Indi- Moti vijon të shkojë nga ekstremi në ekstreme, me vapë të padurueshme, por edhe me stuhi dhe përmbytje katastrofike.
Dhjetëra njerëz rezultojnë të zhdukur në një fshat në Indi, pas përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm që përfshinë rajonin. Një raport fillestar sipas BBC, thotë se katër persona kanë vdekur dhe më shumë se 50 rezultojnë të zhdukur. Më shumë se 10 persona janë bllokuar në rrënojat e ndërtesave të rrëmbyera nga përmbytjet.
Por ajo që tronditi ishin edhe pamjet e frikshme të filmuara nga kjo katastrofë natyrore. Sasi të mëdha uji, gurësh dhe balte në një kohë të shkurtër, që shkaktoi një lumë balte që përshkoi fshatin Darali në shtetin e Uttarakhand. Është një fshat turistik me disa hotele dhe bujtina për pelegrinët.
Dëshmitë e banorëve tregojnë se të paktën 20 vende akomodimi u rrëmbyen nga ujërat. Ekipet e ushtrisë dhe të shpëtimit kanë mbërritur në fshat për të gjetur të zhdukurit.
Dëshmitarë okularë në një fshat aty pranë që filmuan pamjet dramatike mund të dëgjohen duke bërtitur, fishkëllyer dhe duke thirrur "vraponi, ikni", por ishte e vështirë për këdo që të shmangte valën e papritur të baltës.
Darali ndodhet dy kilometra nga Harsil, ku ndodhet një bazë e madhe ushtarake indiane, si dhe një bazë për grupet paraushtarake. Megjithatë, puna e shpëtimit është e vështirë për shkak të shirave të vazhdueshëm.
Zona është malore dhe e prirur ndaj përmbytjeve. Dy vjet më parë, shirat vranë më shumë se 30 persona.
Komente
