Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka bërë një thirrje publike për qytetarët shqiptarë, që të mos keqpërdorin vizat turistike, e konkretisht të mos udhëtojnë për të lindur në SHBA.
Me anë të një njoftimi në rrjetin social Facebook ditën e sotme, selia diplomatike amerikane në Shqipëri sqaron se vajtja me vizë turistike në SHBA për të lindur, quhet ‘turizmi i lindjes’ dhe kjo do të refuzohet nga oficerët konsullorë.
“Është e papranueshme që prindër të huaj të përdorin një vizë turistike amerikane me qëllimin parësor për të lindur në Shtetet e Bashkuara, që të sigurojnë nënshtetësinë për fëmijën, ç’ka mund të përfshijë edhe shpenzime për kujdesin mjekësor që mbulohen nga taksapaguesit amerikanë. Ky njihet si “turizmi i lindjes” dhe oficerët konsullorë të SHBA refuzojnë të gjitha aplikimet për viza të tilla sipas ligjit të emigracionit të ShBA”, njofton ambasada mes të tjerash.
Dhe në fund një paralajmërim për penalitetet nëse konstatohet ky akt.
“Ata që keqpërdorin sistemin tonë të emigracionit përmes turizmit të lindjes mund të humbasin të drejtën për viza në të ardhmen ose për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara. Kjo është një mënyrë më shumë se si Departamenti Amerikan i Shtetit po u shërben dhe mbron taksapaguesit dhe komunitetet amerikane”, mbyllet njoftimi.
Njoftimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë, për 'turizmi e lindjes'
Komente
