Sociale

Era e fortë rrëzon të riun nga çatia në Berat, 26-vjeçares i bie në kokë depozita e ujit! Riaktivizohet zjarri në pikën e grumbullimit të mbetjeve! Në Shëngjin pezullohet lundrimi

31 Mars 2022, 20:34| Përditesimi: 31 Mars 2022, 21:12

  • Share

TIRANË- Moti i keq, me erë të fortë që është regjistruar ditën e sotme ka sjellë pasoja në disa qytete të vendit. 2 persona janë plagosur në Berat, ku 26-vjeçar ra nga çatia teksa po montonte panelin diellor, teksa 17-vjeçareje tjetër i ka rënë depozita e ujit sipër. Të dy janë dërguar në spital, ku po marrin kujdesin e duhur mjekësor.

Në Vlorë, u riaktivizua vatra e zjarrit në pikën e grumbullimit të mbetjeve të qytetit të Vlorës. Ndërkohë, po në qytetin bregdetar, është shembur nga era e fortë baza strukturore e kalçetos në Orikum, duke bërë që futbollistët e skuadrës të largohen me shpejtësi, por fatmirësisht nuk ka pasur pasoja.

Në Shëngjin, si pasojë e erës së fortë dhe detit me dallgë mbi 8 ballë është pezulluar lundimi në port deri në përmirësimin e situatës.

Ora 19:28
Era e ‘çmendur’ në Vlorë, ngre ‘në ajër’ kalçeton! Futbollistët po bënin stërvitjen ( VIDEO )

Është shembur nga era e fortë baza strukturore e kalçetos në Orikum, duke bërë që futbollistët e skuadrës të largohen me shpejtësi. 

Fatmirësisht nuk ka asnjë person të lënduar por fusha sportive ka pësuar dëme. Skuadra e Orikumit kishte zgjedhur të zhvillonte stërvitjen në kalçeto për shkak të situatës nga moti.

Ora 17:39
Era e fortë dhe deti me dallgë deri në 8 ballë, pezullohet lundrimi detar në portin e Shëngjinit

Moti keq me shi dhe erë të forte, ka detyruar kapitanerinë e portit të Shëngjinit që të pezulloje lundrimin detar.

Prej mesditës së sotme mjetet lundruese të të gjitha llojeve janë ankoruar në port.

Aktualisht shpejtësia e erës në det hapur është 20m/s si dhe dallgët e detit 7-8 ballë me drejtim jug/perëndim.

 

Ora 16:05
Berat/ Po montonte panelin diellor, era e fortë rrëzon 26-vjeçarin nga çatia, në gjendje të rëndë në spital! Një 17-vjeçareje i bie depozita e ujit sipër

Stuhia e fortë e erës që vijon ende në qytetin e Kuçovës, ka regjistruar 2 ngjarje të rënda aksidentale. Një djalë 26-vjeç, i cili ishte duke punuar për montimin e një paneli diellor në shtëpinë e një të afërmi të tij ka rënë nga soleta e shtëpisë nga era e fortë. Rrëzimi nga një lartësi rreth 3 metër i ka shkaktuar të riut nga fshati Tapi në rrethin e Kuçovës fraktura dhe shembje në të gjithë trupin.

Gazetarja e Report Tv, Mimoza Sinanaj mëson se Majkëll Vrapi është gjetur pa ndjenja në tokë dhe është transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat. Ai aktualisht ndodhet në sallën e operacionit në Repartin e Kirurgjisë, ndërkohë që mjekët deklarojnë se gjendja e tij është e rëndë.

Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në afërsi të Spitalit të Kuçovës. Si pasojë e stuhisë së fortë, një depozitë uji është shkëputur nga çatia dhe ka rënë sipër një vajze 17-vjeçe,që ishte duke kaluar në rrugë. Vajza me inicialet S.K është ngritur nga kalimtarët e rastit dhe është dërguar në spital. Edhe 17-vjeçarja ndodhet në Spitalin Rajonal të Beratit, ku po ekzaminohet nga mjekët. Ajo është jashtë rrezikut për jetën edhe pse me fraktura dhe plagë të shumta.

Ora 16:04
Era e fortë riaktivizon vatrën e zjarrit në pikën e grumbullimit të mbetjeve në Vlorë

1648735529_77d26487c5df4b03b8c1b2e11d46b58e.jpg

Era e fortë ka riaktivizuar vatrën e zjarrit në pikën e grumbullimit të mbetjeve në Vlorë. Lajmi konfirmohet nga burime për gazetarin e Report Tv, Armand Xhelili, teksa siç shihet në pamjet, në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse të cilët po përpiqen që të vënë në kontroll vatrën e zjarrit.

Fushës së mbetjeve iu vu zjarri 2 ditë më parë, gjatë orëve të para të mëngjesit, ku nga raportimet paraprake dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, pasi më parë mbeturinave i është vënë flaka nga persona që mbledhin mbetje plastike apo dhe hekurishte, që i djegin për të patur lehtësira në gjetjen e tyre.

Më herët, kryetari i bashkisë së Vlorës Dritan Leli, tha se ky është një problem i mbartur ndër vite që do t'i vijë fundi kur të përfundojë landfilldi i Sherishtës, për të cilin tha mund të përfundojë përpara nisjes së sezonit veror. 

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?