“Muaji i kujtesës” në muze, nderohet Kolec Topalli. Gjuhëtari: Kritikat për Fjalorin e tij Etimologjik s’janë shkencore!

8 Shkurt 2021, 14:49| Përditesimi: 8 Shkurt 2021, 15:10

  • Share

Muaji i Kujtesës në Muzeun Historik Kombëtar ka nisur me nderimin e veprimtarisë shkencore dhe filologjike të akademikut dhe gjuhëtarit  të ndjerë Kolec Topalli (Shkodër, 4 dhjetor 1938 - Tiranë, 24 maj 2018). Gjuhëtari Seit Mancaku gjatë referimit të tij u shpreh se vepra që profesor Kolec Topalli ka lënë pas ka rëndësi në fushën fonetike, gramatike edhe etimologjikë të shqipes  

“Është një personalitet i shquar në shkencat gjuhësore dhe filologjike, si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe si Mësues i Popullit që ka dhënë kontribute të shumta në fushën e arsimit, kulturës edhe shkencës sonë gjuhësore. Profesor Koleci e meriton nderimin, se ka lënë një vepër të madhe në disa drejtime; në fushën fonetike, gramatike të shqipes dhe të etimologjisë. Fjalori Etimologjik i Shqipes është vepra e tij e fundit. Është shumë e dobishme me rreth 2000 faqe, sepse aty njeriu gjen burimin e fjalëve, qofshin dhe më të zakonshmet. Përveç asaj del në pah dhe fondi themelor edhe autokton i gjuhës shqipe”, thotë studiuesi Mancaku.  

Ndërsa, kritikat që i janë bërë nga disa studiues për Fjalorin Etimologjik të Shqipes botuar në vitin 2017, se “Topalli në këtë fjalor ka rritur peshën specifike të fjalëve të huaja në dëm të gjuhës shqipe”, për Mancakun nuk janë shkencore

“Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe është vepër e autorit, e nisur 50 vite më parë, edhe e përfunduar në fund të jetës. Unë kam qenë recensent i fjalorit. Kritikat që i bëhen të them të drejtën nuk janë shkencore. S’ka vepër që mund të mos i bëhen vrenjtje. Një vepër kaq e madhe, që të shkruash mijëra fjalë dhe të gjesh etimologjinë e  tyre, ka vend edhe për vrenjtje. Por vrenjtja kryesore që ka rritur peshën specifike të fjalëve të huaja në dëm të gjuhës shqipe, nuk qëndron. Është një drejtim studiuesish, që mendojnë se shqipja është nëna e të gjithë gjuhëve. Ato fjalë që ne i kemi nga latinishtja, ata mendojnë se i ka marrë latinishtja nga ne. Por. duhet të jemi objektiv, por jo indiferent”, thotë Mancaku.

Mancaku më tej thekson se Koleci ka lënë një vepër të madhe dhe te dobishme, që duhet të nderohet dhe brezat e ardhshëm. Sikundër, duhet të punohet edhe për Fjalorë të rinj Etimologjikë në të ardhmen

“Gjithmonë ka nevojë, edhe vet ai do ta rishikonte këtë fjalor. Do të hiqte disa gjëra që mendonte se i ka lënë të pazgjidhura deri në fund. Ky fjalor Etimologjik i Kolec Toppalit, ka vlerë jo vetëm si fjalor etimologjik, por edhe si fjalor. Pasi aty studiuesi gjen fjalë të rralla shqipe, që mund t’i përdorë në letërsi”, vijon ai më tej.

Sa i përket peripecive që ka kaluar gjatë realizmit socialist, Mancaku thekson se nuk kanë ndikuar në veprimtarinë e tij, pasi ai nuk e ndali asnjëherë vrullin e kërkimeve shkencore

“Nuk dua që të hyjë në biografinë e tij, por ai ka qenë objekt i luftës së klasave për arsyet që dihen. Nëse do të kishte pas kushte të veçanta, siç e meritonte ai me talentin edhe zellin që kishte do të kishte punuar më shumë. Me atë zell që pati e plotësoi atë boshllëk. Ka lënë një vepër të gjerë, saqë dhe ata që kanë pas shumë më tepër mundësi që të punojnë se ai, nuk e kanë arrit atë çka ai arriti. Ai i kompensoi humbjet e viteve të mëparshme, kur ishte mësues në Librazhd, Pukë apo Kukës, duke mos e lënë pas veprimtarinë e tij”, thotë Mancaku.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi përfundon se institucioni, që ai drejton do të organizojë disa aktivitete në nderim të këtyre personaliteteve gjatë këtij muaj

 “Në muajin e Kujtesës, MHK do të organizojë disa aktivitete që i përkushtohen figurave të shquara të shkencës shqiptare, që gjatë regjimit diktatorial në një moment të caktuar janë persekutuar. Jo, sepse do donim që të kishim një mozaik që do të jetë vetëm shkenca e persekutuar, por sepse do të donim që këto figura të kishin vlerësimin e duhur”, thotë Dorian Koçi, drejtori i MHK.

Në ditët në vijim në Muajin e Kujtesës, do të vlerësohet themeluesi i Muzeut Ikonografik të Korçëës, studiuesi Theofan Popa.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?