Koreja e Veriut ka shprehur gatishmëri për t’i dhënë fund tensiove me Korenë e Jugut. Deklarata vjen nga motra e Kim Jong-un e cila tha se është gati për rifillim të bisedimeve.
Këtë javë, presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae -in u bëri thirrje dy Koreve dhe aleatëve të tyre SHBA që mbështesin Jugun dhe Kinës që është partneri më i madh ekonomik i Veriut të deklarojnë një përfundim zyrtar të konfliktit dhe të sjellin paqe në gadishull. Ideja u hodh poshtë fillimisht nga një ministër i Koresë së Veriut si "e parakohshme".
Por në një deklaratë të papritur për mediat zonja Kim tha se ideja ishte "e admirueshme".
Megjithatë ajo shtoi se Veriu do të ishte i gatshëm të diskutonte propozimin nëse Jugu ndalonte atë që ajo e quajti "politikë armiqësore" ndaj tyre.
"Ajo që duhet hequr dorë është qëndrimet agresive, paragjykimet, zakonet e këqija dhe qëndrimi armiqësor për të justifikuar veprimet e tyre, ndërsa fajësojmë ushtrimin tonë të drejtë të së drejtës për vetëmbrojtje. Vetëm kur përmbushet një parakusht i tillë, do të ishte e mundur të ulemi ballë për ballë dhe të shpallnim përfundimin domethënës të luftës" tha ajo në një deklaratë.
Koreja e Jugut prej vitesh ka bërë thirrje që palët të ulen në tryezë për të shpallur fundin zyrtar të Luftës Koreane, e cila edhe pse mori fund në 1953, ajo përfundoi me një armëpushim dhe jo me traktat paqeje, pra dy vendet gjithsesi kanë vijuar të jenë në luftë.
Kufiri i tyre është i ndarë me mur me gjemba dhe i fortifikuar, i vrojtuar rreptësisht nga dy palët.