Sezoni i verës sjell gjithmonë lëvizje të shumta në merkato dhe këtë herë nuk kanë munguar as emrat e futbollistëve të kombëtares shqiptare në qendër të vëmendjes.
Sipas mediave turke, Ernest Muçi nuk dëshiron më të jetë pjesë e Besiktas, pavarësisht se ka kontratë deri më 30 qershor 2027. Sulmuesi i afruar në shkurtin e vitit të kaluar për 10 milionë euro ka regjistruar 11 gola në 55 paraqitje, por është gati për një aventurë të re, me destinacionet më të përfolura që janë Spanja, Italia dhe Gjermania.
Ndërkohë, edhe Arbër Hoxha që aktivizohet me Dinamo Zagreb mund të ndryshojë ambient. Edhe pse ka edhe dy vite të tjera kontratë me klubin kroat, interesimi për të vjen nga Turqia, ku përfliten emra si Kayserispor, Trabzonspor dhe Eyupspor si pretendentë për shërbimet e tij.
Një tjetër përfaqësues kuqezi ka konkretizuar tashmë transferimin. Enea Mihaj, pas aventurës në Portugali me Famalicao do të vijojë karrierën në Turqi te Samsunspor. Lajmi është konfirmuar edhe nga drejtues të klubit turk, ku pjesë është edhe shqiptari tjetër, Arbnor Muja.
Merkatoja vazhdon të jetë aktive dhe lëvizjet e lojtarëve shqiptarë pritet të jenë të shumta edhe në javët në vijim.
Komente
