gabime trashanike dhe dashakeqësira pa cipë fare, pastaj aktivizimi i kasapit Sali fundërrinist, që si për ironi të fatit mban edhe emrin tim (Erion), bënë realitet largimin tim nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës në mes të fushatës.

Me siguri menduan që duke më mbyllur brenda pa gjyq, do të më mbyllnin gojën dhe s’e kanë menduar keq, se kështu bënte edhe Saliu kur degdiste kolegët mjekë në internim. Por, ky “kolegu” im Ols Angoni as nuk e ka idenë se me kë është ngatërruar, megjithëse e quan veten Bruce Ëillis hajvani dhe u tregon muskujt atyre ushtarëve të BKH (tani hajde Bruce, jepi, fute edhe këtë tek kërcënimet që i kam bërë kafkës tënde të mbështjellë me shollë).

Nuk e ka idenë, dështaku, dhe nuk ka se si ta ketë në fakt, po do ia mësoj unë, ja kështu, me durim, pak nga pak, derisa t’i dalë boja kësaj menderhanes që gatoi për mue dhe ta neverisin të tërë, mbase përveç atyre që e përdorin si vegël të llojeve të ndryshme.

Nuk ka dyshim tanimë që ky që quhet prokuror, po që në fakt është një “vrasës me pagesë”, e ka shpërndarë ethshëm dosjen e mbushur me idiotësira nëpër gjirizet online të PD-së, ende pa u njohur unë vetë me ç’ka aty, në atë gjirizin e tij privat, por sot si ditë e dielë, po ju gjezdis në faqen 35, pika 19, ku violinisti dështak shkruan:

“…Gjithashtu, janë deklaruar si të ardhura edhe dietat për t'u shpenzuar jashtë shtetit në takimet zyrtare, si dhe biletat e udhëtimit për jashtë shtetit, të cilat duhet të blihen nga Autoriteti Kontraktor, Bashkia Tiranë nëpërmjet procedurës së prokurimit publik. Ndodhur në keto kushte, lind pyetja kush ja ka mbuluar shpenzimet jashtë shtetit shtetasit Erion Veliaj përderisa ka kursyer dietat…”.

Çfarë tmerri të merresh në vitin 2025 me lodrat e një truri si të Sigurimit të Shtetit në vitin 1975!

Dhe imagjinojeni që vetë ky klloun, në deklarimin e tij të pasurisë për vitin 2009, deklaron: “Të ardhura të përfituara nga dietat”! Jo vetëm kaq, por në të njëjtin deklarim, Bruce Dado deklaron si të ardhura të tijat edhe shumat e “transferuara nga Këshilli i Evropës për dieta udhëtimi”. S’ka asgjë të keqe në këto, të kuptohemi!

E keqja është kjo më pas, kur zëmarrësin dhe zëdhënësin e prokurores së përgjithshme në atë kohë, e kanë armatosur sot me shpatën e SPAK-ut për të prerë koka njerëzish të pafajshëm, me argumenta që vetëm një gjysmë idiot dhe gjysmë kriminel nuk ka turp t’i shkruajë.

Referuar legjislacionit për tatimin mbi të ardhurat, me termin “dieta”, kuptohen shpenzimet për ushqim dhe këto janë ato që marrin të gjithë punonjësit e shtetit nga buxheti i vetë shtetit. Që domethënë, se këto as NUK prokurohen, as nuk ka se si prokurohen, se me logjikën e këtij lëkurë sholle për të marrë dieta punonjësit e shtetit duhet të hyjnë në një tender se kush merr më pak lekë për ushqim! A e kuptoni se sa i paaftë, i pacipë dhe i patru është ky tipi?

Nga ana tjetër, sigurisht që të deklarosh si të ardhur një shumë të caktuar dhe burimin e saj, nuk nënkupton se kjo shumë është kursyer, dhe aq më tepër që këtë shumë mund të ta ketë pasuar një i tretë… siç çuditërisht i lind pyetja këtij prokurori, të cilit i duhet hequr e drejta e profesionit si element i rrezikshëm për logjikën njerëzore dhe i duhet akorduar trajtim mjekësor falas për sasira të frikshme uji në tru!

Është pikërisht deklarimi, në fakt, ai që ligjëron edhe shpenzimin dhe në të kundërt, mosdeklarimi mund të nënkuptojë se shpenzimet e udhëtimit janë mbuluar nga dikush tjetër.

Tani po i ngre edhe unë disa pyetje se u pa puna:

1. Pse qenka habitur prokurori që unë kam deklaruar dietat si të ardhura, kur këtë e paska bërë edhe vetë?

2. Në qoftë se në rastin tim, prokurorit i paska lindur pyetja: “kush ia ka mbuluar shpenzimet jashtë shtetit shtetasit Erion Veliaj përderisa ka kursyer dietat”, a nuk krijohet dyshimi i arsyeshëm se në rastin e shtetasit Ols Dado, mund të kemi të bëjmë me një individ që ka bërë pisllëqe me deklarimet e tij?

3. Pse xhanëm në rastin e tij “dieta” na qenka e ardhur e deklarueshme, ndërsa në rastin tim një autogol i dënueshëm me burg, pa gjyq?

Më tej akoma:

- A ka udhëtuar shtetasi Ols Dado për shërbime brenda dhe jashtë shtetit këto vite?

- A ka marrë dieta për këto udhëtime?

- Apo nuk i ka marrë sepse s’ka pasur nevojë?

- Sepse në qoftë se i ka marrë dhe nuk i ka deklaruar, në rastin më të mirë, ka bërë deklarim të rremë, por në rastin më të keq, lind vetiu pyetja e tij për atë vetë: kush ia ka mbuluar shpenzimet prokurorit që s’paska pasur nevojë për të marrë dietat e shtetit që i takojnë me ligj?

- Po kur udhëton me kontakte të papërshtatshme dhe i kursen dietat, se t'i paguajnë të tjerët, a duhet të deklarohen ato?

Hë-hë-hë Ols Violina…

Lajmi ne perditesim... 

S.G/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?