Shqetësimet për thatësirën po rriten në Evropë pasi matjet e borës nëpër Alpe tregojnë vetëm një pjesë të akumulimit normal në këtë kohë të vitit dhe reshjet në vende si Italia dhe Franca kanë qenë seriozisht të pakta edhe këtë muaj.
Në Francë, Zvicër, Itali dhe pjesë të Austrisë, ka shumë më pak borë se mesatarja, tha meteorologu austriak Klaus Haslinger. Në Itali, organizata jofitimprurëse mjedisore Legambiente po paralajmëron se 53% më pak borë se mesatarja afatgjatë ka rënë në Alpet italiane muajt e fundit.
Problemi nuk është vetëm mungesa e borës, por edhe mungesa e shiut. Në pellgun e lumit ‘Po’, i cili përshkon të gjithë Italinë veriore, reshjet kanë rënë me 61% krahasuar me mesataren historike.
Në Francë, pas disa javësh të njëpasnjëshme pa shi, ka frikë për një verë të dytë rradhazi në thatësirë dhe kufirime të ujit. Haslinger tha se ka prova se ngrohja globale po favorizon këto modele të temperaturës, duke i bërë kushtet e tharjes më të zakonshme në vitet në vijim.
"Nëse moti i pranverës është i ngjashëm me 2022, thatësira do të bëhet shumë më e keqe," paralajmëroi Josef Eitzinger, një meteorolog bujqësor në Universitetin e Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë.
Ai shtoi se po bëhet e qartë se lumenjtë do të mbajnë shumë më pak ujë të shkrirë këtë vit, gjë që është gjithashtu çelësi për rimbushjen e ujërave nëntokësore.