Holli i “Arteve” është shndërruar në një skenë operistike. Në të, studentë e pedagogë, i japin jetë aktit të parë të “Mrikës”. Opera e parë shqiptare, që kompozoi Prenk Jakova, risjell vlerat e identitetit në 60-vjetorin e Fakultetit të Muzikës. Dy netë radhazi, në këtë fundjavë, regjia e Rozi Kostanit solli atmosferën e viteve ’50 në Mirditë. Martesa në djep me Gjetën, shkon kundër dashurisë së Mrikës me Dodën. Në hapësirën e improvizuar, kostumet, elementët e etnografisë e bëjnë më të lehtë rrugëtimin në kohë. Ndërsa zërat e studentëve të kantos, i japin magjinë...
E interpretuar para viteve ’90 nga emra si Klotide Shantoja, Marie Kraja e Nina Mula, emocionet e skenave të dashurisë që përplasen me traditën e intrigat, i sollën nën petkat e Mrikës , Anita Kerhani dhe Anjeza Marku.
Andi Istrefi e Matias Xheli, ishin në rolin e Dodës, duke dëshmuar bashkë me studentët e tjerë të Kantos, rëndësinë e të interpretuarit veprat shqiptare nga brezat e rinj.
Në rolin e Gjetës luajtën Erion Sheri dhe Denis Xhafa. Studentët e tjerë që plotësuan lojën e aktit të parë ishin Françeska Pjetri e Esi Murtati (në rolin e Marës), si dhe dhe Artur Vera (si gjyshi Ndue) e Xhieldo Hyseni (si daja Gjin) në të dyja mbrëmjet.
Kjo qasje e re me të parën vepër operistike, erdhi nën dirigjimin e Suzana Turkut dhe koncertmaestros, Elvis Peçi.
Ishte shfaqje shume e bukur. Dukej mjaft e fresket ne interpretimin e studenteve. Urojme te kemi edhe te tjera!
Përgjigju