Dosje

Mozaiku i fshehtë i qendrës së Tiranës! Shumë nga ne nuk e dinë këtë fakt! Copëza të reja në emisionin Amarcord

6 Korrik, 22:55| Përditesimi: 6 Korrik, 22:57

  • Share

Nga vetë zemra e Tiranës, aty ku kalojmë çdo ditë si nën një yll të shuar, fshihet një vepër që nuk është thjesht art, është kujtesë, ADN urbane, testament që hesht përmes gurëve të ngjitur me dorë në një epokë ku gjithçka ishte e komanduar, por mozaiku mbeti i lirë.

Nëse ecën përgjatë sheshit “Skënderbej”, midis monumenteve të ndërtuara për të treguar fuqi, kontroll dhe aspiratë, ka një qoshe që shumica as nuk e vë re, një hyrje anësore e një godine që ndoshta të kujton zyrat e zymta të një banke shtetërore, por që në të vërtetë është porta për te njëri prej  mozaikëve më të mëdhenj dhe më të veçantë të historisë moderne shqiptare.

Ky është mozaiku i fshehtë i Bankës së Shtetit në qendër të Tiranës. Një vepër kolosale, që është realizuar në heshtje, në fundin e viteve 30, nga një artist italian që erdhi nga e afërta dhe e largëta Romë për të lënë një pjesë të shpirtit të tij në një vend ku liria shprehej më mirë në gurë se në fjalë.

Mozaiku që të vëzhgon, por ti nuk e sheh!

“Amarcord”, emisioni që të dielave në orën  21:00 në Report TV na çon në labirintet e kujtesës shqiptare, këtë herë prek një histori thuajse të harruar, për të cilën edhe historianët e artit janë të ndarë: Pse nuk flitet për këtë mozaik? Pse nuk është promovuar siç duhet? Dhe mbi të gjitha: Kush e krijoi dhe çfarë na mëson ai sot?

Mozaiku në fjalë nuk është thjesht dekor.

Ai është një rrëfim i koduar për Shqipërinë parasocialiste, interpretim i realitetit ekonomik dhe ideologjik të kohës, ku çdo gur, çdo ngjyrë dhe çdo figurë përfaqësonte më shumë se thjesht estetikë simbolike, ishte propagandë, por edhe rezistencë e heshtur përmes artit.

Eduardi i vogël dhe rrëfimi që të rrëqeth!

Një nga zërat më të veçantë në këtë episod është ai i Eduard Sinajt, një nga mozaicistët më të mirë shqiptarë sot, që për herë të parë rrëfen se si luante në atë ambient si fëmijë. Në atë kohë, e ëma, një ekonomiste e përkushtuar në Bankën e Shtetit, e merrte me vete në punë. Dhe ndërsa dosjet e bilanceve ekonomike përgatiteshin, Edin e vogël e tërhiqnin ngjyrat e gurëve, misteri i figurave dhe aroma e çuditshme e ngjitësve që përdornin mjeshtrit italianë. Sinaj shprehet:

“-Aty u dashurova me mozaikun. Më shumë se një lojë, ishte një univers që më fliste, më tërhiqte, më mësonte pa zë. Më bënte përshtypje ky mozaik në fëmijërinë time të hershme, unë e di shumë mire që ky mozaik më ka bërë mosaicist sot. Kjo teknikë mozaiku që kemi këtu në Bankën e Shqipërisë është veprimi ku gurët me shtresë xhami vendoseshin një për një.”

Sot, Eduardi është një nga ata pak njerëz që jo vetëm e kuptojnë këtë vepër, por edhe mund të na e përkthejnë. Ai flet për teknikën, për ngjyrat e gurëve që vinin nga zona të ndryshme të Shqipërisë, për mënyrën sesi u zgjodh figura që do të përfaqësonte njeriun e punës, por pa e sakrifikuar njeriun artistik.

Kush ishte italiani misterioz  që krijoi këtë mozaik?

Në një pjesë tjetër të emisionit zbulohet identiteti i artistit italian që e krijoi mozaikun: një emër që nuk njihet gjerësisht në Shqipëri, por që ka lënë gjurmë nga Roma deri në Rio de Janeiro. Një artist që i besoi Shqipërisë në një kohë kur shumë e shihnin si vend të izoluar, por që në këtë izolim gjeti një formë të pastër të artit monumental.

Giulio Rosso (1897–1976) ishte piktor, dekorator dhe ilustrues i njohur italian, i lindur në Firence. Ai filloi karrierën e tij artistike në vitet 1920, duke u zhvendosur nga Firence në Romë, ku realizoi disa nga punimet më të rëndësishme të tij. Rosso njihet veçanërisht për stilin e veçantë ku kombinonte pikturën me arkitekturën, duke e konsideruar artin e dekorimit si një “bashkësi të gjallë” me hapësirën arkitekturore.

Gjatë karrierës së tij, Rosso mori pjesë në shumë ekspozita të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare, punoi gjithashtu në edhe për projekte të mëdha publike.

Në vitet 1930 dhe 1940, Rosso realizoi edhe vepra të mëdha murale dhe vetrata polikromatike, duke kontribuar në artin publik italian në një periudhë shumë dinamike.

Në vitin 1946, Giulio Rosso u zhvendos në Brazil, ku vazhdoi aktivitetin e tij artistik deri sa ndërroi jetë në vitin 1976. Në Brazil ai mbajti të pandryshuar stilin e tij, duke bashkuar dekorimin, ilustrimin dhe pikturën në punët e tij. Giulio Rosso konsiderohet një nga artistët e rëndësishëm italianë të shekullit të 20-të, i njohur për aftësinë e tij për të integruar artin me arkitekturën dhe për të sjellë jetë dhe histori në hapësirat publike dhe private.

Çfarë thotë historian i artit?

Ermir Hoxha, profesor dhe historian arti, sjell kontekstin më të gjerë të mozaikëve në Shqipëri nga ato të kohës greke, romake në Durrës e Apolloni, tek mozaikët e rinj që lindën në epokën socialiste. Ermiri thotë:

“-Ky mozaik në Tiranë është një ndër pikat më të rëndësishme të tranzicionit nga arti monumental ideologjik, tek arti që tenton të krijojë identitet të ri kombëtar përmes teknikës tradicionale. Mozaiku është rreth 200 metra katrorë, mbahet nga një sallë ovale, e kur je në qendër të saj zëri oshëtin ndryshe. Mozaiku ose rotonda në Muzeun e Bankës së Shqipërisë arrin një lartësi prej gati 8 metrash dhe karakterizohet nga një ndriçim gjithëpërfshirës, i cili buron nga kupola dhe përhapet në të gjithë sallën. Vepra është realizuar në vitin 1939 nga mjeshtri italian Giulio Rosso. Për krijimin e mozaikut janë përdorur kubikë xhami të ngjyrosur, të sjellë nga punishtet artizanale të Venedikut.

Mozaiku paraqet skena të ndryshme nga jeta dhe puna në bujqësi, blegtori dhe peshkim, duke udhëtuar në kohë deri në fillesat e qytetërimit ku puna në grup dhe shkëmbimi zinin vend të rëndësishëm. Ngjyrat janë të shumta dhe të pasura, me tonin okër që mbizotëron, ndërsa nuancat smeralde, vjollcë dhe të gjelbra krijojnë një atmosferë të frymëzuar nga stili Art Nouveau.

Përmes figurave të gjalla dhe natyrore, mijëra teserina shumëngjyrëshe përcjellin mesazh të thjeshtë por domethënës: "Jetë, Punë, Paqe" – të gjitha të ndërtuara mbi një themel simbolik: Thesari i Parasë".”

Gurë që flasin më shumë se fjalët

Në emision janë përdorur fotografi të rralla, të papublikuara më pare që tregojnë momentet pas ndërtimit të mozaikut. Dhe në secilin nga ata gurë, një copëz historie: Ekonomia e re, njeriu i ri, por edhe shpresa për një Shqipëri modern me qëllimin se toka është pasuria më e madhe, ose nën këmbët tona ka ar apo thesar!

Kujtesë që duhet rizgjuar

Ky mozaik nuk është vetëm për t’u parë. Është për t’u lexuar. Është libër i gurëzuar mbi mur që mund të jetë gri, por që ruan ngjyrat e një epoke të tërë. “Amarcord”, në stilin e tij unik dhe poetik, nuk na sjell vetëm kujtime, por na bën të rimarrim një lidhje që kemi prishur me qytetin, me artin publik, me memorien kolektive.

Në fund të emisionit, mbetet pyetja e thjeshtë, por tronditëse: Po sikur të gjithë të mos e kishim ditur që ky mozaik ekziston? Po sikur ai të zhdukej nesër? Çfarë do të humbnim?

K.M/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?