Kërkesën për shtyrjen e orës policore në kuadër të muajit te Ramazanit, pas Kryeministrit Rama e ka bërë edhe ish myftiu i Tiranës Ylli Gura. Gjatë një interviste për Report Tv, Gura u shpreh se të paktën gjatë këtij muaji, zgjatja e kufizimit deri në orën 22:00 të mbrëmjes do të lejonte besimtarët myslimanë të kryenin në Xhami ritualin e faljes në mbrëmje.
"Në kuadër të muajit të Ramazanit, shpresojmë që këtë vit situata të jetë më e lehtësuar, pasi një farë pengese për momentin do të jetë për ritualin e faljes në mbrëmje në Xhami, pasi është më e shpërblyeshme dhe është traditë shekullore e mrekullueshme. Një adhurim ekstra për muajt e Ramazanit që në mbrëmje të zgjatet paksa orari, por megjithatë ne e mirëkuptojmë situatën. Duke qene se situata me të infektuarit ka pak lehtësim ne kërkojmë që të paktën ky moment të jetë i mundshëm gjatë muajit të Ramazanit dhe nga ora policore 20:00 të shtyhet deri në orën 22:00. Ne i përshëndesim këto hapa pozitive të ekspertëve dhe optimizmin e kryeministrit për këtë iniciativë", tha Gura
Edhe ditën e sotme kryeministri Edi Rama gjatë një bisede telefonike me kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, Evis Kushi, u diskutua shtyrja e orës policore gjatë muajit të Ramazanit, në një kohë që vaksinimi po ecën me ritme të mira.Kryeministri pohoi që i kanë bërë një kërkesë Komitetit Teknik të Ekspertëve, por ende nuk ka një vendim nga ana e tyre.
Muaji i Ramazanit fillon të martën 13 prill dhe mbaron me 12 maj, ndërsa Nata e Kadrit është më 8 maj. Për besimtarët myslimanë ky është muaji i sakrificës dhe dashurisë.