Përmbytje të mëdha në rajonin e Marche në Itali, 10 të vdekur dhe 3 të zhdukur! Shpallet gjendje e jashtëzakonshme, qeveria 5 milionë euro ndihmë (FOTO+VIDEO)

16 Shtator 2022, 08:36| Përditesimi: 16 Shtator 2022, 22:58

  • Share

Dhjetë persona kanë humbur jetën, tre janë zhdukur dhe 50 janë plagosur nga përmbytjet masive në Marche të Italisë. Mediat italiane raportojnë se zonat më të prekura janë në provincën e Ankonës, dhe Alto Pesarese, në kufi me Umbria.

Të paktën katër viktima janë në Ostra (Ankona), një në Trecastelli (Ankona), një në Bettolelle (Ankona) dhe dy në Barbara (Ankona). Të gjithë jetonin në territoret ka ku kalon lumi Misa, i cili ka dalë nga shtrati në disa pika, përfshirë qendrën e Senigallisë. Nga 4 personat që rezultojnë të zhdukur janë dy fëmijë, si edhe një nënë me foshnjën e saj që thuhet se i ka marrë me vete furia e ujit dhe baltës ndërsa ndodheshin në makinë.

Bashkia e Cantiano, një qytet me pak më shumë se 2 mijë banorë në provincën e Pesaros dhe Urbinos, ishte vendi që u godit më shumë nga përmbytjet, pasi shirat e dendur kthyen rrugët në përrenj të, duke tërhequr zvarrë makinat. Alarmi erdhi fillimisht në Cantiano, një qytet me rreth 2000 banorë, më pas në të gjithë provincën e Ankonës. Jemi ende në kërkim të një fëmije, nëna e cila u përplas me makinë teksa ishte me djalin e saj shpëtoi por ende nuk ka asnjë gjurmë të foshnjës

“Riccardo Pasqualini, kryetari i bashkisë Barbara, një komunë në provincën e Ankonës, lutet dhe fton qytetarët e saj të mos largohen nga shtëpitë e tyre. Ai u bën thirrje qytetarëve në Facebook, thërret të gjithë ata që njeh. Zoti na ndihmoftë! Bisedoni me zjarrfikësit, karabinierët, mbrojtjen civile. Sapo ka kaluar ora 23:30 e së enjtes. Më e keqja nuk ka ardhur ende”, tha Pasqualini.

Një dëshmitar, një burrë që i shpëtoi vdekjes pasi u ngjit në një pemë pranë Molino Mariani në Barbara (Ankona) kishte parë "një makinë me nënë dhe djalin brenda, të tërhequr zvarrë nga lumi Mise".

Operacionet e shpëtimit janë të koordinuara nga prefektura Pesaro-Urbino dhe po operojnë në kushte komplekse: zjarrfikësit, karabinierët dhe vullnetarët e mbrojtjes civile kanë qenë në punë për orë të tëra. Pra gjithë natën. Të premten shkollat ​​e të gjitha niveleve do të mbyllen në të gjitha bashkitë e zonës së prekura nga moti i keq.

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi do të udhëtojë sot në rajonin Marche, ndërsa presidenti Francesco Acquarol e cilësoi ngjarjen si “tragjedi të përmasave të mëdha”,

Moti i keq mund të bëjë një “pushim” të përkohshëm sot, por stuhi të reja pritet të godasin nesër të njëjtat zona. 

Pas përmbytjeve masive në rajonin e Marche të Italisë, qeveria do të alokojë 5 milionë euro për nevojat imediate. Ndërkohë qeveria ka shpallur në vend gjendjen e jashtëzakonshme.

Ora 22:51
Babë e bir u mbytën në garazh, si humbën jetën 10 personat nga përmbytjet në Itali! 2 fëmijë të zhdukur, nënës i merr rrjedha e ujit 8-vjeçarin nga duart (FOTOT)

Përmbytjet në Itali shkaktuan vdekjen e 10 personave, ndërsa 3 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Të gjitha viktimat janë identifikuar. Babë e bir, Giuseppe dhe Andrea Tisba, 65 dhe 25 vjeç, humbën jetë si pasojë e përmbytjeve pasi u bllokuan në garazh. Ata donin të merrnin makinën e tyre, por nuk mundën të dilnin gjallë nga garazhi. Andrea ishte 25 vjeç, kishte mbaruar studimet për Inxhinieri, ndërsa luante futboll për ekipin vendas.

Ai ishte i pari që doli jashtë dhe u fut në garazh, ndërsa babai i tij, shkoi për ta ndihmuar, por ata u mbuluan nga uji dhe balta, duke mos mbijetuar dot. Në po të njëjtin garazh, humbi jetë edhe miku i tyre Diego Chiappetti , 51 vjeç. Ai ishte i martuar me dy fëmijë. Chiappetti kishte zbritur për të marrë veturën por nuk mbijetoi dot nga vala e ujit që vërshoi në garazh.

Viktimë ka mbetur edhe 84-vjeçari Fernando Olivi, nga Ostra. Ai humbi jetën në shtëpinë e tij në kat të parë, pasi banesa u përmbyt nga uji. Për fat të keq, uji që u fut me vrull në shtëpi, theu xhamat e katit të parë, si edhe rrëzoi mobilet, duke i rënë sipër 84-vjeçari, i cili ndërroi jetë.

I pajetë u gjet edhe 42-vjeçari Ennaji Mohamed, me origjinë nga Afrika e Veriut.  Në Trecastelli, një qytet tjetër në provincën e Ankonës, një grua e moshuar mbi shtatëdhjetë vjeç, Maria Luisa Sereni, humbi jetën, e bllokuar në bodrumin e shtëpisë së pushtuar plotësisht nga uji.

Edhe Erina Febi, 75 vjeç, u gjet e vdekur në Barbara, e cila jetonte me partnerin e saj të moshuar në katin përdhese të një shtëpie private. 75-vjeçarja po përpiqej të mbyllte dritaren, por humbi jetën.  

“Ishim lart dhe dëgjova Rinën të bërtasë thotë Vale, një grua 41-vjeçare me origjinë shqiptare, e fejuar me nipin e çiftit. Ne i thamë “hajde të ngjitemi menjëherë lart”. Gjyshi u kthye për të marrë Rinën por ajo kishte humbur jetën. Lëre i thash, të shkojmë lart. Në atë moment uji kishte ardhur deri këtu dhe nuk mund të bënim asgjë. Gjithçka ndodhi në një kohë të shkurtër."

Ndërkohë, Në Brugnetto di Senigallia zjarrfikësit gjetën brenda në makinë të pajetë 89 vjeçarin, Gino Petrolati.

Edhe dy persona të tjerë kanë ndërruar jetë, ndërsa tre të tjerë janë të zhdukur, mes tyre dy të mitur. Njëri, 8 vjeç, ishte në krahët e nënës së tij, Silvia Mereu, e cila e kishte nxjerrë nga makina në përpjekje për të shpëtuar, por rrjedha e ujit ia mori të birin nga duart. Zjarrfikësit e gjetën Silvia Mereu të kapur pas një peme, ndërsa nuk ka ende asnjë gjurmë nga fëmija i saj, por kërkimet po vazhdojnë.

Gjithashtu në Barbara janë zhdukur nëna dhe vajza 17-vjeçare, Brunella dhe Noemi, ndërsa vëllai i saj Simone Bartolucci, 21 vjeç shpëtoi veten duke u ngjitur në një degë peme për rreth 2 orë.

Ora 22:16
Përmbytjet në Itali, shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Ankona dhe Pesaro

Pas përmbytjeve, Këshilli i Ministrave ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në një pjesë të territorit të provincave Ankona dhe Pesaro-Urbino.

Ora 22:13
Përmbytjet e mëdha në Itali, Draghi viziton rajonin e Marche: Do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme

Kryeministri i Italisë Mario Draghi mbërriti në Marche, në provincën e Ankonës, vendi ku 10 persona ndërruan jetë si pasojë e përmbytjeve masive.

"Është një fatkeqësi. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur." Kështu deklaroi kryeministri Mario Draghi gjatë një vizite në Pianello di Ostra.

"Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme - vazhdoi ai - Ju përqafojmë të gjithëve, jemi pranë jush dhe ju mund të mbështeteni tek ne".- tha ai.

Ora 22:11
Përmbytjet në Itali, rritet në 10 numri i viktimave, 3 persona të zhdukur

Numri i viktimave nga përmbytjet në Itali ka shkuar në 10. Të gjithë viktimat janë identifikuar, ndërsa 3 persona janë ende të zhdukur.

Ora 17:37
Përmbytjet në Itali, në të gjitha kampionatet e futbollit gjatë fundjavës do mbahet 1 minutë heshtje në nder të viktimave

Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Italian, Giovanni Malagò , ftoi Federatat Kombëtare të Sporteve, Disiplinat Sportive të Asociuara dhe Organet e Promovimit të Sporteve të mbajnë një minutë heshtje gjatë të gjitha ngjarjeve sportive që do të zhvillohen në Itali gjatë fundjavës, për të nderuar kujtimin e viktimat e përmbytjeve në rajonin Marche.

Kështu, në të gjitha kampionatet e futbollit që do të zhvillohen gjatë kësaj fundjave do të mbahet një minutë heshtje në nder të viktimave.

"Ne jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar nga ajo që ndodhi. Futbolli italian është me njerëzit e rajonit Marche dhe familjeve të viktimave. Ne jemi komunitete në gëzime dhe pikëllime, për këtë arsye do të mbajmë një mintutë heshtje në të gjitha kampet në fundjavë, Kjo tregon respekt për ata që po vuajnë nga fatkeqësia që ka goditur rajonin e Marche në orët e fundit”, tha presidenti i FIGC Gabriele Gravina.

Ora 17:28
Prefektura e Ankonës konfirmon: 9 të vdekur nga përmbytjet! 4 të zhdukur, mes tyre 2 fëmijë

Prefektura e Ankonës ka konfirmuar se nga përmbytjet në rajon Marche të Italisë janë 9 të vdekur dhe jo 10, siç u raportua në fillim. Dy prej tyre ende nuk janë identifikuar. Ndërkohë që 4 persona rezultojnë ende të zhdukur, dy prej të cilëve janë fëmijë

Ora 17:18
Përmbytjet masive në Marche të Italisë, qeveria alokon 5 milionë euro ndihmë imediate

Pas përmbytjeve masive në rajonin e Marche të Italisë, qeveria do të alokojë 5 milionë euro për nevojat imediate. Kjo u bë me dije nga kryeministri Mario Draghi pas vizitës që zhvilloi në zonën e përmbytur.

“Së pari dua të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e përmbytjeve në Marche dhe dua dhe për të gjithë të lënduarit. Kreu i Mbrojtjes Civile ndodhet në terren për të ofruar të gjithë mbështetjen e nevojshme nga qeveria. MKZH ka miratuar 5 milionë euro për nevojat bazë, qeveria do të bëjë çfarë të jetë e nevojshme”, shtoi Draghi.

Ora 14:01
Mario Draghi udhëton në rajonin e përmbytur në Ankona! Presidenti Acquarol: Tragjedi e përmasave të mëdha

1663330066_IMZGJB464ZLUPOAOM2MA3L7KKY.jpg

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi do të udhëtojë sot në rajonin Marche, në provincën e Ankonës ku 10 persona humbën jetën për shkak të përmbytjeve masive. Ai do të mbërrijë në zonat e prekura, për takimet operacionale me koordinimin e përpjekjeve të ndihmës dhe me autoritetet lokale.

Presidenti Francesco Acquarol, nga ana tjetër, e cilësoi ngjarjen si “tragjedi të përmasave të mëdha”, si edhe i është drejtuar kreut të Departamentit Kombëtar të Mbrojtjes Civile, Fabrizio Curcio, për të kërkuar zyrtarisht një gjendje të jashtëzakonshme në rajonin Marche, pas përmbytjeve të mbrëmshme.

Ora 12:42
Marche në Itali shndërrohet në ‘det’ nga përmbytjet, peshkopi: Nuk mësuam asgjë nga hera e fundit e ngjashme në 2014-n

Peshkopi Francesco Manenti tha për përmbytjet kastrastofike në Marche se nuk ishte nxjerrë asnjë mësim kur ndodhen herën e fundit, në vitin 2014.

"Kjo ishte edhe më e dhunshme. Erdhi papritur, shumë e dhunshme. Por ju nuk mësoni asgjë nga e kaluara?”, u shpreh ai.

Ndërsa, eksperti Bernardo Gozzini tha se përmbytjet ishin aq të befta sa ishte e pamundur të parashikoheshin.

Ora 09:42
Uji merr përpara makinat dhe përmbyt katet e para, pamje nga përmbytjet shkatërruese në Itali (VIDEO)

Lumenj dolën nga shtrati, katet e para të ndërtesave u përmbytën, makinat u tërhoqën zvarrë nga ujërat dhe 7 persona vdiqën e 3 janë të zhdukur si pasojë e përmbytjeve masive në Itali.

Videoja tregon pamjet nga përmbytjet shkatërruese në Marche, Cantian.

D.GJ//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?