Gran Prix për Çmimin e Madh të Amerikës në MotoGP do zhvillohet këtë të diel në 16 prill në orën 9:00 në Austin. Tanimë janë konfirmuar edhe mungesat e para në këtë cirkuit. Spanjolli i Honda, Marc Marquez dhe italiani i Ducati, Enea Bastianini do jenë jashtë.
Marquez është operuar dy javë më parë, teksa nuk mori pjesë as në garën e Argjentinës, duke munguar sërish. Kontrolli mjekësor që 8 herë kampioni i botës bëri dje nuk dha rezultate pozitive, duke e detyruar të ngrejë “flamurin e bardhë”. Ende nuk ka një datë të saktë për rikthimin e tij, por piloti vijon fazën e rehabilitimit.
Do të mungojë edhe Bastianini, që deklaroi tërheqjen pas operacionit në shpatull. Italiani bëri një test në pistë gjatë ditës së sotme por pa rezultat, pasi kishte ende dhimbje. Ai do të zëvendësohet në këtë garë nga Michele Pirro.