Gara e MotoGP në Hungari

Sport

MotoGP/ Marquez s'ka rivalë, merr fitoren e shtatë radhazi! Acosta dhe Bezzecchi në podium

24 Gusht, 15:18| Përditesimi: 24 Gusht, 15:21

  • Share

Dominimi i Marc Marquez vazhdon pa ndalur në MotoGP. Piloti spanjoll i Ducatit siguroi fitoren e tij të 10-të në një garë të MotoGP këtë sezon dhe të 7-tën radhazi, këtë herë në pistën e re të 'Balaton Park' në Hungari. Edhe pse nuk pati nisjen më të mirë, Marquez rimori shpejt kontrollin e garës, duke kaluar fillimisht Morbidelli dhe më pas Bezzecchi në një duel spektakolar.

Pasi mori kreun e garës, Marquez u shkëput nga ndjekësit me ritëm të jashtëzakonshëm dhe menaxhim perfekt të gomave, duke krijuar një distancë prej katër sekondash deri në flamurin e kuq. Pas tij u renditën Acosta me KTM dhe Bezzecchi me Aprilia, ndërsa podiumi u mbyll me Martin në vendin e katërt dhe Marini të pestin.

Ditë për t’u harruar për kampionin në fuqi Pecco Bagnaia, që u penalizua me një 'long lap penalty' pas një gabimi dhe arriti vetëm vendin e 9-të, pavarësisht se nisi nga pozita e 13-të. Probleme patën edhe Bastianini dhe Alex Marquez, ndërsa Aldeguer u rrëzua kur ishte në vendin e pestë.

Statistikat e sezonit flasin vetë, Marquez ka fituar 13 nga 14 Sprint Race dhe 10 gara të plota në këtë sezon, një dominim absolut. Me këtë fitore, ai ngjitet në kuotën e 455 pikëve në klasifikim, plot 175 më shumë se vëllai i tij Alex dhe 227 më shumë se Bagnaia. Me këtë ritëm, titulli botëror mund të mbyllet që në garën e radhës në Barcelonë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni kritikat e Ramës ndaj vendimeve të gjyqtarëve?