“Mullixhesha e bukur” e Franz Schubert, një nga kryeveprat e muzikës vokale të dhomës së periudhës romantike solli një natë magjike në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Premiera rrëfen një histori dashurie përmes një serie liedesh, të cilat ndjekin emocionet e një të riu të dashuruar, që kalojnë nga entuziazmi në melankoli. Për vetë natyrën e saj dhe faktin që është ende pak e njohur për publikun shqiptar, ky koncert përfaqëson një hap të guximshëm drejt zgjerimit të repertorit të Operës.
“Është një vepër botërore, nga më të rëndësishmet e muzikës së dhomës vokale. Vërtet ia vlen të dëgjohet një muzikë e tillë shubertiane.Besoj që edhe për vetë teatrin është një risi e bukur që të vijë si premierë një vepër jo e zakonshme për Shqipërinë, pasi gjinia e lidit në Shqipëri nuk është shumë e përhapur dhe kjo është hera e dytë që në teatër bëhet një cikël liedesh.”, - thotë pianistja Etrita Ibrahimi.
Në muajin shkurt, të dy artistët kanë sjellë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit “Rrugë dimërore” të po të njëjtit autor dhe ky koncert i fundit është vazhdim i të njëjtit projekt.
“Cikli i liedeve ‘Mullixhesha e bukur’ nuk është një simfoni, që publiku mund ta quajë shpesh edhe të rëndë. Nuk janë arie, nuk është muzikë instrumentale e zgjatur. Nuk është opera. Cikli ‘Mullixhesha e bukur’ është një cikël lidesh, pra këngësh, që tregojnë një histori. Nuk janë këngë të mërzitshme, apo këngë pa ritmikë, janë të gjalla, të gëzuara dhe në fund edhe të trishtuara. Bëjnë bashkë të gjitha ndjenjat.”, - shprehet baritoni Artur Vera.
“Mullixhesha e bukur” tregon historinë e një djaloshi të ri, i cili ndjek rrjedhën e një përroi dhe përfundon në një mulli, ku bie në dashuri me vajzën e mullixhiut. Shpresa, xhelozia dhe dëshpërimi ndërthuren në një cikël liedesh me poezitë e Wilhelm Müller-it, që sjellin një tregim të ndjerë poetik.
Komente
