Era e fortë shkakton 150 mijë lekë dëm në serat me luleshtrydhe në fshatin Kafaraj të Fierit! Dëmtohen edhe 150 ha sera me shalqi në Imshtë të Lushnjës

23 Prill 2022, 12:31| Përditesimi: 23 Prill 2022, 12:58

  • Share

Moti i keq me erë të fortë që ka përfshirë vendin ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin e bujqësisë në Fier dhe Lushnje. Fermerët thanë se janë shkatërruar të mbjellat me shalqi, pjepër dhe luleshtrydhe, ndërsa kanë humbur besimin se mund të dëmshpërblehen nga qeveria.

Dëmet përllogariten mbi 150 mijë lekë për secilën serë. Fermeri Fitim Lanaj foli për Report Tv duke thënë se nuk ka asnjë shpresë që të ndihmohet nga shteti pasi ka pasur dëmtime edhe më parë dhe nuk ka marrë asnjë qindarkë.

“Era na ka bërë shumë dëme dhe nuk presim asnjë ndihmë nga shteti. U përmbytëm këtu, erdhi ministria e bujqësisë, tha u takon për të marrë lekë. Erdhëm në Fier thanë nuk u takon. Era më ka bërë 1 dynym dëm. Nuk mbaj shpresë tek asnjëri. Duhet riparuar se prishet bima. Shteti po na gënjen, thotë ka punë mos ikni, ne jemi të detyruar të ikim”, tha Lanaj.

Ndërsa fermeri Zarif Hamataj u shpreh se janë përpjekur të marrin vetë masa pasi shteti nuk i siguron asgjë duke qenë se nuk është projekti i tyre.

“Na ka dëmtuar 1 dynym luleshtrydhe. Dhe bima është dëmtuar, po më shumë serat. I ka ikur plastmasi, janë dëmtuar domatet, shalqinjtë. Masat i kemi private, por çfarë shteti aman. Nuk sigurojnë ata, thonë bëj këtë projekt që them unë që të ta siguroj”, tha Hamataj.

Edhe në Imshtë të Lushnjes janë dëmtuar rreth 150 hektarë sera me shalqi. Fermerëve tashmë duhet të zëvendësojnë plastmasin dhe deri në 50% te bimëve te mbjella.

"I ka prishur era sot. Kam hedhur 2 milionë lekë investim. Bimët janë dëmtuar nga era. Shteti nuk na ndihmon fare, nuk e di ça do bëjmë", thotë fermeri Lindi Veliu.

"Është bërë dëm shumë i madh. Plastmasi është grisur. Bima po na thahet. Nuk po dimë ça të bëjmë, plastmasi duhet zëvendësuar nga  e para. Po bën dhe ftohtë, vështirë se mund të shpëtojnë bimët", shprehet fermeri Novruz Metushi.

Specialisti i bujqësisë, Stavri Mita shprehet se dëmet janë mjaft të mëdha.

"Të gjitha parcelat e mbjella me shalqi e pjepër janë dëmtuar maksimalisht. Kam folur me fermerët që të riorganizohemi dhe njëherë e të blejmë fidanë, plastmasë. Kemi 150 hektarë shalqi të mbjella. Janë dëmtuar fidanët, ato që janë mbjellë diku te 10 ditë më parë", u shpreh Stavri Mita.

Përveç dëmeve ekonomike, do të ndikojë dhe në daljen me vonesë të shalqirit e pjeprit në treg.

Deputeti Erion Braçe ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar, duke theksuar se thirrjet e tij për t'u marrë me ndryshimet klimatike, nuk janë dëgjuar nga qeveria. Ai kritikon qeverinë se ajo që bëhet janë vetëm lavde dhe se çdo gjë shkon mirë, ndërsa atë e akuzojnë se 'gënjen për t'i marrë vendin Fridës'.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?