Mozaiku i rrallë te ‘Gjergj Kastrioti’, tenderi hap debate: Pse e zhvillon Bashkia Durrës?! Instituti i Trashëgimisë: Është financuesi, projektin e kriteret i vendosim ne!

26 Shkurt, 19:09| Përditesimi: 26 Shkurt, 22:20

  • Share

Tenderi “Gërmime Arkeologjike i Mozaikut dhe Rrënojave të Tjera Antike në Shkollën e Mesme Gjergj Kastrioti” në Durrës, i çelur në 23 shkurt është bërë objekt debatesh. Shikohet me skepticizëm fakti që është qeverisja vendore përgjegjëse për procedura të tilla dhe jo institucionet arkeologjike. Lidhur me këtë i kontaktuar nga Report Tv, drejtori i Adem Bunguri tha se Instituti i Arkeologjisë që ai drejton nuk ka kompetenca për këtë çështje që i takon Bashkisë Durrës dhe ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Incovacionit. Por nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, specialisti Mariglen Meshini, shpjegon se Bashkisë Durrës, i takojnë vetëm aspekti administrativ si pronë publike dhe ai financiar, pasi projekti me vlerë do të mundësohet nga buxheti i Bashkisë (fondi limit 13 811 500 lekë).

“Ky proces ështe i bashkërenduar mes Bashkisë së Durrësit dhe aktualisht MEKI-t (më herët Ministria e Kulturës), për arsye se kemi të bëjmë jo vetëm me një proces shumë të rëndësishëm, siç është rindërtimi i një shkolle me interes publik, por nga ana tjetër kemi edhe faktin që në këtë zonë janë zbuluar gjurmë të një mozaiku shumë të rëndësishëm, si dhe gjetje të tjera me vlera. Projekti është miratuar në Institutin Kombëtar të Këshillit të Trashëgimisë Materiale, pra kemi projektin e miratuar, por njëkohësisht konceptin e gërmimeve të miratuar dhe të hartuar komform rregulloreve për kriteret e ushtrimit të profesionit të arkeologut, por njëkohësisht edhe të hulumtimeve arkeologjike”, shprehet arkeologu Mariglen Meshini, që ka ndjekur ecurinë e projektit.

Konkretisht, mozaiku i zbuluar tetorin që lamë pas, gjatë punimeve për gjimnazin e dëmtuar nga tërmeti, përbën një rast të rrallë, pasi i përket shekullit të I-II, pas erës sonë, ndërsa vetë siti përfshin edhe periudha më të hershme.

“Në momentin që janë zbuluar këto gjetje është bërë relacioni përkatës dhe është paraqitur në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale nga Drejtoria e Shërbimit Arkeologjik, së bashku me relacionin e hartuar nga subjekti i licensuar që ishte e kontraktuar për ndjekjen e punimeve. Këto propozime janë paraqitur në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë dhe janë miratuar sipas kritereve të përcaktuara. Në këtë rast bashkia në rolin e investitorit dhe përfituesit njëkohësisht të këtij investimi publik, ka shpallur dhe ka hapur tenderin për këtë shërbim. Pra është një punë e bashkërenduar, nga një grup pune mes Ministrisë dhe Bashkisë Durrës ka hartuar gjithë dokumentacionin përkatës për të shpallur këtë procedurë”, shton Meshini.

Është Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale që miraton konceptin e gërmimit, ku siç shpjegon Meshini, kriteret, që janë po ashtu objekt i debatit, vendosen me Vendim të Këshillit të Ministrave dhe nuk mund të ketë hapësirë për abuzime, sikundër aludohet.

“Padyshim që në rast të procedurave të tilla mund të ngrihen pikëpyetje të tilla, por kriteret teknike , shkencore për realizimin e gërmimeve arkeologjike janë të përcaktuara me VKM, ku për gërmimet arkeologjike, kërkohet kategoria më e lartë që është kategoria 3 e licencës. Krahas kësaj, nisur nga fakti që ne kemi të bëjmë me një mozaik, ne kemi vendosur në kriteret e kësaj procedure të detyruar edhe licensën për restaurim mozaikësh dhe të kenë përvojë në këtë drejtim”, thotë më tej specialisti.

Shqyrtimi i subjekteve garuese, siç shpjegon Meshini do të bëhet në konsultë me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, ndërsa aplikimet mund të kryhen deri në 11 mars. Ndonëse do të kemi të bëjmë me një subjekt privat fitues, gërmimet do të jenë të mbikëqyrura nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.

“Kemi një proces të bashkërenduar, nga njëra anë Bashkia, subjekti që do kryejë gërmimet dhe restaurimin si dhe Instituti i Trashëgimisë”, shton ai. 

Gërmimet do të vijojnë, pasi mendohet që mund të zbulohet edhe përtej këtyre fragmenteve të mozaikut floreal të ruajtur mirë që u gjend brenda Zonës Arkeologjike “B” në Durrës, në punimet e udhëhequra nga arkeologu Luan Përzhita. Duke parë rëndësinë e zbulimeve, rindërtimi i gjimnazit “Gjergj Kastrioti”, që do të bëhej me fondet e Bashkimit Evropian, nuk do prekë sitin arkeologjik, që është marrë në mbrojtje.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?