Është një rend i gjërave që mban në këmbë mrekullinë ku jetojmë dhe në këtë rend botëror, që vjen si esencë e maturisë, eksperiencës, dijes njerëzore, e drejta për të jetuar është e shenjtë. Në këtë rend botëror “Mos vrit!” vjen para “Mos vidh!” dhe ka një radhë për të dhënë llogari edhe për këtë.
Në Shqipërinë tonë të vogël, të bukur, të trazuar, europiane, dikush përpiqet me mish e me shpirt që ta përmbysë këtë rend dhe herë pas here, arrin ta bëjë. Mendoni sa energji investon kjo kategori për të shuar vijat e kuqe që janë dashur mijëra e mijëra vite të vendosen për të rregulluar bashkëjetesën mes nesh, që kalon përmes besimeve shpirtërore, filozofive, ligjeve, deri në ditët tona.
Sot jemi dëshmitarë se sa punë dhe përkushtim na duhet për të mbajtur në logjikën e respektit të dinjitetit njerëzor të drejtën se “Jeta është më e vlefshme se kuleta e të gjithëve ne të bërë bashkë!”. Por sot jemi dëshmitarë se me sa lehtësi jeta njerëzore lihet mënjanë, për të parë më parë kuletat e njerëzve. Bëhet nga padituria apo është pjesë e asaj energjie që investohet dhe të cilën e perceptojmë kudo?
Nuk ka mëkat më të rëndë, nuk ka gabim më të pafalshëm për një shoqëri e cila ëndërron të bëjë Drejtësi, por që nuk shpjegon dot se pse akoma dhe sot vë në piedestal paranë, në vend të jetës që u vra?
Vetëm kur ta rivendosim rendin e drejtë të gjërave, vetëm kur të kuptojmë e të pranojmë që “Mos Vrit!” vjen para “Mos Vidh”, mund të jemi më të qetë se rruga jonë është e pakthyeshme drejt shoqërive të qytetëruara. Drejt Bashkimit Europian. Dhe ky rend i gjërave mes nesh kapërcen kohët dhe emrat e përvetshëm, edhe nëse ata quhen Sali Berisha apo Edi Rama.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)
Nje konstatim i sakte, perpara se te gjykohej per vjedhje, duhen te gjykohej per vdekjen e Ardit Gjoklaj
Përgjigju