Kultura

Muaji i Kulturës Palestineze, bashkëbisedim e vargje poetike! Mx. Yaffa, “ndihmë” për personat transgjinorë në Palestinë

17 Korrik, 09:48| Përditesimi: 17 Korrik, 14:39

  • Share

Kultura e pasur e popullit palestinez,  filma dhe autorë të ndryshëm, mbledhje fondesh, ngjarje sportive, por edhe kulinaria e Palestinës kanë ardhur për publikun në Tiranës përmes Muajit Kulturor të Palestinës, edhe si një thirrje për të kthyer kokën për atë që po ndodh në Rripin e Gazës.

Aktiviteti më i fundit ka qenë një bashkëbisedim në "Art Media Bulevard" me poeten palestineze Yaffa, me aftësi të kufizuara, pjesë e komunitetit transgjinor.

“Ngjarja është një bashkëbisedim me anëtarë të komunitetit me aktivistin, artistin dhe poetin Yaffa. Ne do të flasim për strategji, për kujdes në lidhje me komunitetin, si mund të ndihmojmë palestinezët që po vriten etj. Pjesë të aktiviteteve janë edhe leximet e poezive, si dhe një darkë. Aktiviteti është vijim i muajit kulturor palestinez në Shqipëri për të festuar kulturën palestineze, rritjen e ndërgjegjësimit, krijimin e komunitetit dhe tregimi i solidaritetit dhe mbështetjes për palestinezët.”, - thotë për “Report TV” aktivisitja Nat Hayashibara.

Jo vetëm në Tiranë por edhe në Vlorë e në Prishtinë janë organizuar aktivitete ndërgjegjësuese, ku janë bërë pjesë turistë dhe qytetarë të të gjitha moshave e përkatësive.

Poetja Mx. Yaffa është edhe drejtoresha Ekzekutive e Aleancës Myslimane për Diversitetin Seksual dhe Gjinor (MASGD), si dhe themeluesja e disa projekteve jofitimprurëse dhe komunitare. Yaffa ka drejtuar në mënyrë aktive rrjete të ndihmës së ndërsjellë dhe kujdesit komunitar për më shumë se 15 vjet në të gjithë kontinentet, duke iu përgjigjur fatkeqësive të tilla, si Revolucioni Sirian, COVID-19 dhe gjenocidet e vazhdueshme në Palestinë, Sudan, Armeni etj. Ajo është gjithashtu një artiste vizuale dhe shkrimtare me gjashtë vëllime të botuara, ndërsa arti i saj është prezantuar në mjaft galeri ndërkombëtare.

“Mjaft nga puna ime që bëj globalisht është në lidhje me personat që janë të margjinalizuar në shoqëri veçanërisht në zonat ku ka gjenocid, duke mbështetur sidomos personat me aftësi të kufizuara, trans e ‘queer’. Jam organizatore e disa aktiviteteve në Shqipëri, ku do të flasim për praktikat e mbrojtjes së këtyre komuniteteve, si të mbështesim njëri-tjetrin dhe si të bashkëpunojmë artistikisht në grup”, - shprehet ajo. 

Muaji Kulturor i Palestinës, është një nismë e ndërmarrë nga një grup individësh e organizatash të ndryshme, që herë pas herë kanë organizuar edhe protesta në Tiranë në mbrojtje të Palestinës.

B.G/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?