Në plazhet e mbushura të Shëngjinit këtë verë, bie në sy prania e Mohamed Zidan, një vrojtues plazhi nga Egjipti që ka ardhur për herë të parë në Shqipëri për të punuar. I certifikuar dhe me përvojë në vendin e tij, Zidan është pjesë e stafit të sigurisë në një nga plazhet private të zonës.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Është hera e parë që vij dhe Shqipëria është një vend i bukur, njerëzit janë shumë të ngrohtë. Ndihem si në shtëpi. Këtë punë e kam bërë edhe në Egjipt, pasi jam i çertifikuar si vrojtues plazhi.”, shprehet Mohamed Zidan.
Për Zidanin, puna si vrojtues kërkon përqendrim dhe kujdes të vazhdueshëm. Ai thekson se, ndonëse kushtet ndryshojnë nga Egjipti, përkushtimi ndaj detyrës mbetet i njëjtë.
“Deti është shumë i vështirë dhe i bukur njëkohësisht, sepse ka thellësinë, kaltërsinë dhe është më i pastër në Egjipt sesa këtu. Kjo është një punë me përgjegjësi dhe unë jam shumë i vëmendshëm, sepse e bëj me shumë pasion.”, shton ai.
I kënaqur me pagën dhe kushtet e punës, në të ardhmen, nëse arrin të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm, synon të sjellë edhe familjen në Shqipëri.
"Nëse arrij të bëj dokumentet, po mendoj të marr edhe familjen dhe të siguroj jetesën këtu në Shqipëri. Këtu paga është shumë më e lartë se në Egjipt. Klima është më e favorshme, pasi në Egjipt bën shumë vapë.”, thekson Zidan.
Mohamedi nuk është i vetmi egjiptian i punësuar këtë sezon veror në Shëngjin.
Rasti i Mohamed Zidan reflekton një tendencë të re në tregun shqiptar të punës sezonale, ku për shkak të mungesës së fuqisë punëtore vendase, gjithnjë e më shumë biznese po i drejtohen punonjësve të huaj.
Komente

Ku kemi arrit
PërgjigjuMire se vini e punoni ne Shqiperi
Përgjigju