Temperaturat minus dhe dëborë, trageti i nisur nga Durrësi mbi 30 orë në det në Bari! Shumë zona mbeten pa energji e mësim (Situata në vend)

6 Shkurt 2020, 07:27| Përditesimi: 6 Shkurt 2020, 18:01

  • Share

Vijon ndikimi i masave polare duke diktuar mot të kthjellët por të ftohtë në të gjithë vendin. Herë pas here do të ketë kalime vranësirash, duke sjellë reshje dëbore në zonat malore. Pasditja dhe mbremja mbeten me kthjellime dhe vranësira të shpeshta në të gjithë vendin.

Temperaturat e ajrit janë ulur sërisht në mëngjes dhe mesditë duke luhatur vlerat ekstremale ditore nga -9°C në 8°C. Era do fryjë fortë me shpejtësi mbi 70 km/h nga drejtimi Verior-Verilindor duke krijuar në det dallgëzim 6 ballë.

Rajoni dhe Europa
Europa Jugore, Qëndrore dhe ajo Veriore paraqiten në ndikimin e masave ajrore me origjinë nga veriu i Kontinentit, të cilat sjellin kthjellime por temperatura të ulta. Ndersa vranësira dhe reshje shiu mbeten Brigjet e Egjeut, po ashtu reshje të dendura dëbore dhe stuhi ere vijon Europa Lindore.

Ora 15:24
Dëborë dhe ngrica, ARRSH: Në cilat akse të vendit duhet të lëvizni me zinxhirë

1580999212_foto1.jpg

Një pjesë e vendit është përfshirë nga dëbora dhe ngricat duke shkaktuar probleme me qarkullimin.

Autoriteti Rrugosh Shqiptar njofton mbi gjendjen e rrugëve duke theksuar se në disa akse duhet lëvizur me zinxhirë.

Në RajoninVerior akset Lusen-Bushtricë, Kuben-Vasie, vetëm 10 km e fundit, Qafë Dragalicë-Steblevë kalohet me zinxhirë.

Në Rajonin Qëndror nuk ka patur rreshje por në aksin Lunik-Steblevë rekomandohen zinxhirë prej ngricës.

Prezencë ngricash ka patur edhe në segmentet Krujë-Sarisalltik, Elbasan – Gjinar dhe rruga e “Qafë Krrabës”.

 Është bërë shpërndarja e kripës nga kontraktorët dhe po mbahen në monitorim të vazhdueshëm.

Në Rajonin Juglindor akset Boboshticë-Dardhë, në km 5–14 dhe Gërmenj-Leskovik rekomandohet kalimi me zinxhirë për shkak të erës së fortë.

Rajonin Jugor gjatë natës ka pasur reshje bore në Qarkun e Korçës, shoqëruar me erëra të forta në lartësitë mbi 900 m mbi nivelin e detit.

Është bërë pastrimi dhe kriposja e aksit dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë.

Rekomandohet që përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje, të përdorin zinxhirë në segmentet e rekomanduara, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Foto nga ARRSH
Ora 13:17
Pamje piktoreske, Peshkopia e zbardhur nga dëbora, por 40% të fshatrave mbeten pa energji

Qyteti i Dibrës është zbardhur nga dëbora ditën e sotme duke krijuar pamje piktoreske. Por pavarësisht kësaj, bora e dendur ka krijuar edhe probleme. Burime për Report Tv bëjnë e dije se rreth 40% e zona e të thella të qarkut të Dibrës kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë zonat më problematike janë Arras, Ostren, Trebicë e Lura.

OSHEE është në terren por era e fortë nuk mundëson ndërhyrjen. Për të bërë të mundur qarkullimin në terren kanë dalë borëpastureset. Në Lurë rruga  është e izoluar dhe nuk komunikon me Dibrën. Qarkullimi bëhet vetëm nga pjesa e Rrëshenit.

Ora 13:04
Bora lë pa energji disa zona në Elbasan, shefi i Emergjencave: Po punohet për riparimin e kabinave elektrike (VIDEO)

Reshjet e dëborës kanë shkaktuar problem në Elbasan një natë më parë, ku 3000 familje mbetën pa energji elektrike, ndërkohë që defekti u riparua por megjithatë sipas shefit të Emergjencave në Prefekturën e Elbasanit ka sërish probleme me energjinë në disa zona.

 "Kemi komunikuar me firmat e mirëmbajtjes së rrugëve. Në datë 5 nisën reshjet e dëborës, në Elbasan, Librazhd e në Prrenjas. Akset rrugore kanë qenë të hapura pa probleme. Furnizimi me energji, fillimisht patëm një problem e energjinë por më pas u riparua defekti. Në ato segmente me ngricë firmat kontraktuese ti trajtojnë me kripë. Kemi komunikuar me specialistët që të udhëzojnë shoferët që të marrin zinxhirë. Nga OSHEE kemi në Prrenjas dhe Librazhd disa familje pa energji. Ka patur probleme në disa kabina." tha Arapi.

Situata në qark paraqitet e normalizuar ditën e sotme dhe nuk ka rrugë nacionale te bllokuara.

Ora 13:00
Kukës/ Dëbora izolon disa fshatra, në shumë shkolla sot nuk zhvillohet mësim (VIDEO)

Në shumë shkolla të Kukësit nuk është zhvilluar procesi mësimor. Reshjet e dëborës dhe erërat e forta kanë bllokuar disa akse rrugore të njësive Bushtrice, Shishtavec e Zapod e si rrjedhojë nuk është arritur të kryhet transporti i mësuesve. Drejtori i zyrës arsimore Skënder Ahmeti thotë për Report Tv se komunikimi me këto njësi është i vazhdueshëm dhe po këshillohet personeli se si do të operohet në vijim.

"Procesi mësimor në shumicën e shkollave është në kushte normale. Probleme kemi patur në Shishtavec, Zapot dhe Bushtricë. Në shumë shkolla nuk është bërë mësim për shkak të dëborës, por edhe për shkak të një ere shumë të fuqishme. Sot në dy linja që mbulojmë transportin e mësuesve nuk kanë shkuar dot . Drejtuese kanë marrë masat që në të gjitha shkollat të priten ata nxënës dhe tu krijohet ngrohje si dhe te kthehen në shtëpi nën kontrollit nga mësuesit. " tha Ahmeti.

Ora 09:33
Moti i keq pezullon linjën Korfuz-Sarandë, trageti i Vlorës niset drejt Brindisit

Në Sarandë për shkak të dallgëzimit tragetet e linjës Korfuz - Sarandë dhe anasjelltas sot nuk  lëvizin. Dallgëzimi është 4-5 ballë duke e bërë të pamundur lëvizjen. Ndërkohë që në Vlorë sot ka rinisur punën trageti i linjës së Brindisit, ndërsa peshkarexhat nuk lejohet të dalin deri në datë 8 shkurt.

Ora 09:26
Korça e mbuluar nga dëbora, Qafa e Qarrit e kalueshme, Dardha me zinxhirë (FOTO-VIDEO)

Edhe Korça është mbuluar nga dëbora. Në qytet trashësia e dëborës është nga 5 -10 cm dhe 25-30 cm në zonat malore. Rruga për në Dardhë është e  kalueshme me zinxhirë nga kilometri 5 deri te 14, vështirësi ka pasur edhe në Qafën e Qarrit por është punuar gjatë natës për hapjen e rrugës dhe kriposjen. Të gjitha akset e tjera janë të kalueshme pa zinxhirë me përjashtim të Dardhës.

Ora 09:24
Dibër/ Moti i keq lë pa energji disa fshatra, probleme edhe me qarkullimin e makinave

1580978605_dibra.jpg
Edhe qarku i Dibrës është përshirë nga moti i keq gjatë dy ditëve të fundit. Trashësia e dëborës ka arritur në disa centimetra, ku nuk kanë munguar as problemet me qarkullimin e makinave në rrugë për shkak të ngricave dhe lagështirës. ndërkohë disa zona të thella të Dibrës kanë mbetur pa energji elektrike prej 24-orësh.

Ora 09:23
2 metra dëborë, Shishtaveci dhe Topjani në Kukës prej 48 orëve pa energji (FOTO)

Prej dy ditësh qarku i Kukësit është përshirë nga moti i keq. Reshjet e shumta të dëborës kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve por edhe me furnizimin me energji në Shishtavec dhe në Topojan. Këto fshatra ka prej 48 orësh që kanë mbetur pa energji ndërkohë që bora në të dy Njësitë Administrative ka arritur në 2 metra.  Për pasojë e temperaturave të ulëta dhe dëborës së madhe në Shishtavec nuk  zhvillohet mësim.

Situata aktuale në Qarkun Kukës për datë 06.02.2020:

Moti sot është karakterizuar me reshje bore me intensitet të ulët e i shoqëruar me erëra të forta me shpejtësi deri në 10 m/s V-L.

Ne Qarkun e Kukesit gjendja e rrugëve nacionale është:

1-Rruga Kukes-Vasie e  kalueshme pa probleme (segmenti rrugor Kthesa Domaj- Vasije pjesërisht me zinxhire ), në këtë drejtim po punojnë dy borepastruese .

  2-Rruga Kukes -Ura e Zapodit  e kalueshme pa zinxhire. Në këtë drejtim po punon një  borepastruese.

3-Rruga Kukës Fushë Dukagjin Qafë Shllak  e kalueshme pa zinxhire . Në këtë drejtim po punojnë  dy borepastrueseve

4-Rrugët  Kukes -Krume -Kam dhe Krumë - Qafë Prush janë të kalueshme pa zinxhira .Në këto drejtime po punojnë  pesë borepastruese dhe dy Fadroma.

5-Rrugët Kam- B.Curri ,B.Curri-Qafë Morinë, B.Curri Firerzë dhe B.Curri- Valbonë janë të kalueshme pa zinxhire .Kanë punuar dhe po punojnë në këto akse rrugore 8 borëpastruese e 2 Fadroma.

Situata në rrugët bashkiake është si më poshtë :

Në bashkinë Kukës rrugët në administrim të saj në përgjithësi janë të qarkullushme me përjashtim të segmentit Surroj-Arrën.

Në bashkinë Tropojë e Has të gjitha rrugët bashkiake janë të qarkullushme   pjesërisht me zinxhire.

Kapacitetet e firmave kontraktore e të bashkive janë në gatishmëri gjatë gjithë kohës për ndërhyrë.

Komisioni i Mbrojtjes Civile po ndjek dhe monitoron gjatë gjithë kohës situatat që po zhvillohen si rezultat i kushteve të motit.

Ora 08:29
Trageti s'ankorohet në Bari për shkak të motit të keq! Shqiptarët e nisur Durrësi mbi 30 orë në det

Në portin detar të Durrësit tragetet e linjës me Barin vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuar sepse porti i Barit vazhdon të qëndrojë i mbyllur si pasojë e motit të keq, pasi shpejtësia e erës është 70-75 km/orë me drejtim nga veriu.

Tragetet që u nisën dy net më parë nga porti i Durrësit vazhdojnë të qëndrojnë në radën e jashtme të portit të Barit. Porti i Durrësit funksionon për anijet e tonazhit të lartë.

Anijet e tonazhit të vogël dhe peshkatoret vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara në port pasi nuk e përballojnë detin me forcë 7 ballë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?