'Agron Aliaj më thosh të krijoj, unë s'u ndala kurrë!' 15 vjet në 'Opera', premiera 'Uni' e Julind Dervishit: Ka brenda ëndrra, por dhe zhgënjime!

22 Shtator 2023, 19:57| Përditesimi: 22 Shtator 2023, 23:08

  • Share

Është lufta për të arritur ëndrrat, forca për të mos hequr dorë përballë pengesave, që shkakton jeta apo njerëzit, fabula që Julind Dervishi propozoi për dy net, gjatë kësaj jave në skenën e Operas.

"Ne kemi një ritual, që në letrat e Vitit të Ri, shkruajmë dëshirat! Unë nuk i shkruaj, sepse nuk dua të mbeten aty, por i mbaj në mendje! Baleti "Uni" është një prej tyre, dhe ja dola ta realizoja! Ndjehem mirë për këtë", shprehet koreografi Julind Dervishi.

Baleti premierë “Uni”, nuk mbart thjesht historinë e tij, në të çdo spektator gjen nga pak veten. Trupa e Baletit të Operas komunikon përmes gjuhës së trupit, përpjekjet sizifiane, ndonjëherë edhe betejat donkishteske të imponuara nga bota e jashtme...

"Baleti 'Uni' s'ka brenda vetëm arritjet, por edhe zhgënjimet! Bërrylat që hasim ne artistët, por jo vetëm ne, sportistët, ku gazetarët, të gjithë përplasen me dikë që nuk i lë të ecin përpara", tha artisti

15 vjet në Teatrin e Operas dhe Baletit si pjesë e trupës, koreografi thotë se ka mësuar, është rrëzuar, ringritur, dikush e ka demoralizuar, e të tjerë kanë qenë aty për t’i zgjatur dorën.

‘Duart që më janë zgjat janë , por të pakta,... Agron Aliaj, është një ndër ta.  I kujtoj gjithmonë fjalët e tij, kur më thosh: 'Krijo, krijo! Mos u ndal! ' Dhe unë atë bëra nuk e lashë kurrë pasionin tim", thotë më tej.

Është pasioni që e mban të lidhur pas baletit, pavarësisht sfidave.

‘S’ka gjë më të madhe se pasioni dhe dëshira për ta bërë këtë punë.’- u shpreh Dervishi.

Prej pasionit e hodhi në letër edhe këtë vepër, ku jetësoi ndjenjat e përjetimet e tij, ku 15 kolegët me të cilët ka ndarë vështirësitë në përditshmëri e bëjnë të tyren dhe ia komunikojnë publikut.

‘Fillimisht fillon në letra, shkruan të gjithë baletin, shkruan ndjenjat , pastaj fillon dëgjon muzikë të ndryshme, pasi unë se unë s'e kam një kompozitor që të ndajmë punën bashkë. Ndërsa për ta përccuar konceptin tek trupa e baletit, ishte e thjeshtë, pasi artistët janë kolegët e mi, kanë kaluar përmes të njëjtave vuajtjeve’- tha ai.

Kushtet s’janë optimalet, por kjo është një tjetër betejë që ai ka së pari me veten. Duartrokitjet pas shfaqjes, urimet, apo ky përqafim i së bijës, e motivojnë për të vijuar krijimtarinë e tij.

‘Vajzën e takoj në në çdo shfaqje! Ajo vjen ,qoftë shfaqja ime apo e dikujt tjetër.  Është rritur me shfaqjet.’- shprehet Dervishi.

Mirënjohës ndaj Teatrit dhe drejtores Abigela Voshtina për hapësirën që po u krijon artistëve të rinj, pas 'Humus' dhe baletit 'Uni', koreografi tregon se po punon mbi dy projekte të reja, që mendon t'i jetësojë në skenë në 2024-ën. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?