Xhevat Jakupi

Kosova & Rajoni

Mundësitë e përhapjes së variantit Omicron në Kosovë

30 Nëntor 2021, 22:57| Përditesimi: 30 Nëntor 2021, 23:01

  • Share

Kosova aktualisht ka shkallën më të ulët të infektimeve dhe vdekjeve nga Covid-19 në rajon, por varianti i ri i koronavirusit, Omicron dhe paralajmërimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rreth tij, kanë ngritur shqetësimet edhe në Kosovë.

Doktor Xhevat Jakupi, që udhëheq laboratorin mikrobiologjik në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tha për Zërin e Amerikës se nga mostrat e dërguara para dy javësh në Gjermani, nuk është regjistruar ndonjë rast me variantin e ri.

“Sipas informacionit që kemi tani variantet të cilat janë në qarkullim është varianti Delta në mënyrë më madhore dhe varianti Delta plus, i cili po ashtu është në qarkullim në një përqindje më të ulët krahasim me Deltën”, tha ai.

Doktor Jakupi thotë institucionet shëndetësore po bashkëpunojnë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë lidhur me informatat për variantin e ri të koronavirusit.

“Ende nuk ka informata përfundimtare shkencore se sa ky variant do të jetë më përhapës dhe po ashtu sa do të ndikojë rritjen e infektimeve me këtë variant, sa do të kenë pasqyrë më të rëndë potenciale klinike të infeksionit dhe natyrisht çështje që na intereson veçanërisht është çështja se sa do të ketë ndikim në efektivitetin e vaksinave që tashmë janë në përdorim”, tha ai.

Arben Vishaj

Ushtruesi i detyrës së klinikës Infektive në Prishtinë, Arben Vishaj, thotë se shqetësim mbetet periudha e festave të fundvitit kur ka lëvizje më të madhe të njerëzve dhe një shkallë më të lartë të udhëtimeve nga jashtë vendit.

“Është e mundur që të vije deri te përhapja e pranisë së infeksioneve me një ritëm të shtuar ngase ata vijnë nga zona ku tashmë kemi një numër shumë të madh të qytetarëve në Evropë të infektuar dhe kemi vatra të shumta epidemike në mbarë Evropën”, tha Vishaj.

Doktor Jakupi thotë se përhapja e këtij varianti në vendet evropiane i shton mundësitë që në javët në vijim ai të jetë i pranishëm edhe në Kosovë. Sipas tij është e domosdoshme që të forcohet zbatimi i masave aktuale kundër COVID-19.

“Për disa javë fillojnë festat e fundvitit, do të duhej që patjetër masa të implemetohen dhe çfarëdo pakujdesie në implementimin e tyre ose mospërmbajtje të këtyre masave që janë tashmë të kërkuara të aplikohen do të paraqet Kosovën para rrezikut për përhapje të virusit dhe paraqitje të rasteve të reja me infkesion që më pastaj tani do të rezultojnë me ngarkesë spitalore”, tha ai.

“Veprimi më i duhur është vaksinimi në shkallë të gjerë pra të vaksinohet e tërë popullata sipas protokoleve që i ka dhënë ministria e Shëndetësisë, kjo do të ishte mënyra më e mirë sepse vaksina edhe më tutje mbetët mjeti i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm i parandalimit dhe kontrollit të infeksionit me COVID-19, gjithsesi edhe shmangia në turma të mëdha që do të ishte potencialisht e mundshme që të përhapet infeksioni”, tha infektelogu Arben Vishaj.

Të martën në Kosovë u shënuan tetë raste të reja të infektimeve ndërsa një person ka humbur jetën nga pasojat e COVID-19. Autoritetet po bëjnë thirrje për vaksinim ndërsa ka rënë dukshëm numri i atyre që vaksinohen në krahasim me 3 muaj më parë kur mesatarisht vaksinoheshin rreth 20 mijë veta në ditë ndërsa kjo shifër tashmë ka rënë në më paks se një mijë veta në ditë. Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë afro tre mijë vetë kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19, ndërsa mbi 161 mijë të tjerë janë infektuar.

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot (30 nëntor) masat e reja anti-COVID që kanë për qëllim frenimin e përhapjes së pandemisë. Të gjithë ata që do të hyjnë në territorin e Kosovës dhe ata që do të përdorin transportin publik duhet të kenë dëshminë e vaksinimit të plotë. Ndërsa ora policore dhe mbajtja e maskave mbetet e pandryshuar, pra do të vazhdojnë të jenë në fuqi. Sa i përket universiteteve, këto të fundit do të punojnë me 50 për qind të kapaciteteve dhe studentëve do t’u kërkohet që të paraqesin dëshmitë e vaksinimit apo testeve negative, nëse duan të hyjnë në objektet shkollore.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?