Edhe pse qytetarët Kukësianë janë të përgatitur për përballimin e të ftohtit polar që pritet të vijë në ditët në vijim, ngrohja me dru zjarri do të jetë e vështirë për ta.
Kjo për shkak të konsumimit të tyre ndërkohë që çmimi në tregun e zi është rritur deri në 4 mijë lekë të reja në prag të nisjes së motit me temperatura të ulëta dhe ngrica.
Ndërsa për ngrohje me energji as nuk bëhet fjalë për shkak të çmimit dhe ndërprejeve të saj.
"Ngrohemi me dru më shumë se me energji nuk ja dalim. Drutë me pakicë janë se kanë shkuar shtrenjtë. 30 mijë të vjetra metër kubi. Masat i kemi marrë, inshallah kalojmë."-shprehet një qytetar.
"Dimri është i gjatë, nuk jemi të kompletuar me dru, ushqime, ka mangësi se skemi të ardhura. Nëse vazhdon kështu do ketë shumë probleme populli. Energjia është shtrenjt. Çmimi i druve 35 mijë dhe nuk janë të plota. Po mbajti kështu, do kemi probleme"-deklaroi një tjetër qytetar i Kukësit.
Ndërsa një tjetër gjithashtu theksoi se nuk e përdorin energjinë elektrike për ngrohje, por vetëm për të larë rrobat dhe për të gatuar ushqimin.
"Edhe gazin e marrim për të gatuar. 40 mijë bëjnë drutë. Të jemi shëndoshë e mirë."-tha një qytetar.
Rritjen e çmimit e pohon edhe një qytetar tjetër.
“Si të kesh dru, nxehesh, nëse ske, nuk ngrohesh. Nuk e kemi sasinë e mjaftueshme.”-tha një tjetër.
Në qytetin e Kukësit gjatë dimrit harxhohen më shumë se 15 mijë/metër kub dru zjarri nga familjet. Çmimit të lartë i bashkëngjitet pamundësia për të siguruar dru në treg si pasojë e shtrëngimit te masave të shërbimit pyjor. Policia ka ndaluar shpesh banorët e zonave te thella të cilët kanë tentuar të zbresin në qytet dhe të shesin dru zjarri për ngrohje.