Ukraina do të duhet të bëjë lëshime territoriale për rajonet që Rusia ka marrë që nga viti 2014, si pjesë e çdo marrëveshjeje për t'i dhënë fund luftës.
Kështu ka deklaruar Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sipas asaj që raporton Neë York Times.
“Gjëja më e rëndësishme është që Ukraina të jetë e gatshme të bëjë gjëra të vështira, ashtu si edhe rusët do të duhet të bëjnë lëshime të vështira për t’i dhënë fund këtij konflikti ose të paktën për ta ndalur atë,” ka theksuar Rubio, pa dhënë detaje mbi lëshimet që do të duhet të bëjnë të dyja palët.
Nga ana tjetër, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara mbeten në fazat fillestare të negociatave për ripërtëritjen e tyre dhe procesi që i pret është "mjaft i gjatë dhe i vështirë".
Këtë e deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke theksuar se megjithatë, "të dy presidentët kanë shprehur vullnetin politik për këtë drejtim".
Edhe pse Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë zhvilluar vetëm një bisedë telefonike deri tani, ajo është cilësuar si një moment "mjaft konstruktiv për të dialoguar dhe për të zgjidhur problemet", tha Peskov, cituar nga agjencia Interfax.
Sot, Rusia ka njoftuar dëbimin e dy personave të lidhur me ambasadën britanike në Moskë.
Atyre u është dhënë afat dy javë për të lënë vendin, me akuzën se kanë dhënë deklarata të rreme dhe kanë kryer aktivitete të inteligjencës, bëri të ditur FSB (Shërbimi Federal i Sigurisë), sipas agjencisë ruse Tass.
Gjithashtu, është revokuar akreditimi i sekretarit të dytë të ambasadës britanike në Moskë dhe i bashkëshortit të një tjetër diplomati britanik.
"Ukraina ka kërkuar paqe që në sekondën e parë të luftës. Dhe kemi thënë gjithmonë se arsyeja e vetme pse lufta vazhdon është Rusia", deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një mesazh në rrjetet sociale.
Deklarata e tij vjen në prag të bisedimeve bilaterale në Arabinë Saudite mes delegacioneve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.
Komente
