Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu nëpërmjet një lidhje ‘skype’ për emisionin “5 pyetjet” me gazetarin Ilir Babaramo në Report Tv, ka folur për protestat që opozita serbe po bën pas humbjes së zgjedhjeve si dhe për gjendjen e faktorit shqiptar në komunat ku konsiderohen shumicë.
Sa i takon qëndrimit të Vuçiç për protestat që opozita po i zhvillon, ai tha se presidenti serb i konsideron ato si të stisura nga shtete të BE.
“Vucic është deklaruar se këto protesta po bëhen disa shërbime të caktuara të BE. Ai po përpiet të krijojë një teori të rreme se këto protesta po i organizojnë fuqitë perëndimore, por jam i bindur se nuk është e vërtetë. Unë në thelb nuk shoh ndonjë politikëbërje të madhe as nga ai e as nga opozita. Duket një qasje pak më perëndimore por ekziston ai dyshimi i madh”- tha Lutfiu.
Më tej, ai preku një problem i cili tashmë duket gjithmonë e më i madh për shqiptarët që jetojnë në disa komuna të Serbisë. Duke folur për procesin e pasivizimit të adresave, Lutfiu tha se në këtë mënyrë po synohet spastrimi etnik në mënyrë administrative duke bërë që shqiptarët brenda pak vitesh të jenë minorancë.
“Si rezultat i procesit të pasivizimit, shqiptarët tashmë janë në minorancë në Medvegjë. Pasivizimi do të thotë se kur policia serbe troket në dyert e shtëpive, dhe nëse shqiptarët nuk janë duke banuar atje atëherë nis procesi i pasivizimit. Target janë shqiptarët që jetojnë në Kosovë. Në komunën e Medvegjës, ekziston një numër i madh i shqiptarëve që kanë refuzuar të votojnë sepse kur paraqiten në qendra votimi identifikohen nga serbët dhe më pas nis procesi i pasivizimit. Mbi 4 mijë adresa të shqiptarëve janë fshirë. Do duhej të ishin mbi 9 mijë shqiptarë në Medvegjë por sipas statistikiave, shqiptarët janë defaktorizuar me anë të procesit të pasizivimit”- u shpreh Lutfiu.
Ndërsa për rolin e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, ai pati kritika duke thënë se duhet të ketë më shumë përpjekje për të garantuar përmirësimin e jetesës së shqiptarëve në Medvegjë, Bujanovc dhe Luginë të Preshevës, ku ndaj tyre po ushtrohet procesi për spastrimin etnik. Ai përmendi edhe premtime të Ramës që i pati bërë në vitin 2014, duke thënë se një prej tyre, materniteti i premtuar nuk ishte funksional dhe se lindjet e shqiptarëve bëhen në Vranjë.