Këshilltari socialist i Bashkisë së Tiranës, Alfred Muharremi, thotë se shkarkimi i Erion Veliajt nga Këshilli Bashkiak Tiranë, ishte një vendim politik, që nuk hedh poshtë punët e kryebashkiakut.
I ftuar në studion e Report Tv në emisionin “Studio Live”, Muharremi theksoi se në krye të Bashkisë së Tiranës duhet medoemos një kryetar.
“Zgjedhja e gjithë Këshillit Bashkiak është për shkak se është një vendim politik që përkon me situatën, por njëherazi jemi në kushtet kur Bashkisë Tiranë i duhet patjetër një kryetar. Këtë e kemi vlerësuar si një kërkesë imediate, ndoshta dhe nga vetë shqetësimet e vazhdueshme të vetë qytetarëve. Është një vendim politik, nuk ka lidhje fare me raportin që ka ish-kryetari i bashkisë Erion Veliaj me drejtësinë. Kjo nuk i heq asnjë presje gjithë punës së tij, raportit të tij me qytetarët”.
Ndërkohë, e ftuar në studio ishte edhe këshilltarja e Lëvizjes Bashkë, Mirela Ruko, e cila ka thënë se do të donte që Këshilli Bashkiak i Tiranës të shpërbëhej dhe të bëheshin zgjedhje të reja.
“Kemi një kryetar që është arrestuar për korrupsion. Është akuza. Do isha kurioze të dija cili është qëndrimi që nga Kryeministri deri te këshilltarët kur Erion Veliaj të shpallet fajtor për ato akuza. Çfarë do bënin në rast se ai do shpallet fajtor? Për mua do ishte më e drejtë të shpërbëhet Këshilli Bashkiak dhe të shkonim në zgjedhje. Do doja shumë ta dija mendimin tënd. E kërkoj shpërbërjen sepse është më e ndershme, tregon një farë ndërgjegjieje".
Muharremi u kundërpërgjigj duke thënë se “treni i socialistëve është shumë i shpejtë, kurse opozita është në karroatrec”.
“Treni jonë është shumë i shpejtë, ne jemi avion, këta janë akoma në karroatrec. Kryetari i zonjës nuk ka etikë, ka një linçim publik dhe mungesë jo etike”.
Komente
