Ksenia Karelina gjatë procesit gjyqësor

Moska dënon shtetasen ruso-amerikane me 12 vite burgim për tradhti! Ksenia Karelina u akuzua se i dhuroi Ukrainës 50 dollarë para nisjes së luftës

15 Gusht, 14:19| Përditesimi: 15 Gusht, 14:43

  • Share

Moskë- Kremlini nuk heq dorë nga arrestimi dhe dënimi i shtetasve të huaj të dyshuar dhe akuzuar për spiunazh apo tradhti të pretenduar. Ksenia Karelina është ruso-amerikania e radhës që është dënuar me 12 vjet burg për "tradhti" nga një gjykatë ruse.

Akuza ishte bazuar te fakti se kishte dhuruar pak më shumë se 50 euro për një organizatë bamirësie në Nju Jork para nisjes së luftës, por që sipas hetuesve rusë, u përdorën më pas për blerje pajisjesh e municionesh për Ukrainën.

"Gjykata e shpalli Ksenia Karelina fajtore për tradhti të lartë dhe e dënoi me 12 vjet burg, në një institucion të regjimit të përgjithshëm", tha gjykata rajonale e Sverdlovsk, në qytetin Ural të Yekaterinburg. Prokurori publik kishte kërkuar 15 vjet burg, raporton “La Repubblica”.

Vendimi rezulton të jetë dhënë që javën e kaluar, por mediat e raportuan ditën e sotme (15 Gusht).

Procesi, akuzat dhe dënimi

Karelina qëndronte në kafazin e xhamit të të pandehurve, e veshur me një bluzë të bardhë dhe xhinse, ndërsa lexohej vendimi. Gjykatësi Andrei Mineev, është i njëjti që u mor me rastin e gazetarit amerikan të Ëall Street Jorunal, Evan Gershkovich, i akuzuar për spiunazh dhe i liruar disa javë më parë, në një shkëmbim të madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit.

Sipas dosjes së prokurorisë ruse, e pandehura kishte dhuruar ekzaktësisht 51.80 dollarë për bamirësinë me bazë në Nju Jork, "Razom për Ukrainën". Ngjarja ndodhi menjëherë pasi Rusia nisi ofensivën e saj ushtarake në shkallë të gjerë në shkurt 2022, tha familja e saj.

Shërbimi rus i sigurisë, FSB, e akuzoi atë se kishte mbledhur para të cilat më pas "u përdorën për të blerë pajisje taktike mjekësore, pajisje, armë dhe municione për forcat e armatosura të Ukrainës". Gruaja u deklarua fajtore për akuzat në një seancë dëgjimore javën e kaluar, tha media shtetërore ruse.

Përgjigja e Uashingtonit

Uashingtoni ka akuzuar Moskën për arrestimin e qytetarëve të saj me akuza të pabaza, për t'i përdorur ata si mjet pazari për të siguruar lirimin e rusëve të dënuar jashtë vendit. Dje (14 Gusht), një amerikan i akuzuar për dhunë ndaj një oficeri rus të zbatimit të ligjit në Moskë, u dënua me 15 ditë paraburgim për "huliganizëm".

Karelina u arrestua për herë të parë më 27 janar 2024, teksa vizitonte familjen në qytetin e Yekaterinburg, gati një muaj pasi u nis për në Rusi, sipas një grupi rus të të drejtave të njeriut. Agjencia rajonale ruse e lajmeve “Ura.ru” raportoi se akuza lidhej me "betimin në një vend publik", një akuzë që Karelina e mohoi në gjykatë, sipas agjencisë së lajmeve “Mediazona”.

Oficerët e FSB-së mund të kenë zbuluar se ajo ka bërë pagesën për bamirësinë pro-ukrainase në telefonin e tij, por nuk është e qartë se si, sipas mediave ruse. Ajo u mbajt fillimisht për 14 ditë pasi u arrestua për “huliganizëm”, por nuk u la e lirë, pasi autoritetet e akuzuan për “tradhti” gjatë kohës që ishte në paraburgim.

Rusia bën një praktikë të arrestimit të shtetasve të huaj për krime të vogla, përpara se t'i akuzojë ata për krime më të rënda, si tradhti apo spiunazh.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?