Theth

Mungesa e çertefikatave të pronësisë në Shqipëri, pengesë për zhvillimin

23 Qershor, 19:27| Përditesimi: 23 Qershor, 19:33

  • Share

Në Shqipëri, megjithëse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga rrëzimi i sistemit komunist, i cili nuk njihte pronën privat, pjesa më e madhe e banorëve që jetojnë në zonat malore, në veri të vendit, vazhdojnë të mos pajisen me çertifikatën e pronësisë për banesat dhe tokat e tyre. Në vitin 1992, ata refuzuan ligjin 7001 për ndarjen e tokës duke ruajtur kufijtë e vjeter të pronave, çka i la ata pa çertifikatë pronësie.

Ndërsa në vitin 1991, kur ndryshoi sistemi politik në Shqipëri dhe kur të gjithë krahët e politikës miratuan ligjin 7501 për ndarjen e tokës, banorët e zonave malore në Veri të Shqipërisë e refuzuan atë dhe u kthyen në tokat dhe trojet e trashëguara nga të parët.

Por, kur drejt Thethit, Valbonës, Vermoshit, Lëpushës, Tamarës, apo Razmës u shfaqën turistët, të shtyrë nga peisazhet alpine, tradita e mikpritjes, veshjet apo ushqimi, pjesa më e madhe prej tyre u përballën me mungesën e çertifikatave të pronësisë dhe pamundësinë për zhvillimin e pronës.

Kryetari i shoqatës “Dukagjini”, Ndue Sanaj, i tha Zërit të Amerikës se këtë shqetësim ua kanë paraqitur autoriteteve para 20 vitesh, por deri tani nuk është bërë asgjë.

“Ne e kemi filluar problematikën e kësaj çështje që në vitin 2008. Fakti është se e gjithë zona e Dukagjinit, ashtu siç kam njohuri unë edhe malet e tjera nuk kanë tapi (certefikatën e pronësisë) për pronat”, thotë ai.

Drejtuesi i shoqatës “Dukagjini” thotë se, përveç zonave të njohura për turizmin malor, edhe në zonat e tjera malore mungesa e çertifikatave të pronësisë po pengon zhvillimin.

“Janë të regjistruara që në vitin 1947, por tapi (certefikatën e pronësisë) nuk ka askush. Thethi ka probleme sepse është vendi që vijojnë turistët, dhe jo pak, por në vendet e tjera në malësi akoma nuk kanë dalur këto probleme, sepse akoma nuk është zhilluar turizmi”, thotë ai.

Nevoja për të investuar në ndërtimin e bujtinave apo rikonstruktimin e kullave ekzistuese i ka përballur banorët me ligjin. Dhjetëra banorë janë ndaluar nga policia dhe proceduar nga prokuroria për ndërtime të jashtëligjshme.

Sipas avokatit Anton Kosteri mungesa e titujve të pronësisë vazhdon t’i penalizojë banorët e zonave malore, përfshirë edhe ata të zonave turistike.

“Në këto zona do të jetë shumë e vështirë për të bërë investime sepse çdo ndërtim, qoftë edhe një tullë që do të vendoset atje, do të konsiderohet se vendoset në një tokë shtet dhe jo në tokën e tyre të trashëguar prej qindra vitesh, kjo për shkak të mos regjistrimit të titujve të pronësisë”, thotë ai.

Por avokati Kosteri thotë se, nëse politika dhe qeveria janë të gatshme për të mbështetur zhvillimin e këtyre zonave të varfëra, atëherë mund të gjenden zgjidhje për paisjen e tyre me çertifikata të pronësisë.

“Në këto kushte unë e çmoj të domosdoshme ndërhyrjen e shtetit duke ngritur grupe pune pranë njësive vendore, duke thirrur edhe persona, banorët më të vjetër, për të përcaktuar së pari kufizimet dhe të drejtën e pronësisë së gjithsecilit , sepse secili banor atje e di se ku e ka pronën e tij. Dhe mendoj që, me ngritjen e këtyre komisioneve me kryetarët e fshatrave, me përfaqësuesit e njësive administrative dhe me ekspertë të fushës, jam i sigurtë se gjendet zgjidhja, por nëse ekziston vullneti politik”.

Muajin e kaluar, Kryeministri Rama, gjatë një vizite në qendrën turistike të Thethit, u premtoi banorëve fshirjen e të gjitha gjobave për ndërtimet e paligjshme të bërë ndër vite në mungesë të çertifikatave të pronësisë si dhe zgjidhjen e problemeve të pronësisë duke i pajisur me titujt e pronësisë për pronat e trashëguara./ VOA

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?