Mposhti kancerin e gjirit, sot Elida bën fushatë për kontrolle! 67-vjeçarja: Para 5 vitesh kuptova që isha e sëmurë, e mora me optimizëm, kjo më ndihmoi

23 Tetor 2023, 20:55| Përditesimi: 23 Tetor 2023, 20:59

  • Share

Në moshën 62 vjeçare Elida Karafili, gjatë një vizite rutinë shtyrë nga vajza e saj, kuptoi se ishte prekur nga kanceri i gjirit.

Ishte diçka e pabesueshme për të, momenti i parë që mjekët i komunikuan se shëndeti i saj nuk është i mirë, por me optimizëm dhe duke mundur frikën, vetëm pas 10 ditësh ajo hyri në operacion.

 “Para 5 vjetëve, me shtytjen e vajzës kam bërë mamografinë. Nuk u interpretua mirë dhe më thanë që duhet të ndiqesha për tumor në gjirin e majtë. Gjërat u bënë shpejt dhe pas 10 ditësh unë isha në sallën e operacionit. Me këmbënguljen time unë vendosa të heq gjirin komplet për të mos i lënë vend  përsëritjes së sëmundjes në po atë gjoks. Sa herë kam bërë analizat më kanë bërë mirë. Ajo që më dallon nga të tjerët është se unë nuk thash u bë hataja. E kapa në kohë, zoti e ka në dorë, unë do bëj punën time. Puna ime ishte të mos bija në pesimizëm, të ecja shumë, kam përcjellë mesazhet që nëse ekzaminohesh herët dhe të ndjekim këshillat e mjekëve, kalon. Kur u ekzaminova, nuk i tregova familjes. Bëra operacionin. Kam qenë aktive, nuk kam menduar për më të keqen, për vdekjen. Familja e përjetoi keq, bëhej fjala për mamanë. Unë do ju thoja grave, sidomos atyre që kanë një mentalitet se kam frikë mos më del ndonjë gjë, Më mirë ta bësh mamografinë dhe ta bësh atë gjë e ta kapësh në kohë. Këtë kordelen nuk e heq asnjëherë gjatë tetorit për të ju kujtuar grave që të bëjnë mamografinë”. – tha Elida.

Sot pas 5 vitesh kujdesi maksimal për veten, Elida është në gjendje shumë të mirë shëndetësore e madje përpiqet sa të mundet që të përcjellë mesazhe tek gratë dhe vajzat që të bëjnë depistime të herëpashershme.

“Unë jam këtu pas një lufte të madhe e mbështetur nga familja ime. Ne të nderuara jemi zinxhiri i jetës, dhe që të mos këputet ky zinxhir i jetës. Që të mos këputet ky zinxhir ata që kanë më shumë në dorë që të bëjnë për ne, le ta bëjnë. Një grua e fortë është një komb i fortë”.- u shpreh ajo.

Pjesë e marshimit të përvitshëm “Fjongoja rozë më kujton”, që e kthen në qendër të vëmendjes betejën kundër kancerit të gjirit ishin edhe figura politike e pjesëtarë të selive diplomatike në vend që sollën për publikun histori personale me këtë sëmundje.

"Është një aktivitet që na prek të gjithëve sepse njerëz tanë të dashur mund të jenë prekur nga kjo sëmundje. Siç është rasti i nënës time që është e mbijetuar nga kanceri i gjirit në 20 vitet e fundit. Mposhtja e kancerit është diçka që mund ta bëjmë sëbashku", tha i ngarkuari me punë i ambasadës amerikane.

"Kjo sëmundje nuk prek vetëm gratë por të gjithë familjen. Tetori rozë është dhe duhet një muaj që duhet ndërgjegjësuar, por edhe për të kujtuar sfidat, vështirësitë që gratë e prekura përballen. Sigurisht dhe për të kërkuar llogari që atyre ju ofrohet maksimumi i mundshëm”.- tha Elida.

“Një qytet ka shumë asete, por unë besoj se ‘aseti’ numër një i një qyteti janë njerëzit. Mund të ketë qytet pa bulevard, mund të ketë qytet pa ndriçim, pa shtylla, mund të ketë qytet edhe pa asfalt e pa pllaka, por nuk ka qytet pa njerëz. Vetë kuptimi i fjalës qytet do të thotë një bashkësi me njerëz. Nëse kuptojmë se aseti numër një i qytetit janë njerëzit, atëherë unë besoj se secili prej nesh ka më shumë për të dhënë në këtë kauzë”, tha Veliaj.

Në Shqipëri, gjatë vitit 2022, sipas Institutit të Shëndetit Publik, janë identifikuar 710 gra me kancer gjiri.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?