Foto ilustruese

Muaji i ndërgjegjësimit të shëndetit mendor në SHBA: Vetmia, po aq e rrezikshme sa duhani

3 Maj 2023, 13:00| Përditesimi: 3 Maj 2023, 13:01

  • Share

Mjeku i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Vivek Murthy, tha se ky vend po përballet me një epidemi vetmie që është po aq e rrezikshme për shëndetin sa pirja e 15 cigareve në ditë.

Murthy lëshoi një doracak këshillues, i cili bën thirrje që izolimi social të trajtohet seriozisht sikurse obeziteti ose abuzimi me drogën.

Sipas tij, gati gjysma e amerikanëve, nga të gjitha sferat e jetës, mendohet se janë prekur nga vetmia.

Ajo, sipas tij, lidhet me arritje më të ulëta akademike apo performancë më të keqe në punë.

Gjendja është përkeqësuar nga pandemia COVID-19, e cila ka bërë që shumë njerëz t’i zvogëlojnë rrethet e tyre shoqërore, tha Murthy, i cili njëherësh është edhe udhëheqës operacional i Shërbimit të Shëndetit Publik të SHBA-së.

Ai prezantoi, gjithashtu, një kornizë kombëtare për rindërtimin e lidhjeve sociale.

Strategjia e tij ka gjashtë shtylla që përfshijnë përpjekjet për të forcuar infrastrukturën sociale në mesin e komuniteteve.

Ajo thekson edhe nevojën për më shumë transparencë të të dhënave nga firmat e teknologjisë, si dhe për një reformim të mjediseve digjitale.

Sipas doracakut këshillues, vetmia rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme për gati 30%, pasi mund të shkaktojë stres te njerëzit, diabet, sulm në zemër apo pagjumësi.

Sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se doracaku është pjesë e përpjekjeve më të gjera të administratës së presidentit Joe Biden për të trajtuar shëndetin mendor.

Maji është muaji i ndërgjegjësimit për shëndetin mendor në SHBA./REL

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?