Jose Mourinho e ka nisur 'me këmbë të mbarë' aventurën e tij te Benfica. Pas fitores 0-3 ndaj AVS në rikthimin e tij në stolin e “Shqiponjave”, trajneri portugez përgatitet për sfidën e dytë të sezonit, kundër Rio Ave, që do të jetë edhe ndeshja e tij e parë në shtëpi.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Mourinho u ndal edhe te aspekti financiar, duke theksuar se paratë nuk kanë qenë arsyeja kryesore e rikthimit të tij.
“Nëse do të kisha qëndruar në shtëpi deri në fund të sezonit, do të kisha fituar më shumë sesa duke punuar te Benfica. Por jam këtu sepse dua të punoj, më ka munguar gara për titull dhe kjo është një mundësi e shkëlqyer për mua si trajner dhe si person”, u shpreh ai.
Mou shtoi se rikthimi në futbollin portugez është një mënyrë për ta “testuar veten”.
“Dua të jem i hapur ndaj fitores dhe humbjes. Këto më japin energji dhe më nxjerrin nga zona e rehatisë”, tha 62-vjeçari.
Gazetarët e pyetën gjithashtu për mundësinë e një kalimi te rivalët historikë, Sporting ose Porto. Mourinho tregoi një episod interesant nga komunikimi me presidentët e këtyre klubeve.
“Varandas dhe Villas-Boas më uruan fat, por shtuan se shpresonin që të përfundoja i dyti. Nëse do të më kishin ftuar, nuk e di nëse do ta kisha pranuar. Duke parë sa shpejt i thashë ‘po’ Benficas, mendoj se përgjigjja do të kishte qenë ‘jo’”, përfundoi ai.
Komente
