Gara e sotme e MotoGP

Sport

MotoGP/ Marc Marquez triumfon në Misano dhe është një fitore larg titullit kampion

14 Shtator, 16:17| Përditesimi: 14 Shtator, 16:18

  • Share

SAN MARINO - Marc Marquez nuk gaboi këtë herë dhe i dhuroi vetes një fitore të madhe në Çmimin e Madh të San Marinos, duke dominuar pistën e Misanos në një garë plot intensitet dhe emocione.

Piloti spanjoll i skuadrës Ducati e menaxhoi në mënyrë perfekte sfidën, ndryshe nga dita e djeshme, kur pati një rrëzim në sprint. Sot, ai e përmbylli garën pa gabime dhe me një ritëm të jashtëzakonshëm, duke marrë fitoren që e afron edhe më shumë me titullin kampion për sezonin 2025.

Pas tij, në vendin e dytë u rendit Marco Bezzecchi me Aprilia, i cili zhvilloi një garë të fortë dhe nuk e la Marquezin të qetë deri në vijën e fundit. Dueli i tyre ishte kulmi i garës, me dy pilotët që luftuan “rrotë më rrotë” për disa xhiro radhazi. Në vendin e tretë u ngjit një tjetër spanjoll, Alex Marquez, vëllai i madh i kampionit të garës, që garon për Ducati Gresini, duke kompletuar një podium me dominim të qartë iberik.

Ndërkohë, fundjavë për t’u harruar për kampionin në fuqi Francesco Bagnaia, i cili u detyrua të tërhiqej pas problemeve në motor. Piloti italian nuk ishte në formën e tij më të mirë dhe tashmë rrezikon seriozisht të humbasë fronin.

Pas tij, Franco Morbidelli dhe Fabio Di Giannantonio me VR46 u renditën respektivisht në vendin e katërt dhe të pestë.

Me këtë sukses, Marc Marquez është vetëm një fitore larg titullit kampion të botës dhe mund ta festojë atë që në garën e ardhshme në Çmimin e Madh të Japonisë, nëse arrin një tjetër triumf.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt ndiheni nga mashtrimet online?