Mungojnë avokatët e Jaeld Çelës, shtyhet seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit, ja kur do të përballet me drejtësinë

20 Dhjetor 2021, 10:00| Përditesimi: 20 Dhjetor 2021, 10:07

  • Share

Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës, që pritej të mbahej sot është shtyrë për në datën në datën 5 janar në orën 10:00. Shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore, është bërë mungesa e avokatëve të Jaeld Çelës.

Kujtojmë se më 25 nëntor dosja ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-zyrtarit të lartë të policisë Jaeld Çela, u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Gjykata e Lartë mori më 28 shtator vendimin për të rikthyer çështjen për Tahirin në apelin e GJKKO me trupë tjetër gjykuese, duke rrëzuar kërkesën e SPAK për rigjykim në shkallë të parë.

Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar. 

Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, në analizë të të gjitha provave të paraqitura nga Prokuroria, nuk rezultonte asnjë fakt, që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kryetari i të cilëve është Mojsi Habilaj, i arrestuar dhe në gjykim në Itali. Po ashtu, thotë gjykata në arsyetimin e saj, pas përgjimeve edhe të prokurorisë italiane ku Habiljat diskutojnë për dhurata që do ja japin ministrit, çmohet fakti se nuk ka prova të mjaftueshme për t'i lidhur këto dhurata apo shuma monetare se do të shkonin tek Tahiri. Në bazë të këtyre fakteve gjykata vendosi dënimin me 3 vite shërbim prove.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?