Pas ditësh me temperatura përvëluese, një stuhi goditi Italinë veriore pasditen e së dielës, duke shkaktuar një viktimë në Milano dhe dëme të shumta në disa rajone. Stuhia shkaktoi erëra ciklonike, reshje intensive shiu dhe breshër, shoqëruar edhe me rrufe.
Një grua 63-vjeçare humbi jetën në Robecchetto, pasi u godit nga një pemë që u shemb për shkak të erës së fortë. Dy persona të tjerë u plagosën lehtë. Autoritetet morën masa për të parandaluar përmbytjen e lumit Seveso dhe për të mbrojtur zonën e Ponte Lambros.
Në Milano, u raportuan përmbytje, nënkalimet u mbyllën si masë paraprake dhe parqet u mbyllën për shkak të rrezikut të rrëzimit të pemëve. Trafiku hekurudhor u bllokua në mbrëmje kur një tren që udhëtonte në linjën Milano-Bologna u godit nga rrufeja pranë Melegnano dhe u ndal.
Në Piemonte, provinca më e prekur ishte Novara, ku era me shpejtësi deri në 80 km/orë shkatërroi çatinë e një pallati. Në Toskana u regjistruan mbi 27,000 rrufe brenda 12 orëve, ndërsa në San Gimignano ranë 60 mm shi për vetëm një orë. Edhe në Veneto, Campania dhe Puglia pati dëme nga moti i keq. Në Emilia-Romagna dhe Friuli-Venezia Giulia, pati përmbytje, degë të rrëzuara dhe ndërprerje të përkohshme të energjisë. Në zonat e Bolonjës dhe Parmës, disa nënkalime u mbyllën si masë paraprake.
Në Genova, pati një breshër dhe erëra të forta. Një burrë u plagos, por jo rëndë, pasi u godit nga një degë e rrëzuar ndërsa po udhëtonte me një skuter.
Matteo Zanetti, meteorolog në ARPA Lombardia, tha për La Repubblica se brenda një dite në Milano, ra gjysma e shiut të muajit.
“Deri në orën 20 të ditës së djeshme, në shumë zona të Lombardisë ranë nga 20 deri në 50 milimetra shi. Në Milano u arritën 40 milimetra. Mesatarja mujore e qytetit për korrikun është 70 milimetra. Pra, të dielën ra më shumë se gjysma e reshjeve që zakonisht bien gjatë gjithë muajit. Shpejtësia e erës ishte mes 60 dhe 80 kilometrave në orë në pjesën më të madhe të rajonit, përfshirë edhe zonën e Milanos, ndërsa në Bergamasca arritëm kulme deri në 90 kilometra në orë.”, u shpreh ai.
Alarmet
Sipas mbrojtjes civile, edhe sot Italia do të qëndrojë e ndarë nga pikëpamja meteorologjike: me tre rajone veriore (Lombardia, Veneto dhe Friuli Venezia Giulia) në alarm portokalli për stuhi të reja të mundshme që burojnë nga rrymat e ftohta që zbresin nga Europa veriore dhe nëntë të tjera (Liguria, Piemonte, Trentino Alto Adige, Toskana, Emilia-Romagna, Lazio, Umbria, Marche dhe Campania) në alarm të verdhë. Jugu përballet ende me temperatura përvëluese dhe disa vatra zjarri, sidomos në Sicili dhe Sardenjë. Nga mesi i javës, meteorologët parashikojnë kthimin e anticiklonit afrikan.
Lajm ne perditesim...
Komente
