Si pasojë e kushteve të përkeqësuara të motit ka patur vonesa në mbërritjen dhe nisjen e trageteve të linjës Durrës-Bari. Trageti “AF Marina” i parashikuar për lundrim mesditën e sotme nga Porti i Durrësit drejt Barit në Itali ka pezulluar nisjen deri në normalizimin e situatës.
Trageti “AF Franceska” do të kryejë lundrim pa pasagjerë si pasojë e kushteve të përkeqësuara metereologjike. Ndërsa trageti i Adria Ferries që vinte nga Bari me qindra pasagjerë në bord ka bërë një manovër të gabuar duke goditur tragetin e linjës Venturis Ferries. Siç shihet në pamjet që sjell Report Tv spirancat janë këputur dhe po punohet me ndihmën e rimorkiatotëve për t’i ankoruar në kalatë.
Në terminalin e kontenierëve proceset operacionale vijojnë normalisht dhe pa ndërprerje. Ndërkohë që është pezulluar përkohësisht puna në terminalin e mallrave gjenerale dhe atë rifuzo si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve intensive të shiut.
Vonesa janë shënuar dhe në Portin e Vlorës, ku trageti që mbërriti mbrëmë nga Brindizi iu nënshtrua kontrolleve nga Drejtoria e Kufirit. Për pasojë pasagjerët pritën mbi tre orë për të zbritur në terminal.
Ndërsa i njëjti traget do të nisej sërish sot ne mëngjes drejt Brindizit por mbeti në radë për shkak të motit të keq. Burime nga kapitaneria thanë se trageti do të tentojë të ankorohet sërish në orët e pasdites për të marrë pasagjerët që po presin prej disa orësh.
Ndërkohë është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla detare dhe peshkarexhave deri pasditen e 24 dhjetorit. Reshjet e shiut që kanë përfshirë Vlorën kanë sjellë dhe trafik të rënduar në Transballkanike dhe kryqëzimet e qytetit.
Reshjet intensive të ditës së sotme (23 Dhjetor) kanë lënë pa energji elektrike zonën e Libofshës, fshatin Qenas dhe rrethinat e tij në Fier.
Familje të tëra prej më shumë se dy orësh kanë mbetur pa energji elektrike, ndërkohë që temperaturat janë të ulëta.
Grupet e punës së OSHEE-së ndodhen në terren për riparimin e defekteve që janë të pashmangshme, sa herë ka mot me reshje të dendura.
Edhe qarku i Kukësit është prekur nga situata e motit të keq, ku ka pasur reshje dëbore dhe temperatura të ulëta.
Për këtë shkak Policia e Kukësit ka rritur prezencën e shërbimeve policore në akset rrugore urbane dhe rurale, për të këshilluar dhe ndihmuar drejtuesit e mjeteve.
Njëkohësisht po bashkëpunohet me pushtetin vendor dhe me firmat kontraktuese për mirëmbajtjen e rrugëve, si dhe me Njësinë Rrugore për Sigurinë e Autostradës Milot-Morinë, për të bërë të mundur rritjen e sigurisë në rrugë dhe pastrimin e rrugës nga dëbora.
Në të gjitha akset rrugore ka prezencë të reshjeve të dëborës.
“Akset rrugore “Bajram Curri-Valbonë” dhe “Kërrnaj-Pac-Shimshan”, për shkak të reshjeve të dëborës, kanë vështirësi në qarkullim”, njofton policia.
Policia apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve ‘të bëjnë kujdes, të reduktojnë shpejtësinë, të përdorin pajisjet dimërore dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor’.
Moti i keq ka përfshirë të gjithë vendin. Me anë të një njoftimi policia tregon se akset më problematike janë akset rrugore “Bajram Curri-Valbonë” dhe “Kërrnaj-Pac-Shimshan”, në Kukës, “Bogë-Qafë Thorë-Theth” dhe “Tamarë-Selcë-Vermosh”, në Shkodër.
Ndërkohë ka vështirësi në qarkullim edhe në akset rrugore “Bajram Curri-Valbonë” dhe “Kërrnaj-Pac-Shimshan”, në Kukës, “Bogë-Qafë Thorë-Theth” dhe “Tamarë-Selcë-Vermosh”, në Shkodër.
Aksi rrugor “Bypass-Qafë Murrizë”, në Dibër, aktualisht është i pakalueshëm, pasi firma kontraktore po punon për pastrimin e rrugës.
Blutë theksojnë gjithashtu se automjetet në akset rrugore në zonat malore të Shkodrës, Kukësit, Dibrës dhe Korçës duhet të kalojnë me zinxhirë, shoferët të jenë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore.
Ndërkohë borëpastrueset ndodhen në terren dhe vijojnë punën për pastrimin e rrugëve nga dëbora.
Moti i keq ka përfshirë edhe të gjithë qarkun e Korçës gjatë ditës së sotme (23 Dhjetor), duke krijuar edhe problematika të ndryshme për shkak të borë ssë rënë dhe temperaturave shumë të ulëta.
Duke qenë se territori i qarkut Korçë është përfshirë nga reshje dëbore, shërbimet e Policisë njoftuan se “janë në gatishmëri në të gjitha akset rrugore, për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve, në rast nevoje”.
Gjithashtu u dha edhe një informacion për situatën.
Akset rrugore “Boboshticë-Dardhë”, “Voskop-Voskopojë”, “Zvezdë-Pustec-Dogana Giricë, Korçë-Vithkuq” dhe “Qafë Qarr-Ersekë-Leskovik”, janë të kalueshme, pavarësisht se ka prezencë të dëborës.
Borëpastrueset janë në terren, për të mundësuar kalimin pa problem në të gjitha akset rrugore.
Policia e Korçës iu bën thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës, ‘që të shmangin lëvizjet e panevojshme në rrugë, të jenë të kujdesshëm dhe të përdorin pajisjet dimërore për automjetet e tyre, ndërsa në raste emergjence të kërkojnë ndihmën e Policisë në numrin 129”.
Në bypassin e rrugës së Arbrit është bllokuar qarkullimi për shkak të reshjeve të dëborës mbi 15 cm. Qarkullimi i mjeteve që kanë si destinacion Tiranën, do të bëhet nga aksi i vjetër rrugor Klos-Burrel-Ulëz. Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të qarkullojnë me zinxhirë. Borëpastrueset po punojnë për hapjen
“Për shkak të reshjeve të dendura të dëborës, aksi rrugor bypass-Qafë Murrizë, aktualisht është bërë i pakalueshëm. Firma kontraktor po punon për pastrimin e plotë të borës nga rruga dhe deri në përfundim të punës së tyre, qarkullimi i mjeteve që kanë si destinacion Tiranën, do të bëhet nga aksi i vjetër rrugor Klos-Burrel-Ulëz.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë në gatishmëri në të gjitha akset rrugore dhe apelojnë për drejtuesit e mjeteve që të mos qarkullojnë pa goma dimërore dhe zinxhirë, të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, të shmangin lëvizjet e panevojshme, të moderojnë shpejtësinë dhe të mos bëjnë manovra të rrezikshme në rrugë.
Në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 112”, njofton policia.
Një peshkarexhë është fundosur sot në basenin e portit të peshkimit në Durrës.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se anija me emrin “Gimi & Geri” ka qenë e ankoruar në kalatë, por për shkak të motit të keq, është mbytur në basen.
Po ashtu burimet informojnë se peshkarexha është në pronësi të një shtetasi nga Korça, por vitet e fundit nuk ka dalë në det dhe ka qëndruar e ankoruar në bankinë.
Lezha është përfshirë nga rrebeshe shiu të shoqëruara me erë të fortë. Shiu ka nisur prej orëve të para të mëngjesit dhe vijon të jetë prezent në te gjithe territorin. Kjo situatë ka krijuar prezencë uji në disa rrugë të qytetit dhe në aksin drejt Shëngjinit.
Në të gjitha akset brenda qytetit është krijuar kaos në lëvizje, ndërsa një numër i lartë i policisë rrugore dhe asaj të rendit janë angazhuar në pikat më problematike, për lehtësimin e qarkullimit.
Ndërkohë nga moti i keq është ndaluar dalja e mjeteve të vogla të peshkimit në det, pasi dallgëzimi është i lartë dhe përbën rrezik për lundrim.
Qyteti i Fierit është përfshirë ditën e sotme nga rrebeshe shiu të shoqëruara me erë të fortë. Reshjet kanë filluar me intensitet të ulët në orët e para të mëngjesit ndërsa aktualisht po bien me intensitet të lartë, raporton gazetarja Marsela Topi.
Nga burimet e informacionit nuk raportohen dëme apo përmbytje, ndërkohë që është vështirësuar qarkullimi i automjeteve. Me rastin e festave të fundvitit, trafiku në të gjitha akset kryesore është rënduar.
Nga reshjet intensive, deri në këto momente probleme me energjinë elektrike, ka vetëm në zonën e Frakullës, ndërkohë që grupet e punës janë në terren për të mundësuar rikthimin e saj.
Reshjet e dendura kanë përfshirë vendin ditën e sotme. Situata mund të jetë problematike në qytetin e Vlorës.
Për këtë autoritetet bëjnë thirrje për qytetarët të mos parkojnë makinat në disa zona me riskt të lartë, të cilat disa muaj më parë u përfshinë nga përmbytjet, si rruga Albano dhe Romina, zona te Biblioteka Publike, pranë Kishës Orthodhokse, në skelë dhe shkolla ‘Halim Xhelo’.
Njoftimi i Bashksië Vlorë:
Gjatë ditës së sotme, e hënë, 23 dhjetor, qyteti i Vlorës është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të lartë të cilat do të sjellin prurje të shumta ujërash.
Ju lutemi të tregoheni vigjilentë për çdo situatë dhe të respektoni thirrjet dhe këshillat e autoriteteve.
Bëni kujdes, mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë si:
"Albano&Romina"
Biblioteka Publike
Pranë Kishës Orthodhokse
Në "Skelë" te dykalimshi
Shkolla "Halim Xhelo"
Grupet tona të Ujësjellës Kanalizime dhe Bashkisë së Vlorës, janë në terren në monitorimin e situatës dhe në ndërhyrje sipas rastit nëse do të jetë e nevojshme.
Nëse hasni problematika nga reshjet e shiut me prezencë të ujit, na kontaktoni:
NUMRAT E TEL: 128, 129
FACEBOOK: Ujësjellës Kanalizime Vlore
INSTAGRAM: uk_rajoni_vlore
FACEBOOK: Bashkia Vlorë
Në Portin e Vlorës, mbrëmjen e kaluar (22 dhjetor) janë regjistruar vonesa të gjata dhe kontrolle intensive nga Drejtoria e Kufirit. Burime për Report Tv, bëjnë me dije se për më shumë se tre orë, zbarkimi i 164 makinave nga një traget është bllokuar, ndërsa mjetet janë kontrolluar një nga një.
Ndërkohë, vonesat në zbarkim kanë shkaktuar pasoja edhe për nisjen e tragetit drejt Italisë. Pas përfundimit të kontrolleve, trageti është vonuar edhe më shumë për shkak të hipjes së pasagjerëve dhe imbarkimit të automjeteve.
Përveç kësaj, kushtet e motit të keq kanë ndikuar në shkëputjen e tragetit nga rada, duke shkaktuar vonesa shtesë për pasagjerët që po prisnin nisjen.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një deklaratë publike për arsyet e kontrolleve apo për masat e marra për menaxhimin e situatës. Ndërkohë, trageti nuk është nisur ende për shkak të motit të keq.