184 pasagjerë kanë kaluar natën në tragetin "Rigel III" të kompanisë "Ventouris Ferries". Duhet të niseshin drejt Barit të Italisë mbrëmjen e së mërkurës në orën 23:00, por lundrimi është anuluar dhe pasagjerët janë njoftuar vetëm mëngjesin e sotëm se duhet të zbrisnin nga trageti dhe të qendronin në terminalin e portit të Durrësit.
Të tensionuar disa prej pasagjerëve treguan për Report tv se nuk dinë ende se kur do nisen drejt Barit, ndërsa kompania nuk i ka dëmshpërblyer për anulimin e biletave.
"U nisa dje nga Shkodra, preva biletën për tragetin " ventourisferries ". Në mëngjes mendova se isha në Bari, kur më thanë jemi në Durrës!! Unë do qëndroj këtu se nuk shkoj dot sërish në Shkodër se jam në moshë. Po pres këtu (terminal) dhe kompania nuk të kompenson! Do presim deri në 17:00 për të ndërruar biletën, shpresoj të nisemi sonte. Kompania duhet të organizonte diçka,së paku një drekë...",m thotë një pasagjer.
"Ne sot mëngjes jemi lajmëruar se nuk do nisemi për Itali. Do presim këtu, ata thonë nga dreka, por shpresojmë të nisemi nga darka. Jemi të dëmtuar, normale se njerëz pune jemi. Në orën 17:00 na kanë thënë hajdeni prapë për të ndërruar biletën, plus testin e COVID e paguam 30 euro edhe pse i kemi bërë vaksinat. Edhe këtu do shpenzojmë para për të ngrënë për të pirë. Fare fare s'dimë gjë ca do bëhet. Jemi të bllokuar përpos shpenzimeve edhe koha e shkuar dëm", shprehet një tjetër.
Report Tv kontaktoi në telefon Drejtorin e Kapitenerisë, Paulin Ndreu i cili tha se " trageti Rigel III, i kompanisë "Venturis Ferries" nuk u lejua të nisej nga Durrësi për shkaqe sigurie. Trageti është përplasur me kalatën Nr.8 dhe u ça disa orë para se të nisej drejt Barit. Për pasojë, udhëtarët, një pjesë u rimbursuan nga agjencitë detare të biletave dhe një pjesë tjetër qëndron në port në pritje për nisur mbrëmjen e së enjtes me tragetin tjetër "Rigel VII".
Ndërsa trageti tjetër i kompanisë"Adria Ferries"Golden Bridge u nis mbrëmjen e së mërkurës me tre orë vonesë për shkak të motit të keq. Për shkak të erës së fortë, deti është me forcë 7 ballë dhe janë pezulluar lundrimet për anijet e peshkimit.
Ky është incidenti i dytë në Portin e Durrësit pas atij të ndodhur pak ditë më parë, kur nga moti i keq në Portin e Durrësit u shkaktua një përplasje mes tragetit ‘Ventouris’ me anijen cargo 'Professor B'. Trageti i cili ishte nisur drejt Barit të Italisë mbante me vete 173 pasagjerë, 34 makina dhe 20 kamionë. Ngjarja ndodhi pak para mesnatës te bankina tregtare në Portin e Durrësit. Nga ngjarja nuk rezultojnë të lënduar ndërkohë për të drejtuar tragetin u deshën 2 rimorkiatorë në mënyrë që të kthehej në drejtimin normal. Pas rënies së rrezikut dhe kthimit në gjendje normale të tragetit, 2 rimorkatorët e kanë shoqëruar tragetin 'Ventouris' drejt bankinës tregtare. Udhëtimi me destinacion Barin u nis me disa orë vonesë.
Ministria e Infrastrukturës njoftim zyrtar për mosnisjen e tragetit 'Rigel III'. Ajo njofton se anija u përplas në port.
"Në datë 9.12.2021, rreth orës 01:43, në terminalin e trageteve në Portin e Durrësit, gjatë manovrave për të dalë nga porti, trageti i linjës Bari-Durrës, "RIGEL III", si pasojë e keqfunksionimit të sistemit të transmetimit të komandës, ka goditur kalatën nr.8 në pjesën e kiç në bordin e djathtë, duke shkaktuar një dëmtim dhe çarje të skafit.
Autoritet përkatëse morën masat në vazhdimësi, në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese në port, për menaxhimin e situatës me pasagjerët, duke i sistemuar gjatë natës në dhoma dhe qëndrim të sigurtë në kalatë në terminal. Agjencia detare ka kompensuar pasagjerët për biletat që kishin prerë dhe ka mundësuar nisjen e tyre me tragetin “RIGEL 7” sot në mbrëmje! Është ngritur grupi i punës për hetimin e incidentit të ndodhur dhe u morën masa për riparimin e dëmeve", thuhet në njoftim.