Foto ilustruese

Moti, energjia nga Shqipëria dhe prodhime, tre faktorët që e shpëtuan Kosovën nga kriza energjetike dimërore

3 Shkurt 2023, 16:51| Përditesimi: 3 Shkurt 2023, 16:55

  • Share

Periudhën e sivjetshme dimërore (muajt e fundit të vjeshtës së 2022-tës dhe janarin dhe ditët e para të shkurtit të sivjetshëm) Kosova e tejkaloi pa ndonjë krizë të ndjeshme elektroenergjetike. Kjo nënkupton se nuk pati reduktime në shumicën e qendrave të Kosovës, ose pati fare pak ndërprerje të furnizimit me rrymë dhe nuk u shpenzuan shumë para për import të energjisë elektrike pasi që nuk u ndie mungesë e theksueshme e saj. Dhe duhet konstatuar që në fillim se ky stabilitet elektroenergjetik është arritur në sajë të punës evidente kontinuele dhe pa ndërprerje thuaja fare të termocentraleve të Kosovës (dy blloqeve të Kosovës B dhe dy të Kosovës A), në saje të motit të mirë dhe goxha të ngrohtë për këtë periudhë kohore si dhe falë një sasie të vlefshme të energjisë elektrike nga Shqipëria, të cilën KEK-u që nga fundi i nëntorit të vjetshëm e deri tani e ka marrë nga KESH, si kthim borxhi, energji kjo të cilën KEK-u ia kishte huazuar KESH-it gjatë muajve të verës, kur kishte goxha teprica nga prodhimi i kapaciteteve tona.

Me fjalë të tjera, freskimi goxha i detajuar teknik i blloqeve B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 dhe A4 të Kosovës A gjatë vitit të kaluar, ka ndikuar shumë në punën e mirë dhe në prodhimin kontinuel dhe tashmë të standardizuar të këtyre kapaciteteve të stërvjetëruara realisht, duke arritur kuotat e planifikuara të prodhimit, madje edhe përtej tyre edhe gjatë këtyre ditëve të dimrit. Kështu, gjatë gjithë ditëve të këtij dimri, nga termocentralet e Kosovës që gjenden në prodhim, respektivisht nga blloku B1 dhe B2 të Kosovës B, që kanë bashkarisht kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet fuqia e secilit bllok është 260 megavat-orë dhe A3-shi dhe A4-shi të Kosovës A, me gjithsej 260 megavatë-orë, prodhohen diku afër 800 megavatëshit energji. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar këtyre ditëve me të reshura dhe me erë goxha intensive plus më së paku rreth 100 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës).

Por, sasisë së energjisë elektrike të prodhuar në termocentralet e KEK-ut në vazhdimësi me javë dhe muaj, thuaja në sasi standarde (rreth 800 megavatë-orë), duhet shtuar edhe një sasi e konsiderueshme e energjisë elektrike që po vie nga Shqipëria në bazë të marrëveshjeve të këmbimit të rrymës mes dy vendeve, gjegjësisht që KESH po ia kthen borxhin KEK-ut, që ky i fundit gjatë muajve të verës dhe në orët e natës ka deponuar në sistemin elektroenergjetik shqiptar.

Tani, Shqipëria ka goxha teprica të energjisë elektrike, që ia kanë mundësuar reshjet e shumta të javëve të fundit. Reshjet e shumta dhe të zgjatura në fund të nëntorit në rajon (vë vendin tonë, në shtetet fqinje dhe sidomos në Shqipëri), ishin tejet dobiprurëse dhe përmirësuan ndjeshëm bilancet energjetike të vendeve që kanë më shumë hidrokapacitete elektroenergjetike. Këto reshje kanë ndikuar më së shumti në përmirësimin e gjendjes energjetike në Shqipëri, ku vrullshëm dhe brenda disa ditësh, praktikisht u mbushën akumulimet e ujit në kaskadën e Drinit, duke ua bërë të mundshme hidrocentraleve të Shqipërisë prodhimin maksimal të rrymës.

Në saje të ujërave të bollshme, sistemi elektroenergjetik shqiptar, qëkur u mbushën me ujë bazenet në kaskadën e Drinit, nisi edhe të eksportojë një sasi të mirë të rrymës, t’i kthejë borxhet në rrymë dhe zuri ta përmirësojë gjendjen financiare, të rënduar nga importet në sasi të mëdha të rrymës për nevojat e veta gjatë kohëve kur nuk kishte ujë të mjaftueshëm. Vetëm gjatë janarit të këtij viti, sipas njoftimeve që vijnë nga Shqipëria, KESH-i ka realizuar rreth 15 milionë euro nga eksporti i rrymës.

KEK-u, siç ka raportuar disa herë Buletini Ekonomik, gjatë ditëve të verës dhe sidomos gjatë orëve të natës, kur nevojat e Kosovës ishin më të vogla se konsumi, i ka dhënë hua, ose ka deponuar në KESH diku afro 150 mijë megavatë-orë. Skënder Bucolli, zëdhënës në KEK, ka thënë sot për Buletinin Ekonomik, se nga KESH-i sot është planifikuar të merreen diku mbi 800 megavatë-orë, ndërsa gjatë ditës së djeshme (2 shkurt) nga sistemi elektroenergjetik shqiptar KEK-u ka marrë gjatë tërë ditës nga 1024 megavatë-orë.

Nga të dhënat shihet se nga stabilizimi i gjendjes elektroenergjetike në Shqipëri këto ditë ka përfituar edhe Kosova. Duke pasur shumë energji dhe përtej nevojave të konsumit të vet, Korporata Energjetike Shqiptare (KESH), ka javë e ditë që po vazhdon t’ia kthejë borxhin Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK-ut), dhe në këtë mënyrë Kosova edhe po ka thuajse energji të mjaftueshme për konsumin e vet të shtuar ndjeshëm, edhe nuk ka shumë nevojë për import. Dhe e tërë sasia, edhe prodhimi nga kapacitetet vendore edhe energjia e rikthyer si borxh nga Shqipëria po i ofrohet KEDS-it, ndërsa një sasi e vogël i dedikohet Termokosit si energji termike për ngrohjen qendrore të Prishtinës.

Sipas zyrtarëve të KEDS-it, gjatë këtyre ditëve, e sidomos në ditët kur pati temperaturë goxha të ftohta, në kohën e orëve të pikut, konsumi i Kosovës ka shkuar edhe deri në 1.100 megavatë-orë dhe përtej. Ndërsa, gjatë orëve të ditës, konsumi sillet nga 900 deri në 950 megavatë-orë.

Sasia e energjisë elektrike, e konsumuar nga konsumi i vendit, sidomos gjatë orëve të pikut, është më shumë se energjia elektrike që prodhohet në kapacitetet tona (2 blloqe të termocentraleve Kosova A dhe 2 tjera të Kosovës B dhe nga burimet e rinovueshme). Me raste, kur si pasojë e lëvizjeve të motit, në orët e pikut konsumi i Kosovës shkon përtej sasisë së rrymës që prodhohet në vend dhe sasisë që sigurohet nga Shqipëria. Dhe, kjo diferencë, që sivjet në të shumtën ishte sasi fare e vogël, importohet nga KEDS-i. Duhet thënë se deri tash edhe çmimet e energjisë së importuar kanë qenë ndjeshëm më të ulëta se sa ato në vitin e kaluar, dhe nuk ka qenë ndonjë problem i theksueshëm për ta siguruar atë.

Sot (3 shkurt), çmimi i një megavati të energjisë elektrike në bursën ndërkombëtare të Hungarisë- HUPX, prej nga e importon më shumë rrymën KEDS-i, gjatë orëve të ditës ishte 149,65 euro, ndërsa në orët e pikut çmimi i një megavati sot ishte 172,35 euro. Këto çmime kanë qenë përafërsisht edhe dje në këtë bursë ndërkombëtare të energjisë, kur gjatë ditës një megavat ka kushtuar 152,26 euro, ndërsa në orët e pikut 170,23 euro./Buletini Ekonomik

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?