Hashim Thaçi, gjatë një seance në Hagë

'Mungesa e financave do shtynte procesin me 6 muaj!' Thaçi po 'braktiset' nga avokatët në Hagë, ekipi i ish-presidentit i kërkon Qeverisë fonde shtesë

22 Gusht, 19:18| Përditesimi: 22 Gusht, 19:28

  • Share

Prishtinë- Teksa procesi në Hagë ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së po vazhdon, ku të pandehur janë edhe ish-kryeministri dhe presidenti Hashim Thaçi, prej kohësh avokatët kanë ngritur zërin për pagesa ndaj klientëve dhe pakënaqësi financiare.

Në këto rrethana, një kërkesë zyrtare për rritjen e fondeve për nevojat e mbrojtjes juridike të krerëve të UÇK-së, i ka shkuar kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më 12 gusht 2024. Kërkesa është depozituar nga Fondacioni “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”.

Bordi i Fondacionit përmes kësaj letre i shkruan krerëve të institucioneve se “vendosja e kufizimeve të shpenzimeve për qëllime të mbrojtjes juridike që është bërë përmes Udhëzimit Administrativ MD-NR.01/2024 për plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ MD – Nr.08/2022 për mbrojtjen juridike të personave të akuzuar potencial për krimet e pretenduara në proceset gjyqësore nga Dhomat e Specializuara, ekipin mbrojtës të ish-presidentit Thaçi e ka vënë në situatë të pamundësisë objektive për të kryer funksionin e tij”.

Në mungesë të mjeteve financiare, Fondacioni thotë se i është larguar njëri prej avokatëve kryesorë, por edhe aktualisht avokati tjetër kryesor i angazhuar, ka paralajmëruar se do të mund të largohet në periudhën e ardhshme, respektivisht nga fundi i këtij muaji.

Mediat kosovare raportuan lajmin në fjalë, duke iu referuar edhe postimit në FB nga kryetari i Bordit të Fondacionit, Ismail Syla.

“Në këtë mënyrë, kjo do të kishte për pasojë jo vetëm penalizimin e ekipit mbrojtës të z. Thaçi, por do ta pezullonte apo shtynte vetë procesin gjyqësor edhe për së paku gjashtë muaj shtesë, deri në zëvendësimin e tij me një avokat tjetër, të cilit do t’i duhej kohë e konsiderueshme për t’u njohur me rrethanat e rastit dhe procedurën gjyqësore katërvjeçare që është duke u zhvilluar.

Prandaj, si Fondacion të gjendur në rrethana të pamundësisë për t’i ofruar mbështetje financiare për nevojat financiare të ekipit mbrojtës të z. Thaçi, e vlerësojmë urgjente dhe të domosdoshme një mbështetje financiare shtesë, në mënyrë që të sigurohet vijimi i mbrojtjes efektive për ish-Presidentin Thaçi në procesin gjyqësor ndaj tij”, shkruan Syla në letër.

Dhe më tej thekson qëllimin e fondacionit dhe vështirësitë financiare që ka vetë:

“Nga ana tjetër, Fondacioni, përkundër se është themeluar pikërisht për të ofruar një burim alternativ të mbështetjes financiare me qëllim të lehtësimit të barrës financiare të buxhetit publik përkitazi me këtë proces, nuk ka arritur të sigurojë fonde të mjaftueshme të cilat do të bënin të panevojshëm dhe të pa objekt këtë kërkesë”.

Fondacioni për ish-presidentin Hashim Thaçi konsideron se përmes mbështetjes financiare shtesë nga institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, “do të mundësohet edhe qasja efektive në drejtësi, respektivsht në garancionet që derivojnë prej saj, të cilat përfshijnë, por nuk kufizohen edhe në të drejtën për t’u mbrojtur nga mbrojtës të zgjedhur me vullnet të lirë, pa iu nënshtruar asnjë kufizimi”.

Po ashtu, sipas këtij Fondacioni, kjo do të mundësonte edhe realizimin efektiv të të drejtës për një proces të rregullt (nga neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe neni 31 i Kushtetutës), element konstituiv i të cilës është edhe zbatimi i parimit të “barazisë së armëve”, që nënkupton vënien në ekuilibër të drejtë të palëve në procedurë.

“Pamundësia financiare për ta mbrojtur në mënyrë efikase çështjen para Dhomave të Specializuara, jo vetëm për ish-presidentin Thaçi, por edhe cilindo person të akuzuar, e vendos në pozitë të pabarabartë në raport me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, e cila ka buxhet pakrahasimisht më të madh për kryerjen e funksioneve të saj”, thuhet në letër.

“Duke marrë për bazë edhe natyrën e akuzave me të cilat përballen ish-krerët e UÇK-së, përfshirë z. Thaçi, pa paragjykuar procesin gjyqësor, i cili është duke u zhvilluar aktualisht, përtej çdo dyshimi, sipas Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, mund të konstatohet lehtësisht se mbështetja financiare e mbrojtjes juridike të tyre nuk është thjeshtë dhe vetëm e karakterit personal, por mbi të gjitha, është një betejë juridike, në të cilën është duke u mbrojtur legjitimiteti i luftës heroike e çlirimtare të UÇK-së, si dhe integriteti i kauzës së drejtë të kësaj lufte, si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë së popullit të Kosovës”, vijon letra.

Fondacioni beson se ndarja e mjeteve financiare të kërkuara, në instancë të fundit i shërben vetëm drejtësisë, duke vënë në dukje edhe krimet e pashembullta të luftës dhe kundër njerëzimit të Serbisë, para dhe veçanërisht gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë.

Postimi dhe letra nga kryetari i Bordit të Fondacionit, Ismail Syla

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 23/08/2024 03:06

    Mu kujtua gjyqi i Avni Rustemit e si u ngriten shqipot nga gjithe bota ne mbrojtje te tij.Nese mendoni qe gjyqi ndaj komandanteve eshte i padrejte,atehere duhet hapur nje llogari ne /Go,fund me/e le te kontribuoje kush do.Kjo nuk eshte ceshtje vetem per qeverine kosovare.Le t'ju kerkohet ndihme dhe politikaneve shqiptare qe i vizitonin te burgosurit,le te shohim nese perkrahja e tyre eshte vetem me fjale,apo dhe me vepra,se qe te gjithe ne luks notojne.

    Përgjigju
    • komplimenta: 23/08/2024 17:14

      komplimente IRIS, lexoj shpesh ketu dhe nuk komentoj per shkak te nivelit.., por doja te pergezoja IRIS per opinionet objektive qe jep ne pergjithesi????

    • Emigranti: 23/08/2024 17:02

      Bravo iris dhe un jam dakort qe te kontriboj per lirimin e clirimtareve te kosoves Dhe ju bej thirrje qe te publikojn numrin e llogaris per dhe te dergoj nje shum te caktuar Vetem ata qr ja mbathen dhe tradhetuan uck nuk duan te lirohen keta heronj

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?