Muça: Berisha mund të ndalte dhunën më 8 janar! Karaj: Lufta brenda PD do përdoret nga Rama në zgjedhjet 2025! Alimehmeti: Porta nuk është e blinduar për grupin e Alibeajt

27 Dhjetor 2022, 22:21| Përditesimi: 28 Dhjetor 2022, 07:25

  • Share

2022, viti i krizës në PD. Viti po mbyllet dhe opozita mbetet e përçarë. Kjo ishte tema që u diskutua mbrëmjen e kësaj të marte në Report Tv në emisionin ‘Repolitix’ nga Denis Minga. Në fokus të bisedës ishte 8 janari, për të cilën të ftuarit thonë se Berisha-Basha nuk kishin pse të bëheshin gazi i botës me veprimin e tyre.

Gazetari Flogert Muça tha se dhunën në selinë blu, ku u blinduan dyer dhe u hodh gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, mund ta ndalonte vetë Sali Berisha.

“Nuk shkoi policia se nuk pritej të ndodhte kjo lloj situate. Këtu është çështja që rrihet Sali Berisha me Lulzim Bashën. Policia e shmangu dhe ata thanë që policia na hodhi gaz. Berisha shkon me kundragaz te selia. Këtu me një kërcitje gishti mund ta ndalonte dhunën Sali Berisha”, tha Muça.

Avokati Leonard Karaj thotë se Berisha dhe Basha mund të mos e kishin çuar situatën deri në atë pikë, por sipas tij, e gjithë situata do të përdoret nga Edi Rama në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Ata nuk kishin arsye të bëheshin gazi i botës. Mund të mos kishin arritur deri aty. 8 janari nuk shuhet nga memoria. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që brenda shtëpisë të zihet asnjëherë në këtë mënyrë. Kjo ka për të qenë sinkroni i vetëm i Edi Ramës në zgjedhjet e 2025”, tha Karaj.

Ndërsa anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Ilir Alimehmeti, aso kohe nuk ishte përfshirë në politikë. I pyetur nëse dyert mbeten të mbyllura për deputetët që mbështesin grupin e Alibeajt, Alimehmeti thotë se porta është e hapur për të gjithë.

“Kur anëtarësia e njerëzit mbështesin një ide apo person të caktuar, duhet ta respektosh. Që një shtëpi e disa njerëzve të jetë e mbyllur për disa dhe e hapur për disa të tjerë nuk bëhet. Në janar nuk kam qenë i përfshirë se kur pandemia ishte nuk mund të hiqja vëmendjen.

Porta është e hapur, nuk është e blinduar. Ka diçka që nuk shkon dhe mendoj se në demokraci gjërat zgjidhen mes njerëzish të maturuar. Në momentin që shumica mendon se s’duhet të na drejtosh ti, nuk ke pse blindon asgjë. Këto skena do ishin evituar nëse Basha nuk do bënte veprën e blindimit. Ku është policia? Ku është shteti? Këto skena që i shohin të gjithë, policia nuk po i shihte”, tha Alimehmeti.

Ndërsa ish deputeti Arben Meçaj tha se e gjithë përplasja duhet të ishte zgjidhur përmes organizimit të Partisë Demokratike.

“Le ta zgjidhin problemin mes një komisioni që bën një organizim partie. Nuk u bë se 2 palët kërkonin medoemos protagonizëm. Pse i duhej patjetër Berishës e Bashës? Ngjarja u paralajmërua si betejë. Mbyllëm 2022 dhe PD vijon të drejtohet nga një person ‘non grata’”, tha Meçaj.

Ndër të tjera, gazetari Muca shprehet duhet të përfundojë beteja brenda PD dhe të fokusohen në përballjen me mazhorancën.

“Ata që i gënjen mendja se PD nuk e ka Sali Berisha, vaj medet. 6 marsi ishte gjëja më e pritshme. Lufta është opozita përballë Edi Ramës. Ne merremi kot me të tjera. Realisht duhet të marrin PD në dorë se Sali Berisha sot që flasim po përdor si makiazh për të rishpikur veten Ilir Alimehmetin e prurjet e tjera për të thënë se është politikan i ri, por kjo taktikë pas 31 vitesh, vështirë të besohet. Berisha po e mbyt me duart e tij PD për shkak të hallit të tij personal. Ai e di që nuk vjen dot në pushtet se nuk e ka luksin të humbë edhe votën e Alibeajt, jo më të tjerëve”, tha Muça.

Sa i përket zgjedhjeve të 14 majit, Muça dhe Meçaj qëndrojnë në të njëjtën linjë se përballë Belind Këlliçit, Erion Veliaj e ka të garantuar fitoren por mund të rrezikonte nëse PD do të çonte Ilir Alimehmetin si kandidat në garë për bashkinë e Tiranës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?