Legjenda e “Mujit dhe Halilit”, erdhi në skenën e Teatrit Eksperimental mbrëmjen e së dielës, në një version alternativ me regji të Ina Morinajt, një nga fitueset e Fondit të Teatrit për të Rinj.
“Unë jam inspiruar që të sjellë “Mujin dhe Halilin” në një version alternativ, sepse ne kemi nevojë për heronjtë e ditëve të sotme, dhe jo heronjtë e Eposit të Kreshnikëve, të legjendës së famshme”, thotë regjisorja Ina Morinaj.
Morinaj përzgjedh 5 nga këngët e famshme të Eposit, duke i trajtuar, përmes aktualitetit e problematikave që shqetësojnë shoqërinë sot.
“Ajo çka unë kam dashur që të arrij, është që, kushdo që të vij në publik, pavarësisht moshës apo statusit social ta gjejë veten në një nga këngët apo në një tjetër”, shprehet Morinaj.
Tri aktorët Artemisa Kusi, Ilia Kaci dhe Matia Llupa me performancën e tyre, pikëtakimet me legjendën i shënojnë edhe në përpjekjen për të gjetur apo qenë një hero.
“Jam munduar të mos prekë asgjë nga eposi i kreshnikëve, çdo gjë që është shtuar është shtuar në një punë laboratorike bashkë me grupin, me histori personale që ndodhin në Shqipëri .Kam pasur inspirimin për të thënë që është e pamundur për të qenë një Muj dhe Halil në këtë kohë në këtë vend në këtë shoqëri . Kam pasur nevojë që ta them që Heroi është i pamundur sot.”, thotë më tej regjisorja.