Uji ‘rrëmben’ 12 shtylla elektrike më Shkodër, 2398 familje pa drita! Rruga e Arbrit e kalueshme vetëm me zinxhir! Anulohet lundrimi i trageteve nga Bari dhe Ankona drejt Durrësit sot dhe nesër

20 Janar 2023, 07:24| Përditesimi: 21 Janar 2023, 07:23

  • Share

Moti i keq me reshje shiu dhe dëbore kanë përfshirë të gjithë territorin e vendit gjatë orëve të fundit. Kjo ka sjellë përkohësisht bllokimin e rrugës së Arbrit, ndërsa më pas është linuar. Vijon pezullimi në 2 shkollat në Lezhë, oborret e të cilave ishin të mbuluara nga uji një ditë më parë.Teksa reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe Krujën, disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Moti i keq ka pezulluar edhe lundrimin nga Durrësi në Bari dhe anasjelltas. Shkak është bërë stuhia detare, ndërsa pritet që lundrimet të nisin ditën e nesërme.Edhe në Vlorë, për shkak të situatës së përkeqësuar të kushteve hidrometeorologjike, për ditën e nesërme është vendosur pezulluar lundrimi i anijeve të transportit ndërkombëtar. Transporti do të rinisë në datë 22.

SHKODËR- Reshjet e borës në Shkodër ka vijuar të lërë të bllokuar aksin Bogë-Theth duke bërë të vështirë ndërhyrjen për shkak të orteqeve. 2398 familje në Vaun e Dejës dhe Puke janë pa energji elektrike. Uji ka rrëmbyer 12  shtylla elektrike në njësinë administrative Vig Mnele dhe në lumin Gjadri në zonën e Hajmelit. Të përmbytura janë 1100 hektarë tokë dhe vijon jashtë funksionit ujësjellësi Oblika 1.

DURRËS- Kompanitë e lundrimit kanë anuluar lëvizjen e trageteve nga Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas për shkak të stuhisë detare dhe dallgëzimit deri në 8 ballë. Edhe lundrimi i nesërm nga Ankona drejt Durrësi është anuluar. Të gjitha malet në rrethin e Krujës janë të mbuluara nga dëbora, trashësia e së cilës varion deri në 15 cm. Rruga për Qafshtamë kalohet vetëm me zinxhirë. Ndërsa disa fshatra kanë mbetur pa drita për shkak të dëmtimit të linjave ekzistuese.  

DIBËR - Reshjet e dendura të dëborës në zonat malore të Dibrës gjatë orëve të para të mëngjesit kanë shkaktuar problematika rrugën e Arbrit, bypass-in Qafë Murrizë. Por pas disa orësh bllokimi, rruga është liruar. Qarkullimi do vijojë ndërsa automjetet mund të kalojnë vetëm me zinxhir.  Policia bën apel që drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të Tiranës të përdorin rrugën alternative, aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz. Aktualisht subjekti kontraktor po punon për mirëmbajtjen, pastrimin e rrugës dhe hapjen e saj. Njëkohësisht, Policia Rrugore apelon që të gjithë drejtuesit e mjeteve të  tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit,  të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes me shpejtësinë dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë.

VLORË - Në Bypassin e Vlorës ka pasur disa problematika për shkak të rrëshqitjes së dherave. Për pasojë në disa vende aksi rrugor është i pakalueshëm. 

LEZHË - Intensiteti i reshjeve të shiut ka rënë gjatë orëve të fundit, por edhe gjatë ditës së sotme nuk po bëhet mësim në dy shkollat të cilat një ditë më parë ishin nën pushtetin e ujit, shkollat ‘Gjergj Kastrioti’ dhe ‘Besëlidhja’.

BERAT- Ka pasur gjatë gjithë natës reshje shiu, të cilat kanë qenë nën intensitet mesatar, megjithëse, niveli i lumenjve Osum dhe Devoll ka pësuar rritje të nivelit. Deri më janë brenda shtratit, pa rrezik dalje.

GJIROKASTËR- Shirat e shumta kanë shkaktuar erozion në pjesën e majtë të aksit nacional Këlcyrë-Përmet duke krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Këto të fundit po qarkullojnë në një anë të rrugës pasi pjesa e dëmtuar rrezikon të shembet si pasojë e erozionit.

Ora 14:11
Moti i keq, anulohet lundrimi i trageteve Bari-Porti i Durrësit dhe anasjelltas! As nesër nuk niset trageti nga Ankona

1674027054_anulohen.JPG

Autoriteti Portual Durrës ka dhënë detaje mbi situatën e motit nga reshjet e shiut. Dy tragetet që kishin planifikuar lundrim mbrëmjen e sotme nga Porti i Durrësit drejt Barit, do të anulojnë atë.

Edhe tragetet që operojnë nga Bari në Durrës nuk do të bëjnë nisje mbrëmjen e sotme. Anulohet po ashtu edhe nisja e tragetit që ishte parashikuar të lundronte ditën e nesërme nga Ankona në drejtim të Portit të Durrësit.

“Në bazë të të dhënave nga Kapiteneria e Porti të Durrësit, parashikohet se situata hidrometeorologjike për vendin tonë për datat 20-22 Janar 2023 do të jetë e përkeqësuar duke filluar nga pasditja e sotme, dt. 20.01.2023. Era do të jetë me drejtimin Jug-Perëndim në forcën 7bft deri 8bft dhe me shpejtësi mbi 25m/s , lartësia e dallgës do të arrijë deri në 4 metra”, njofton Autoriteti Portual Durrës.

Ora 13:25
Moti i keq në Vlorë, pezullohet për nesër lundrimi i anijeve të transportit ndërkombëtar! Mjeteve të vogla i ndalohet lundrimi për 3 ditë

Për shkak të kushteve të këqija të motit në Vlorë, anijet e transportit ndërkombëtar do të jenë të pezulluara.Lundrimi do të vazhdojë normalisht në datë 22.

Duke filluar nga ora 18:00 e ditës së sotme deri në datë 23 është ndaluar dhe lundrimi i mjeteve të vogla dhe të peshkimit. Drejtuesve të mjeteve iu është kërkuar njëkohësisht që të marrin të gjitha masat për sigurimin e tyre.

Ora 12:55
Situata pas motit të keq në vend, Hysenllari: Mësimi i pezulluar në 56 shkolla! Është evakuuar një familje në Lezhë! Po punohet për zhbllokimin e rrugëve të bllokuara

Drejtori i Gatishmërisë për Emergjencat Civile, Robert Hysenllari bëri me dije se pavarësisht reshjeve të shiut dhe të dëborës që kanë përfshirë vendin që prej ditës së djeshme, situata është nën kontrollin e autoriteteve.

Ai tha se po punohet në aksin nacional Këlcyrë-Përmet për zhbllokimin e rrugës së bllokuar nga rrëshqitjet e dherave si dhe për zhbllokimin e rrugës Bogë-Theth ku ka pasur orteqe dëbore.

Në Lezhë është bërë evakuimi i një familjeje prej 6 personash në lagjen Kodër Mulliri, njësia administrative Kolsh të cilën janë akomoduar në hotelet e zonës. Sa i përket, masave të marra, Hysenllari tha se në gatishmëri për çdo lloj situate janë 1200 efektivë dhe 450 mjete.

Ndërkohë 56 shkolla kanë pezulluar mësimin deri në një njoftimi të dytë nga ministria e Arsimit.

Ora 11:29
Reshjet e shiut shkaktojnë erozion të tokës në aksin nacional Këlcyrë-Përmet, një pjesë e rrugës rrezikon të shembet

Koha e keqe ka shkaktuar probleme serioze në hyrje të qytetit të Këlcyrës në aksin nacional Këlcyrë-Përmet. Shirat e shumta kanë shkaktuar erozion në pjesën e majtë të rrugës në fjalë duke krijuar jo pak probleme në qarkullimin e automjeteve. Këto të fundit po qarkullojnë në një anë të rrugës pasi pjesa e dëmtuar rrezikon të shembet si pasojë e erozionit. Ne vendngjarje janë vendosur shenja dalluese dhe orientuese.

Ora 11:25
VIDEO/ Dëbora e parë në Krujë, rrugët në Qafshtamë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë

Të gjitha malet në rrethin e Krujës janë mbuluar nga dëbora që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm. Trashësia e dëborës arrin deri në 15 cm ndërsa qarkullimi i automjeteve është i mundur vetëm duke përdorur zinxhirë.Report TV ka siguruar pamje nga Qafshtama, ku pavarësisht vështirësisë që dëbora sjell në qarkullim, panorama e krijuar është tepër e bukur.

Ora 11:10
Rrëshqitje dherash në Bypass-in e Vlorës, bllokohet qarkullimi

 

Në Bypassin e Vlorës ka pasur disa problematika për shkak të rrëshqitjes së dherave. Për pasojë në disa vende aksi rrugor është i pakalueshëm. Në terren ndodhen forcat e policisë për të drejtuar lëvizjen dhe gjithashtu po punohet për lirimin e aksit. 

 

Ora 10:38
Pas disa orësh bllokim nga dëbora, lirohet qarkullimi në rrugën e Arbrit

Ditën e sotme rruga e Arbrit u raportua si një aks i pakalueshëm për automjetet.

Por pas disa orësh, Report Tv mëson se rruga është zhbllokuar dhe se është e kalueshme.

Ora 09:38
Moti i keq në Berat, rritet niveli i lumenjve Osum dhe Devoll

Gjatë gjithë natës ka pasur reshje shiu në Berat të cilat kanë qenë nënintensitet mesatar, megjithëse, niveli i lumenjve Osum dhe Devoll ka pësuar rritje të nivelit. Deri më janë brenda shtratit, pa rrezik dalje. Në Urën e Çorodovës, niveli i lumit Osum në orën 8:15 është regjistruar niveli  0.92m (-), ndërsa në Ura e Varur Berat niveli aktualisht është 1.51m (-).

Në lartësitë mbi 600 m ka prezencë të dëborës, kryesisht në zonat kodrinore Skrapar dhe Poliçan, e cila shkon deri 5 cm, por nuk ka problematika në rrugë sajë përket qarkullimit.

Nuk raportohet për probleme saj përket furnizimi me energji elektrike dhe nuk ka ndërprerje. Strukturave vendore u është kërkuar te rrisin nivelin e gatishmërisë se burimeve njerëzore për çdo të papritur në orët ne vijim.

Ora 09:34
Rënia e orteqeve në aksin Bogë-Theth, ARRSH thirrje drejtuesve të mjeteve: Ulni shpejtësinë dhe përdorni zinxhirë

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë thirrje që drejtuesit e automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në aksin Bogë-Theth ku ka pasur rënie orteqesh. Ndaj shoferëve është bërë thirrje që të ulin shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë për të kaluar në rrugët ku prani të reshjeve të dëborës.

"Në aksin Bogë-Theth në zonën e tuneleve vazhdon rënia e orteqeve duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe pastrimin e rrugës Tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore"- thuhet në njoftimin e ARRSH.

Ora 08:59
Moti i keq/ Situatë e qetë në Elbasan, ulje e temperaturave dhe borë në disa fshatra të vendit! Mjetet borëpastruese në terren

Në Elbasan gjatë natës ka pasur reshje shiu dhe deri tani nuk ka pasur probleme, ndërsa në zonat malore ka rënë borë në Gjinar, Labinor dhe Funari.

Mjetet e borëpastrueses ndodhen ne terren. Në rruge është hedhur skore.

Ora 08:56
Reshjet e dëborës në Korçë, qarkullimi i mjeteve pa problematika! Dëmtime në 2 shkolla nga erërat, përmirësohet furnizimi me energjinë elektrike

Reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe Korçën por nuk ka probleme në qarkullimin e mjeteve. Trashësia e borës ka arritur nga 5 deri në 15 cm në rrugën e Dardhës ndërsa vijon puna me borëpastruese për pastrim dhe kriposje. Edhe në akset rrugore nacionale dhe turistike, nuk ka probleme në rrugë.

Shkolla 9 vjeçare në Selenicë dhe shkolla fillore në Shalës, të dyja në bashkinë e Kolonjës kanë pësuar dëmtime në çati si pasojë e erës së fortë. Nga burime zyrtare bëhet e ditur se në të dyja shkollat vijon mësimi(shkolla e Selenicës është një godinë e madhe dhe po vijohet mësim te pjesa që nuk ka probleme, ndërsa në Shalës bo zhvillohet në një ambient tjetër). Ndërsa ekipet e punës ndodhen në terren për të bërë të mundur rikthimin e çative në gjendjen e mëparshme për rikthimin e nxënësve ditën e hënë. Segmentet kryesore nacionale dhe ato turistike Qafa e Thanës-Pogradec-Korçë-Kapshticë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë dhe Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë kanë qënë të hapura dhe pa probleme, është punuar gjatë gjithë natës për mirëmbajtjen e tyre.

Në bashkinë Kolonjë gjatë natës ka patur erëra te forta dhe shira të rrëmbyeshëm, ndërsa në mëngjes borë 2-3 cm. Si pasojë ka patur dëmtime në dy shkolla, dhe po punohet për riparimin e tyre. Në bashkinë Korçë do të vazhdojë heqja e pjesës tjetër të çatisë në ndërtesën tek pazari. 

Ka përmirësim te furnizimit me energji elektrike, sot ka defekte sporadike ne bashkinë Pogradec fshati Jollë, ne bashkinë Devoll fshati Çipan, në bashkinë Korçë, fshatrat Kodra dhe Peshtan, të Njësisë Administrative Vithkuq. Grupet e punës janë në teren dhe po vazhdojnë nga riparimet e defekteve.

Ora 08:51
Moti i keq në Lezhë, flet kryetari i Bashkisë Lezhë: Uji është tërhequr, s’ka pasur shumë probleme të pa menaxhueshme

 

Rrugët janë duke u pastruar në Lezhë, pas tërheqjes së ujit. Kështu raporton kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu i cili shton se situata është monitoruar. Sipas tij, në qarkun Lezhë nuk ka patur probleme të pa menaxhueshme.

“Siç e shihni uji është tërhequr. Gjatë natës ka rënë shi, por nuk ka më ngarkesë. Tani nuk kemi më situatë emergjente por do ndërhyjmë më lagje për t pastruar. Nëse ka reshje, do mbajmë në kontakt njerëzit që na ndihmojnë. Nuk ka pasur shumë probleme. Kontrolluam zonën, evakuuam disa familje ka pasur probleme por s’kemi pasur situatë jashtë kontrolli. Në Lezhë s’do ketë më të tilla situata.”- tha Pjerin Ndreu, kryetari i bashkisë së Lezhës

Ora 08:46
Nuk përmirësohet situata nga përmbytjet në Shkodër, ende 1100 hektarë nën ujë! Uji rrëmben 12 shtylla të energjisë elektrike, disa fshatra pa drita

1674125611_Screenshot1.jpg

Nuk ka përmirësim të situatës nga përmbytjet në Shkodër. Ende vijojnë të mbeten 1100 hektarë tokë e përmbytur në njësinë administrative Ana e Malit. Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit. Në rrugën e Obotit po operon  një mjet i kalueshmërisë së lartë së bashku me 4 forca të ushtrisë.

Në Bashkinë Vau Dejes, uji ka rrëmbyer 12 shtylla të tensionit të lartë në njësinë Vig Mnele ndërsa OSHEE bën me dije se po punohet edhe 12 shtylla që i ka marrë lumi i Gjadrit në zonën e Hajmelit. Po ashtu nuk ka energji elektrike në Njësinë Temal dhe Shllak. Si pasojë e shirave, ka rrugë rurale të bllokuara nga rrëshqitje gurësh dhe dherash. Argjinatura në krahun e majtë të urës Gjinajve në Njësinë Administrative Vig Mnele është drejt shembjes. 

Edhe në Bashkinë Pukë vijon të ketë reshje të dobëta bore ndërsa në rrugët rurale vijon të jetë situata e njëjtë me energjinë elektrike që ka ndërprerje në zonat rurale. Aksi Tamarë-Vermosh ka patur reshje te vazhdueshme dëbore. Në aksin Bogë-Theth reshjet e dëborës kane vazhduar gjatë gjithë natës. Akoma nuk është ndërhyrë në zonën e orteqeve pasi vazhdojnë rrëshqitjet e dëborës. Momentalisht është e rrezikshme ndërhyrja në orteqe.

Ora 08:35
Trageti nga Brindisi mbërrin pa probleme në Portin e Vlorës, pas orës 16:00 pritet përkeqësim i motit

 

Kushtet hidrometeorologjike të parashikuara dhe kushtet aktuale të detit dhe erës janë përmirësuar në Portin e Vlorës. Anija pasagjere e linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë mbërriti normalisht.

Por pas orës 16:00 kushtet hidrometeorologjike pritet të përkeqësohen përsëri ne drejtimin jug-perëndim me dallgëzim deri në 7 ballë dhe me shpejtësi ere deri 15-20m/s brenda gjirit të Vlorës.

Ora 08:30
Moti i keq/ Anulohet lundrimi i trageteve nga Durrësi në drejtim të Barit dhe anasjelltas, shkak stuhia detare

1674027054_anulohen.JPG

Kompanitë e lundrimit kanë anuluar lëvizjen e trageteve nga Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas për shkak të stuhisë detare dhe dallgëzimit deri në 8 ballë.

Pritet që lundrimet të rifillojnë ditën e nesërme dhe pasagjerët do të rimbarkohen. Ata të cilët dëshirojnë të anulojnë udhëtimin e tyre, do të marrin mbrapshtë paratë e paguara për biletën.

Njëra prej kompanive ka njoftuar anulimin e udhëtimeve të planifikuara për mbrëmjen e sotme, përkatësisht:

Bari-Durrës në orën 22:00 dhe Durrës-Bari po në orën 22:00.

Ora 08:09
Reshjet e dëborës në Llogara, pastrohet dhe kriposet rruga! Asnjë problematikë në qarkullimin e mjeteve

Gjatë natës ka patur reshje dëbore në Llogara. Borëpastrueset kanë pastruar dhe kriposur rrugën duke mos u krijuar për asnjë çast problematika në qarkullimin e mjeteve. Kjo është debora e parë për këtë dimër në Llogara. 

Në zonë nuk mungojnë edhe patrulla të policisë për të mos krijuar pobleme në qarkullim dhe për mos lejuar levizjen e makinave pa u pajisur me mjetet përkatëse. Referuar edhe situates apo kushteve atmosferike priten sërish rreshje dëbore.

Ora 07:56
VIDEO/U përmbytën ditën e djeshme, mësimi vijon të jetë i pezulluar në dy shkolla të Lezhës! Tërheqja e ujit, lë pas dëme në banesa dhe biznese

Pavarësisht rënies së intensitetit të reshjeve të shiut, gjatë orëve të fundit, edhe gjatë ditës së sotme nuk po bëhet mësim në dy shkollat të cilat një ditë më parë ishin nën pushtetin e ujit, shkollat ‘Gjergj Kastrioti’ dhe ‘Besëlidhja’.

Ndërkohë uji është tërhequr në disa prej zonave të qytetit ku kishte probleme, por ka lënë pas dëme të konsiderueshme në banesa dhe biznese të cilat u përmbytën një ditë më parë.

Ora 07:53
VIDEO/Moti i keq, mbulohen nga dëbora malet në Krujë! Rruga për Qafshtamë e kalueshme me zinxhirë! Disa fshatra pa energji elektrike

Të gjitha malet në rrethin e Krujës janë të mbuluara nga dëbora, trashësia e së cilës varion deri në 15 cm. Rruga për Qafshtamë është aktualisht e kalueshme vetëm me zinxhirë. Sa i përket lumenjve, niveli i tyre është rritur ndërsa deri tani nuk paraqesin problem. Ndërkohë vijon problematika me energjinë elektrike. Disa fshatra kanë mbetur pa drita për shkak të dëmtimit të linjave ekzistuese.

S.C//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ops: 20/01/2023 09:39

    Rruga Arbrit e re miljona leke, thon ka ren bore kaloni mga rruga vjeter, mortja qe sju ha

    Përgjigju
  • Gjergj: 20/01/2023 08:47

    Dy pika ujè bien nga lart, ne pèrmbytemi. Dy flokè bore, ranè ditèt e fundit,,rrugèt tona janè tè pakalueshme. Shqiptarèt, dègjojnè "mrekullira" si arsyetime pèr gjèndjen. STUHI DETARE,,,,ORKAN MALOR etj etj, qè do tè thotè,,,,nuk kemi faj ne, na erdhi nga lart. Dimèr èshtè kudo nè europè sot. Vetèm nè Shqipèri dègjon broçkulla tè tilla.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?