Me tinguj këngësh, recitime dhe atmosferën e gëzueshme të fëmijëve. Kështu erdhi aktiviteti përmbyllës në kuadër të Muajit të Leximit dhe Librit në qendrën Kulturore të fëmijëve në Tiranë.
Nën kujdesin e regjisores Esi Kame artistët e vegjël sollën interpretime këngësh dhe recitime të ndryshme në poezi duke sjellë një atmosferë të vërtetë festive për të gjithë të ftuarit.
Ardhur në formë sensibilizimi për nxitjen e marrëdhënies së lexuesve të vegjël me Librin, fëmijë të moshave të ndryshme iu bashkuan aktivitetit, që organizohet në kuadër të Tetorit të librit të shpallur nga Ministria e Kulturës në nderim të figurave të shkrimtarëve të mëdhenj të gjuhës shqipe si Gjergj Fishta, Dritëro Agolli dhe Migjeni.
Tetori, Muaji i Letërsisë në Shqipëri i paraprin edhe Panairit të Librit në nëntor, i cili pas një mungese njëvjeçare për shkak të pandemisë do të vijë sivjet përgjatë pesë ditëve nga data 17 nëntor deri më 21 Nëntor 2021 nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë në Pallatin e Kongreseve.