Teksa na ndajnë edhe dy ditë nga Lojërat Olimpike dhe teksa opsioni i anulimit të tyre është i mundshëm, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se duhet të realizohen dhe të bëhen një shembull se me një plan të sigurt dhe masat e duhura anti-COVID gjithçka arrihet edhe në një periudhë pandemike si kjo.
Tedros duke folur për Komitetin Olimpik të Lojërave tha se ato duhet të mbahen, pasi do të jenë si një “festë shprese” për të gjithë botën, në këto momente.
“Lojërat Olimpike kanë fuqinë të bashkojnë njerëzit, të frymëzojnë dhe të tregojnë se çfarë është e mundur të bëhet!”, tha ai.
Tedros kritikoi sërish pabarazinë në shpërndarje të vaksinave, duke theksuar se pandemia do të kishte marrë fund nëse vendet e G20 do të kishin menaxhuar siç duhej dozat.
“Në vend që të shpërndahen në të gjithë botën, dozat e vaksinave anti-COVID janë përqendruar në duart e disave”, shtoi ai.
Kreu i OBSH, u shpreh se pandemia do të marrë fund kur ne ta vendosim, pasi sipas tij gjithçka është në dorën dorë për shkak se kemi çdo mjet që na nevojitet.
“Pandemia do të përfundojë kur ne ta vendosim! Është në dorën tonë! Ne kemi çdo mjet të nevojshëm për ta parandaluar sëmundjen”.
Ditët e fundit siç ka thënë edhe Kreu i Komitetit Organizues të Lojërave Olimpike, Toshiro Muto nuk përjashtohet mundësia që ato të anulohen, kjo për shkak se çdo ditë po rezultojnë pozitiv me COVID-19 gjithnjë e më shumë sportistë.
Lojërat Olimpike nëse do të realizohen pritet të mbahen më 23 korrik deri më 8 gusht.