Në qendër të tij është një ngjarje reale, ndërsa personazh është babai i artistit e regjisorit Alban Muja. Bëhet fjalë për filmin “Mua besoj më shpëtoi portreti”, i shfaqur premierë rajonale në Festivalin e Sarajevës, ndërsa është vlerësuar edhe me mirënjohje.
Në film regjisori sjell historinë e veçantë të babait të tij, piktorit Skënder Muja, dhe njëzet e pesë vjet pasi u rrëmbye gjatë luftës në Kosovë kujton momentin që i lejoi të mbijetonte pasi u ndalua nga policia serbe dhe u detyrua të realizonte portretin e komandantit që ishte përgjegjës në atë burg të improvizuar.
“Është një histori në familje, babi im është në rolin kryesor, nëse mund të themi kështu. Flitet kryesisht për një ngjarje të pazakonshme, në një kohë të pazakonshme, në një vend të pazakonshëm, ku në vitin ’99 ne tentonim të iknim nga vendlindja, Mitrovica, në drejtim të Kukësit, ku ndalojnë dhe ndajnë krejt burrat 18-65 vjeç.”, - thotë Muja për "Report TV".
Muja vëren se ai ka qenë i pranishëm në këtë moment dhe shpëtoi për fije vetëm për faktin se u shpreh se ishte 16 dhe jo 18 vjeç.
“Krejt burrat përfundojnë në qendrën e paraburgimit, një shkollë e shndërruar në qendër paraburgimi. Atje babi im, që marrin vesh që është piktor i thonë që nëse je piktor bën portrete dhe në dërrasën e zezë me një shkumës i kërkohet të bëjë portretin e komandantit apo mbikëqyrësit të asaj pike.”
Pikërisht ky portret bëhet shpëtimtari, jo vetëm për Skënder Mujën, por edhe për dhjetëra të burgosurve të tjerë që ndodheshin me të. Filmi 10-minutësh trajton temat e mbijetesës, rezistencës dhe fuqisë transformuese të artit. Me producent Edon Rizvanollin, filmi pati katër paraqitje në kryeqytetin boshnjak, dy në kategorinë “Documentary Competition” dhe dy në kategorinë “European Shorts”.
“Jemi të kënaqur për premierën rajonale në Sarajevë. Kur e kemi bërë këtë film kemi menduar që do të ishte fantastike, që të ndahet me publikun në Sarajevë, sepse kemi një të kaluar të ngjashme, jo vetëm duke iu referuar ngjarjeve të kaluara, por edhe duke pasur parasysh çfarë po ndodh sot në botë. Sarajeva për ne kinesastët e rajonit ka rëndësi të veçantë, sidomos këtë vit, pasi kemi shumë filma që flasin shqip: të metrazhit të gjatë, të shkurtër, dokumentarë dhe pjesëmarrës të tjerë, si dhe në rolin e jurisë. Sivjet kemi qenë një bandë në kuptimin e mirë të fjalës.”
I njohur si një nga festivalet më prestigjioze të filmit në Evropën Juglindore, për herë të parë këtë vit SFF është edhe festival kualifikues për çmimin “Oscar”.
Komente
